E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu: Fituesi i madh i këtyre zgjedhjeve është Ilir Meta

fatmir mediuKryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu u shpreh se fituesi më i madh i zgjedhjeve të 23 qershorit, është partia Lëvizja Socialiste për Integrim. Në një intervistë për Albanian Screen, Mediu thotë se nevojitet një analizë e plotë për rezultatin e dobët të demokratëve në këto zgjedhje.
Deklarata
Kreu i PR-së, thotë se pavarësisht rezultatit të lartë të marrë nga Partia Republikane në këto zgjedhje duhet analizuar shkaku i humbjes së koalicionit të djathtë. Ajo që duket qartësisht është se ka fituar LSI dhe arsyet pse ka fituar nuk kam një përgjigje sot, por gjithsecili nga ne mund të bëj një analizë në këtë moment paszgjedhor. E djathta ka ofruar më të mirën për qytetarët shqiptarë, ka pasur një lidership në mënyrë absolute të përqendruar në interesat kombëtare, por ka një seri faktorësh që duhen analizuar dhe unë nuk dua që të jem i nxituar në përfundimet e mia. Ajo që është e papranueshme për ne është se edhe pse është rezultati shumë i mirë i PR, si koalicion ne nuk kemi arritur të marrim mbështetjen e qytetarëve shqiptarë”, tha Mediu.
Berisha
I pyetur për një largim të mundshëm të Sali Berishës nga Partia Demokratike, Mediu e cilësoi liderin e demokratëve si një vlerë jo vetëm të PD por edhe të politikës shqiptare. Jeta të jep pak shanse e mundësi që të njohësh njerëz me autoritet e vullnet të tillë si zoti Berisha. Ajo që kam vlerësuar më tepër është dëshira e tij për të bërë më të mirën për vendin. Të mos harrojmë se janë 22 vjet jetë politike dhe duhet të dimë të vlerësojmë çdo gjë të mirë të bërë nga njerëzit, e sidomos nga autoritete të tilla. Në qoftë se do të ecim nëpërmjet mohimit ne nuk do të ndërtojmë dot asnjë gjë të drejtë. Mendoj që është një vlerë jo për PD, është një vlerë si në aspektin e politikës shqiptare dhe në aspektin e politikës tonë kombëtare. Të gjitha çështjet e tjera janë krejt dytësore, të parëndësishme”, u shpreh Fatmir Mediu.

PD, humbja në Gjirokastër, Bejko akuzon Genc Rulin
Pas humbjes së thellë të demokratëve në këto zgjedhje kanë nisur edhe akuzat kundrejt përfaqësuesve të djathtë. Kështu ish-kreu i Partisë Demokratike në Gjirokastër, Roland Bejko i cili në zgjedhjet e 23 qershorit garoi nën siglën e Partisë Republikane për qarkun e Gjirokastrës, akuzoi drejtpërdrejt Genc Rulin për humbjen e mandatit të dytë të demokratëve në këtë qark. E ngarkoj atë më përgjegjësi të drejtpërdrejtë për këtë humbjen dhe analiza do të përcaktojë punën e pamjaftueshme të këtij kandidati në Gjirokastër. Ka bërë presion mbi zgjedhësit tanë dhe është përgjegjës për humbjen e kandidatit të dytë, tha Bejko. Më tej, Bejko tha se tashmë duhet pranuar rotacioni i ndodhur, ndërkohë që ka uruar katër deputetët e së majtës në këtë qark dhe ka kërkuar nga ata që të punojnë sa më shumë për Gjirokastrën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›