E Shtunë, 31 Tetor 2026

Humbja e Ramës, humbje e dhimbshme financiare

02-06-2011 / Nga Leonard Quku

SHBA zbardhi dje arsyet pse Edi Rama e ka të vështirë të pranojë rezultatin e 8 majit. Në një seancë dëgjimore pranë Komisionit Amerikan të Helsinkit, drejtori i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, Janush Bugajski theksoi se humbja e postit sjell humbje të mëdha financiare, prandaj edhe i pamundësohet humbësit të zgjedhjeve që të pranojë rotacionin e pushtetit


Kreu i misionit të vëzhguesve, Stonstreet


Rezultati për Tiranën ishte shumë i ngushtë – do vinte në vështirësi administratën e çdo vendi demokratik


Analisti i njohur amerikan Janus Bugajski ngriti dje si shqetësim atë që mban sot të bllokuar politikën shqiptare, e cila sipas tij është “klientela politiko financiare”. Duke ju referuar kundërshtimit të pranimit të rezultatit të humbjes nga ana e Edi Ramës, Bugajski theksoi se, “Të humbasësh një post në Shqipëri, është financiarisht e dhimbshme”. Shqetësimin e tij Bugajski e bëri prezent në një seancë të posaçme që Komisioni Amerikan i Helsinkit zhvilloi dje mbi zgjedhjet në Shqipëri, ku është informuar nga shefi i misionit të vëzhguesve të huaj, Jonathan Stonstreet. Me pjesëmarrjen e kongresmenëve, diplomatëve dhe analistëve, KAH diskutoi për situatën para dhe pas zgjedhore në vendin tonë, duke u fokusuar në specifikat që solli procesi si dhe mbarëvajtjen e tij deri në publikimin e rezultatit zyrtar. Sipas tij, ky binom nuk i jep të “drejtë” humbësit të zgjedhjeve të pranojë rezultatin si dhe të pranojë rotacionin e pushtetit. “Në Shqipëri, debatet mes partive nuk zhvillohen mbi baza ideologjish por mbi bazën e besnikërisë ndaj grupit. Klientelizmi dhe favorizimi politik janë dy problemet e mëdha që sundojnë sot politikën. Të humbasësh një post në Shqipëri, është financiarisht e dhimbshme. Prandaj në Shqipëri ekziston hakmarrja politike”, u shpreh analisti Bugajski. Ai tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë instrumente të drejtpërdrejta për të ndihmuar Shqipërinë dhe duke pasur parasysh reputacionin që ato kanë në Shqipëri, mund të luajnë rol më të madh për ta ndihmuar vendin të përmirësojë zhvillimin e zgjedhjeve në të ardhmen.


Ndërkaq, kreu i misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR, Jonathan Stonstreet, ka folur përmes një video-konference nga Parisi, duke u shprehur se zgjedhjet e 8 majit në Shqipëri, u zhvilluan të qeta dhe se nuk ka pasur incidente të rënda të cilat mund të cenonin integritetin e procesit. Kreu i misionit të vëzhguesve ka deklaruar se rezultati zgjedhor për Tiranën ishte shumë i ngushtë dhe kjo situatë bëhej jashtëzakonisht e vështirë jo vetëm për administratën zgjedhore në Tiranë, por në çdo vend të botës. Sipas tij, rezultati prej 10 votash diferencë erdhi në një kohë kur në KQZ ndodheshin një numër i madh ankesash për rinumërim si dhe numërimin e votave të kontestuara. Sipas tij, një numër i madh votash për kryetarin e bashkisë, u gjetën në kutitë e gabuara. “Një rezultat kaq i ngushtë, me 10 vota diferencë, do të vinte në vështirësi çdo administratë zgjedhore, në çdo vend të botës. Shumë vota u gjendën në kutitë e gabuara dhe kjo u konsiderua si gabim njerëzor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori një vendim për të numëruar fletët e kontestuara dhe menjëherë më pas e sqaroi atë. Ky vendim tashmë është bërë publik, por nuk dua ta komentoj atë pasi është Kolegji Zgjedhor që pritet të shprehet për këtë çështje”, u shpreh kreu i vëzhguesve të OSBE/ODIHR, Jonathan Stonstreet. Duke folur për situatën zgjedhore, ai kujtoi se situata u karakterizua nga një polarizim i skajshëm, por në këto zgjedhje qytetarët shqiptarë u treguan të maturuar duke respektuar procesin deri në fund. Ai kujtoi se gjatë ditës së zgjedhjeve, në 8 maj, nuk ka pasur incidente, ndërsa gjatë fushatës elektorale janë vërejtur konflikte banale mes militantëve. Në këtë pikë, Stonstreet ka shtuar se para dhe pas procesit të 8 majit, Partia Socialiste, si forcë kryesore e opozitës, ka sulmuar sistematikisht Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke e konsideruar atë si organ të varur politikisht. “Që në fillim të fushatës nga partitë politike në Shqipëri pati përplasje mes tyre, ndërsa u ngritën akuza ndaj anëtarëve të KQZ-së duke krijuar mosbesim tek ky institucion që në fillim të procesit. Opozita e konsideroi institucionin e zgjedhjeve si organ politik, duke çuar kështu në mos besimin e vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Vlerësimin përfundimtar për zgjedhjet e 8 majit ne nuk mund t’i japim ende”, tha Stonstreet. Të pranishmit në seancë, mes të cilëve Robert Benxhamin i Institutit Demokratik Kombëtar me qendër në Uashington, kanë vlerësuar se procesi i 8 majit ishte i lirë dhe i ndershëm. Ata shtruan si domosdoshmëri rinisjen e dialogut politik mes faktorëve, në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë përpara aspiratën e integrimit Evropian. Sipas tyre, zgjedhjet vendore treguan te demokracia në Shqipëri funksionon dhe si e tillë politika duhet të qëndrojë larg akuzave tendencioze ndaj institucioneve ligjore. Robert Benxhamin i Institutit Demokratik Kombëtar me qendër në Uashington tha se është e nevojshme që dy partitë politike kryesore të bëjnë një hap prapa, duke nënkuptuar se ato nuk duhet të ndërhyjnë në proces. Gjithashtu, tha ai, dy kandidatët për Tiranën duhet t’u shmangen deklaratave triumfaliste. Ai përmendi zgjedhjet presidenciale të vitit 2000 në Shtetet e Bashkuara, ku rezultati ishte tepër i ngushtë, dhe tha se situata u zgjidh pa probleme pasi zyrtarët treguan mjaft transparencë dhe maturi në veprimet e tyre. “Asnjë zgjedhje në botë nuk është e përsosur, tha Benxhamin, por kryesorja është që qytetarët të kenë besim tek procesi”. Komisioni i Helsinkit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e vlerëson tensionin politik që po shoqëron situatën pas-zgjedhore në Shqipëri, si vazhdim i krizës politike të nisur që nga viti 2009, për këtë arsye Komisioni i ka kërkuar partive politike më të mëdha në vend PS-PD që të bëjnë hapa konstruktivë, pasi zgjedhjet janë për fitimin e besimit të publikut.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›