Humbja e Ramës erdhi sepse doli në dritë lumi i gënjeshtrës
Lulzim Basha ka fituar në Tiranë, por mbi të gjithë, në Tiranë, ka humbur Edi Rama. Të dy, për të pasur rezultatin përkatës janë angazhuar me gjithë shpirt. Kjo është gjëja e parë që duhet thënë: sepse grupi i konsulentëve vlen sa vlen – mbi të gjithë shumë nëse janë të gabuar – por të gjitha zgjedhjet i fiton ose humb kandidati.
Së pari fillojmë të themi diçka për Bashën, që është një person i suksesshëm dhe kompetent, i moderuar dhe i sjellshëm, si dhe larg ndaj atij imazhi prej “vrasësi”, “hajduti” dhe “tradhtari” që kombinati socialist i shpifjes i qepte përditë, sikurse bënin nazistët mbi veshjet e hebrenjve në kampet e përqendrimit. Pa dyshim Lulzim Basha është një njeri, dhe si njeri gabon, por kurrë nuk ka dëmtuar njeri. Mjafton të dish se në të gjithë Ministritë në të cilat ai ka shërbyer, asnjë “reformë” partiake largimesh apo rekrutimesh, nuk është bërë. Kush thotë të kundërtën, thjesht mashtron, e shet sapunin për djathë. Përgjatë fushatës elektorale dhe pas saj, ne kemi parë Bashën e vërtetë. Asgjë më shumë. Kush mendon ndryshe, le të mendojë ndryshe. Ai kurrë nuk ka zbritur në tabanin e baltës që thërret në skenë frikën dhe matrapazët e dhimbjes.
Së dyti: ndalojmë tek Edi Rama, i cili ka përdorur të gjitha bateritë politike, mediatike e financiare për të prodhuar “politikën e iluzioneve”, dhe më pas të fitores me 10 vota, në një televizion, por jo në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, dhe as në Kolegjin Zgjedhor. Për të thënë diçka më shumë, Rama gjithmonë është mësuar të komandojë, por kurrë të bindë, pra të prodhojë politikë. Ai gjithmonë kërkon të nënshtrojë individin dhe institucionet, por kurrë të pranojë humbjen, edhe kur ajo është ashiqare. Gjithmonë ka pasur “probleme” me inventarin e fjalëve. Edhe në këtë fushatë që sapo lamë pas, ishte mbushur me sinjalistikë revolucionare dhe afetare. Kuptohet vetiu se ishte e vetmja rrugë për të bërë një fushatë politike. Ndonëse referendumin politik, e humbi me plebishit kombëtar. Mundi vetëm të mbante kryetarët e bashkive kryesore, edhe pse kësaj radhe janë të gjymtuar, pasi kontrollohen nga këshillat e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”. Në politikë përkthehet se për të qeverisur këto bashki të mëdha, Rama duhet të ulë pak tonet e luftës politike dhe më shumë konsensus do të favorizonte bashkëpunimin, të paktën për temat e mëdha të mirë-qeverisjes lokale. Përkundër kësaj, Edi Rama ka zgjedhur sërish të vetmen rrugë që njeh: konfliktin e përhershëm dhe kurdoherë të dhunshëm pozitë-opozitë. Nuk di të sillet ndryshe, sepse mendimin ndryshe ai e përdhunon sa herë ka mundësi.
Procesi karstik: e vërteta e humbjes së Ramës vjen ngase fushatën elektorale në Tiranë ai e zgjodhi kundër Berishës, edhe pse kjo sjellje do të thoshte kundër interesave praktike të qytetarëve, të cilët mund t’i gënjesh një herë, dy herë, por të tretën herë ta matin kokën me pe. Humbja e Ramës erdhi sepse doli në dritë lumi i gënjeshtrës.