SUPERMASHTRIMI: Kryebashkiaku i Kavajës kërkon ndjesë publike. Griselda Roshi pranon në Prokurori se kishte trilluar ngjarjen. Ekspertiza: S’ka qenë shtatzënë

UPDATE- Edhe pse mbarë opinioni publik me të drejtë e dënoi si kriminal, rrëmbimin e Griselda Roshit, bashkëshortes së kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, si dhe detyrimin në lindje të parakohshme, sot mjekësia ligjore hedh poshtë çdo pretendim të denoncimit të një dite më parë të bërë me urgjencë nga kryebashkiaku Roshi
-- Kryetari i bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi kërkon ndjesë publike
Pas prononcimit zyrtar të Policisë së Shtetit, e cila deklaroi se ekzaminimi mjekoligjor ka konstatuar se 28-vjeçarja Griselda Roshi nuk ka qenë asnjëherë shtatzënë dhe pas rrëfimit të vetë 28-vjeçares pasditen e sotme në Prokurori se e gjithë historia e rrëmbimit dhe e shtatzënisë ka qenë një sajesë nga ana e saj, bashkëshorti, kreu i bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, ka kërkuar ndjesë publike për gjithë historinë, e cila sipas tij shokoi gjithë vendin dhe në fund rezultoi e pavërtetë.
Kryetari i bashkisë së Kavajës Elvis Roshi nëpërmjet një letre të hapur në emër të tij dhe familjes Roshi i ka kërkuar ndjesë mbarë opinionit publik për tronditjen që shkaktoi lajmi i bashkëshortes së tij.
“Në emër të familjes time dhe të afërmve, i kërkoj ndjesë opinionit publik për tmerrin e lajmit të djeshëm që sot rezultoi i pavërtetë. U kërkoj ndjesë bashkëqytetarëve të mi Kavajas që ndanë me mua dhe familjen orët e mia më të vështira të jetës. U kërkoj ndjesë të veçantë miqve të Partisë Socialiste që nuk u kursyen në solidaritetin me familjen time”- thuhet në letrën e Roshit drejtuar publikut.
Ndërkohë Roshi ka falenderuar gjithë instancat të cilat u angazhuan në zbardhjen sa më të shpejtë të vërtetës. “Falenderoj prokurorinë dhe mjekët e përfshirë në zbardhjen e ngjarjes. Ata bënë gjithçka me shpejtësi, profesionalizëm dhe mirësjellje njerëzore. U kërkoj ndjesë edhe atyre për gjithë atë stres. Falenderoj edhe median për vëmendjen e veçantë”- vijon letrën e tij kreu i bashkisë së Kavajës Elvis Roshi.
-- Qytetarja e parë e Kavajës ka kurdisur një supermashtrim për arsye që askush nuk i di
Ajo që sot është zbardhur dhe hedhur dritë s’është as më shumë e as më pak se një “aktrim” i denjë për serialet e gjata apo telenovelat alla latine.
E thënë shkurt dhe qartë, Griselda Roshi, ka mashtruar, ky është rezultati i hetimeve paraprake të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe ekspertiza e mjekësisë ligjore. Bashkëshortja e kryebashkiakut të ri të Kavajës, Elvis Roshi me denoncimin e saj se e kishin rrëmbyer dhe detyruar të abortonte në muajin e nëntë të shtatëzanisë ngriti në këmbë Policinë e Shtetit.
Policia gjeti fillimisht klinikën private në rrugën “Kongresi i Manistirit”, ku 28-vjeçarja pretendonte se ishte detyruar të merrte një serum. Rezultati i hetimit ishte befasues për hetuesit dhe pretendimet e Roshit.
Ajo kishte shkuar e vetme për të kërkuar trajtim me serum pasi sipas dëshmisë së mjekëve të klinikës kishte pretenduar se kishte diare e të vjella si pasojë e konsumit të një sanduiçi të skaduar. Personeli i klinikës ka deklaruar gjatë një interviste ekskluzive për ABC News se 28-vjeçarja ishte paraqitur me emrin e rremë Erisilda Mulaj, dhe edhe pse i kishte të gjitha mundësitë të kërkonte ndihmën e mjekut nëse kishte probleme kërcënimi, nuk e bëri.
Po sipas tyre gruaja ishte e vetme në klinikë rreth orës 2:00-2:30 në të gdhirë të së mërkurës dhe pasi kishte marrë serumin për helmim ushqimi, ishte larguar. Policia e njohu gruan nga pamjet e kamerave të sigurisë, pasi emri i saj nuk rezultonte në regjistra për shkak të emrit të rremë që kishte përdorur.
Gjithashtu personeli i mjekëve të klinikës siguroi se 28-vjeçarja që kishte kërkuar trajtim me serum nuk kishte shenja shtatëzanie, aq më tepër të muajit të nëntë dhe as shenja lindjeje apo aborti. Policia ka bastisur disa klinika private obsetrike gjinekologjike që ndodhen pranë Maternitetit të Ri Kiço Gliozheni në Tiranë, por nuk ka gjetur asnjë provë që të vërtetojë që në ndonjë nga këto, të ketë kryer abort apo lindje zonja Roshi.
Një fakt i tillë ka shtuar dyshimet e grupit të hetimit për një histori të stisur nga 28-vjeçarja. Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaroi me anë të një njoftimi për shtyp se nuk ka asnjë provë që të vërtetojë që 28-vjeçarja të jetë rrëmbyer, nënshtruar dhunës fizike e psikologjike apo mbajtur peng, si dhe ka rrëzuar si të pabazë edhe kallëzimin për abort apo marrje peng e zhdukje të foshnjës. Mjekësia Ligjore pretendon se nuk ka gjetur asnjë gjurmë të shtatëzanisë apo abort, që edhe nëse ka ndodhur ka qenë normal dhe të paktën 1 muaj më parë.
Ekipi i ekspertëve përbëhej nga një specialist i përgjithshëm i mjekësisë ligjore dhe ekspert gjinekolog dhe një psikologe.
Gjithsesi për vetë rëndësinë e këtij hetimi pritet që raporti të konsultohet edhe me një specialist tjetër gjinekolog para se të marrë formën përfundimtare.
Gjetja e gjurmëve të një tentative vetëvrasjeje me anë të prerjes së damarëve kohë më parë nga zonja Roshi, ka shtuar dyshimet e policisë për gjendjen psikike të saj dhe mundësinë e stisjes së një historie të tillë rrëqethëse rrëmbimi.
Ajo që mbetet pas kësaj janë ato akuza vulgare të pseudoanalistëve të analeve mediatike të kontrolluara nga opozita, të cilët gjatë gjithë ditës së djeshme e lidhën "telenovelën" me nje sulm të mundshëm politik dhe sigurisht togfjalëshi i turpshëm ishte, "Fajin e ka Saliu".
Ky mentalitet mashtrimesh dhe spekulimesh që marrin përmasa të gjëra mediatike si dhe kthehen në bumerang akuzash, shpifjesh dhe trillimesh drejt përfaqësuesve të ndryshëm të politikës dhe mazhorancës, duhet të marrë fund njëherë e mirë.
Reagimi i Policisë: Griselda mashtroi, s’ka qenë shtatzënë dhe as nuk është rrëmbyer
Gruaja e kreut të bashkisë së Kavajës, Griselda Roshi nuk ka qenë shtatzënë. Me këtë deklaratë ka dalë sot Policia e Tiranës pas hetimeve të para të kryera për ngjarjen në fjale që shokoi opinionin publik.
Sipas zëdhënëses së policisë së Tiranës, gruaja ka mashtruar familjarët dhe të afërmit e saj, pasi ekzaminimet kanë treguar se ajo nuk kishte qenë asnjëherë shtatzënë.
Zëdhënësja e policisë ka bërë një pasqyrim të ngjarjes që nga denoncimi i shtetasit Sajmir Roshi që kunata e tij Griselda shtatzënë ishte marrë forcërisht pranë qendrës “Kristal” pranë Komunës së Parisit, në kryeqytet dhe ishte detyruar të lindte fëmijën.
Më pas zëdhënësja e policisë thekson se për zbardhjen e ngjarjes janë marrë në pyetje edhe dy taksistët dhe personat të cilët kanë kontaktuar me të si dhe shoqja me të cilën ka pirë kafe ditën që ajo mashtroi se ishte rrëmbyer. Ndërkohë burime nga prokuroria e krimeve të rënda kanë theksuar se gjatë dëshmisë së dhënë në prokurori 28-vjeçarja Griselda Rroshi ka pranuar se kjo ngjarje është imagjinatë e saj.
Përpara prokurorëve të çështjes 28-vjeçarja ka pranuar e nuk ka qenë shtatzënë por gjithçka ka qenë një sajesë. Ndërkohë ende nuk dihen arsyet të cilat e kanë çuar 28-vjeçaren të krijojë një ngjarje të tillë që prej dy ditësh tronditi opinionin publik shqiptar.
Dëshmia e 28 vjeçares në Prokurori: Ngjarja imagjinatë, denoncimi është i rremë
Griselda Roshi, bashkëshortja e kryebashkiakut të Kavajës, ka pranuar para Prokurorëve të Krimeve të Rënda se denoncimi i bërë në polici për rrëmbim dhe marrjen e fëmijës ka qenë një mashtrim i saj. Për rreth 2 orë e 30 minuta, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në kryeqytet Griselda Roshi, e shoqëruar edhe nga një psikologe për shkak të gjendjes jo të mirë mendore, i është përgjigjur pyetjeve të organit të akuzës.
Në dëshminë e dytë ajo ka pohuar se nuk e kanë rrëmbyer dhe se nuk ka qenë asnjëherë shtatzënë por se rrëmbimi i saj si dhe marrja e fëmijës së porsalindur e ka stimuluar vetë. Ndërkohë që një ditë më parë në denoncimin e dhënë në Policinë e Tiranës, 28 vjeçarja ka dëshmuar se pasi ka pirë kafe me shoqen e saj dhe kur ka shkuar të marrë taksi, tre persona me armë e kanë rrëmbyer dhe e kanë dërguar në një klinikë ku i kanë marrë edhe fëmijën, pasi ishte në muajin e 9- të shtatzënisë.
Më pas ajo ka denoncuar se pasi i kanë marrë fëmijën e kanë lënë disa metra larg shtëpisë në Kavajë dhe ka qenë kunati, që e ka shoqëruar në polici për të bërë denoncimin.
Kjo ngjarje ka vënë në lëvizje drejtues të Policisë së Tiranës dhe të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ku nga një hetim i hollësishme, organi i akuzës ka dalë në një konkluzion duke rrëzuar pistat e rrëmbimit.
Madje përfundimi i ekspertizës mjeko- ligjore ka nxjerrë më pas se Griselda Roshi, apo ndryshe Zaimi me mbiemrin e saj të vajzërisë nuk ka qenë asnjëherë shtatzënë dhe se i gjithë denoncimi ka qenë një sajesë e 28 vjeçares.
...