Tautologjia e Edvinit me drejtësinë
Dje, Edi Rama lëshoi një tymuese në opinionin publik. Në një predikim me gazetarët kreu i Partisë Socialiste u shpreh se “është koha që drejtësia të vendosë drejtësi”, në këtë moment të vështirë. Mirëpo është e vështirë për të gjithë ne, të kuptojmë që drejtësia (kolegji) na jep padrejtësi, në një moment kaq të vështirë. Prandaj apeli i Rama që “drejtësia të japë drejtësi” është një shprehje krejt tautologjike pak a shumë si “vrapuesi duhet të vrapojë”, që më shumë se sqaron gënjeshtrën ajo ngatërron të vërtetën. Mirëpo tautologjia juridike i vlen atij për të thënë nëntekstin e kuptueshëm më jepni Bashkinë, se përndryshe do të bëj vetë drejtësi. Kemi më shumë të bëjmë me një humbës që kërkon fitoren e humbur padrejtësisht sesa me një fitues që e kontestojnë. Edi Rama konteston votat e kontestuara nga numëruesit në KZAZ- nr. 49 sepse gjendeshin përballë një faktori të pa hasur kurrë më parë, të votave për kandidatin në kutitë për këshillin bashkiak, apo anasjelltas. Është një situatë e pa precedentë sepse Kodi Zgjedhor sqaron farë mirë cilat fletë votimi quhen të vlefshëm dhe të pavlefshme: shiko nenin 117. Në asnjë pikë të këtij neni nuk thuhet se vota e hedhur në kutinë jo të duhur, por në të njëjtin proces, është e pavlefshme. Kështu erdhëm në dyshim e komisionarëve të dy partive që këto vota i quajtën të kontestuara, pra as të vlefshme dhe as të pavlefshme, sepse këtë do ta bënte KQZ-ja, që në Tiranë, me ligj është një KZQZ e madhe. Kjo e fundit vendosi fillimisht parimisht dhe më pas ligjërisht se këto vota shprehin një vullnet të qartë të votuesit, prandaj duhet njohur si të ligjshme e vetiu të vlefshme. Këtë vendim Partia Socialiste e ka çuar në Kolegjin Zgjedhor. Qëllimi është anulimi i vullnetit të votës, edhe pse të shprehur qartë dhe pa njollë, duhet të konsiderohet e pavlefshme sepse është gjetur në kutinë jo të kandidatin. Është një interpretim i ashpër, pa logjikë, që dëshmon më shumë fitoren më çdo kusht sesa fatet e demokracisë, edhe pse fatet e demokracisë i ka gjithmonë në majë të gjuhës.
Megjithatë përpos kësaj, dje në pamë edhe një tjetër një formë për të kushtëzuar psikologjikisht 8 anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, që të paktën një herë në ditë e shikojnë një edicion informativ dhe ndonjë gazetë e lexojnë. Ishte thirrja sa publike aq dhe jakobine që Prokuroria e Përgjithshme duhet të fusë në burg komisionarët e partive politike është një formë presioni kësaj radhe indirekt ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili njëkohësisht me bashkëbisedimin e Ramës, kishte pranuar kërkesën e PD-së për të numëruar 28 kuti të tjera. Për të larguar këtë mundësi numërimi, Edi Rama është gatshëm të thirr në skenë edhe interpretimin e Komisionit të Venecias, si aktor i jashtëm, që ka “ një opinion i pa-korruptueshëm”. Gjithsesi është një hipokrizi totale të shikosh që kreu i opozitës të thirr në ndihmë opinionin e respektuar të Komisionit të Venecias, kur ishte po Edi Rama që prej dy vitesh refuzonte ta çonte për interpretim çështjen e hapjes së kutive, që edhe mund të kishte një opinion pozitiv. Kurse kërkesa për të çuar çështjen e numërimit të atyre votave, që na qenkan të paligjshme vetëm sepse janë në kutinë jo të duhur, por në procesin e duhur, ka një probabilitet të madh të jetë negativ, sepse nuk ka Gjykatë në botë që është parimisht kundër leximit të vullnetit të votës. Vetiu lind pyetja pse PS-ja kërkon interpretim të komisionit të Venecias kur e di fort mirë që në 90 % që opinioni do të jetë negativ? Nuk është e vështirë të kuptosh se Edi Rama kërkon kohë për dy gjëra. Së pari do të marrë do të shtrëngojë vidat Partisë dhe krejt opozitës që po i dalin jashtë kontrollin dhe së dyti është momenti t’i shkelë syrin faktorit ndërkombëtar, qoftë edhe me humbje të Bashkisë, sepse kështu do të kishte në dorë kartën e ndërkombëtarëve si i Përzgjedhuri, c’ka nuk e kishte në vitin 2009.