Humbjet në total të energjisë në rrjet në 6-mujorin e parë të këtij viti llogariten në masën e 1,1 miliardë kilovatorëve ose më shumë se 33.% të energjisë elektrike që është hedhur në rrjet nga korporata shqiptare e energjisë. Të dhënat zyrtare bëjnë me dije se kjo është sasia më e vogël e humbjeve të energjisë e arritur ndonjëherë që prej vitit 2000. Sasia e energjisë prej 1,1 miliardë kilovatorësh që ka humbur është e mjaftueshme për të furnizuar vendin me energji për tre muaj pa ndërprerje. Në vlerë parash kjo sasi energjie vlen të paktën 80 milionë euro në rast se do ta llogarisim vlerën e një megavati me rreth 75 euro. Energjia nga importi vjen me një çmim që është rreth 80 euro për megavat. Pavarësisht vlerës së madhe të parave të humbura nga energjia elektrike, duhet thënë se kjo vlerë është më e ulët sesa në vitet e kaluara. Administrimi i korporatës së energjisë në dy vitet e fundit ka qenë një nga zhvillimet më të mira në ekonominë e vendit. Korporata megjithatë është në vështirësi shumë të mëdha për shkak të rrjetit të rënduar të transmetimit, i cili kërkon investime të mëdha. Në vendet e zhvilluara humbjet e energjisë në rrjet janë mesatarisht tri herë më të ulëta sesa ato të vendit tonë. Në sasinë e energjisë që numërohet si humbje pjesa më e madhe janë humbje të rrjetit dhe një pjesë tjetër është mosarkëtimi ose faturimi, i cili gjatë viteve të fundit ka pësuar edhe ky një rënie mjaft të madhe. Korporata ka ndërprerë më shumë se sa 120 mijë lidhje të paligjshme të energjisë. Gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti edhe prodhimi vendas i energjisë ka qenë më i lartë sesa vitet e kaluara për shkak të rezervës së mirë hidrike në kaskadën e Drinit. Prodhimi total i energjisë elektrike në vend në 6 muajt e parë të vitit 2008 u rrit me 22.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT, burimet e energjisë elektrike gjatë kësaj periudhe u rritën me 13.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007.
Në total, sasia e energjisë elektrike llogaritet në këtë periudhë në masën 1,990 GWh, duke zënë 57.3% të burimeve gjithsej të energjisë. Ndërkohë, prodhimi i energjisë elektrike nga hidrocentralet u rrit me 26.3% më shumë, duke dhënë ndikimin kryesor në rritjen e burimeve të energjisë elektrike dhe që në 6 muajt e parë të 2008 zuri 98 % të prodhimit total në vend. Rritje të ndjeshme ka dhe prodhimi i energjisë nga sektori privat, përmes HEC të dhëna me koncesion, i cili llogaritet të jetë 14.1% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndryshe nga një vit më parë, kur në prodhimin e energjisë u fut TEC-i i Fierit, për shkak të një thatësire të madhe, këtë vit nuk pati prodhim termik të energjisë, pasi TEC-et nuk u futën në prodhim në 6 muajt e parë të këtij viti.