Humbja, asnjë nga drejtuesit e PD nuk kërkon falje apo të bëjë autokritikë
PD thyen heshtjen, mesazh për mbështetësit në Facebook
Pas 48 orësh heshtjeje përfaqësuesit më të lartë të Partisë Demokratike e kanë thyer atë duke drejtuar disa mesazhe për votuesit e djathtë. Kështu, Jozefina Topalli, Majlinda Bregu, Arben Imami por edhe Genc Pollo nëpërmjet rrjetit social Facebook, kanë përshëndetur të gjithë mbështetësit e PD-së, për mbështetjen e dhënë ndërsa kanë vlerësuar punën e bërë nga Partia Demokratike në këto tetë vitet qeverisëse. Përfaqësuesit e PD-së vlerësojnë veçanërisht liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Por asnjëri nga ata nuk bën autokritikë për rezultatet humbëse.
Majlinda Bregu
Ndjehem krenare për përpjekjet tona të përbashkëta, për vendosmërinë dhe fushatën e mrekullueshme që bëmë të gjithë bashkë. Ndjehem krenare që jemi forca politike që me Sali Berishën në krye, shkëputi Shqipërinë nga diktatura me zgjedhje të lira, që i dha Shqipërisë mundësinë të jetë sot anëtare e denjë e NATO-s dhe nesër e Bashkimit Evropian, rrugën drejt të cilit e garantoi standardi i këtyre zgjedhjeve. Partia Demokratike është aset kombëtar dhe ne, anëtarët, mbështetës e votues të saj, jemi vendosmëria për të ecur PERPARA
Jozefina Topalli
Falenderim dhe mirënjohje për çdo militant, anëtar, simpatizant e votues të Partisë Demokratike! Falenderim dhe mirënjohje për mundin, përkushtimin dhe përgjegjshmërinë absolute me të cilën mbrojtët alternativën dhe votën tonë. Me mirënjohje të pafund. Jozefina
Arben Imami
Falenderoj të gjithë zgjedhësit e Qarkut të Elbasanit që na votuan e na mbështetën, falenderoj numëruesit që mbrojtën çdo votë me dinjitet deri në fund, falenderoj strukturat e Partisë Demokratike për punën e kryer në këto zgjedhje duke i ofruar qytetarëve një palë zgjedhje shembullore të standardeve Evropiane. I drejtohem të gjithë votuesve tanë duke i thënë se ne jemi krenar për të gjithë punën që kemi bërë gjatë këtij 8-vjeçari qeverisje me kryeministrin Berisha, bëmë gjithçka që qe e mundur pavarësisht bllokimeve. Anëtarësuam Shqipërinë në NATO, MSA, liberalizuam vizat dhe përgatitëm të gjitha procedurat e nevojshme për anëtarësimin në BE, gjë e cila duhet të përfundojë brenda këtij viti. Ajo që ne dhamë ishin dy palë zgjedhje ato infrastrukturore dhe ato ligjore që rritën investimet e huaja, duke i dhënë vendit një zhvillim që nuk e kishte parë historia. Kjo na jep forcë dhe na bën të ecim PERPARA
Genc Pollo
Zgjedhjet përfunduan, rezultati doli dhe për të do të flasim. Por tani është momenti për të falenderuar me zemër në dorë votuesit, demokratët, strukturat e Partisë Demokratike të Beratit e Shqipërisë për votën e për përkushtimin e tyre gjatë fushatës. Ka qenë një kohë e mrekullueshme komunikimi e përpjekje. Siç kanë qenë këto 8 vjet të qeverisë së PD me kryeministrin Berisha një periudhë e artë për zhvillimin, begatimin e evropianizimin e vendit. Është koha për të shikuar së bashku përpara e me kokën lart