E Diel, 1 Nëntor 2026

“LSI vazhdon të dominohet nga mllefi, rrezikon të katandiset në forcë me kredibilitet të dyshimtë”

Flet deputeti i PSSH, Marko Bello

Ditët e fundit kanë filluar të shtohen zërat brenda PS për nevojën e bashkëpunimit me LSI, e shihni ju të domosdoshëm këtë bashkëpunim, në funksion të fitores së të majtës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

Jo vetëm ditët e fundit, por në shumë raste lidershipi i PS i ka bërë thirrje drejtuesve të LSI të lënë mënjanë interesat e vogla partiake dhe të bashkohen me PS dhe gjithë të majtën progresiste për t’i dhënë fund qeverisjes së dështuar të Partisë Demokratike. Ne jemi të bindur se bashkëpunimi real dhe afatgjatë i partive politike opozitare përbën një nga garancitë për të nxjerrë përfundimisht në pension Sali Berishën dhe për t’i krijuar mundësi reale vendit për zhvillim më të shpejtë dhe mirëqenie më të lartë për çdo shqiptar. Për fat të keq, konstatojmë se LSI vazhdon të dominohet nga inati, qejfmbetja dhe mllefi, të cilat errësojnë arsyen dhe rrezikojnë ta katandisin atë në një forcë politike me kredibilitet të dyshimtë.

Duket se komunikimi ndërmjet krerëve të këtyre partive po vazhdon të ashpërsohet dhe s’duket të ketë ndonjë sinjal për ulje tensionesh. Mendoni se ka hapësira?

Kurrë mos thuaj kurrë, është një mësim nga politika. Andaj ne duhet të gjithë të punojmë për një front të gjerë opozitar, ku të bashkohen të gjithë ata që duan t’i japin fund politikës së vjetër të sherrnajës dhe interesave të ngushtë partiake, në favor të kthimit të politikës në shërbim të qytetarit, në dobi të zhvillimit dhe integrimit të vendit në Evropën e Bashkuar, në Evropën e vlerave të lirisë dhe demokracisë, të institucioneve demokratike të konsoliduara, të lëvizjes së lirë të njerëzve, kapitaleve dhe ideve…Por, për fat të keq, ka ende individë në strukturat e LSI, njerëz pa identitet, të paaftë dhe megalomanë, fodullë dhe miopë politikë që e shtyjnë lidershipin e saj drejt përçarjes dhe anatemimit të PS, duke bërë me dashje ose jo lojën e Berishës, i cili shpreson të përfitojë nga përçarja e opozitës për të tentuar të mashtrojë edhe njëherë shqiptarët e dëshpëruar dhe zhgënjyer nga politika klienteliste, korrupsioni dhe rrjeti nepotik që kjo mazhorancë ka ngritur në mbarë vendin.

Që në nisje të muajit gusht, selia e PS është braktisur nga deputetë e zyrtarë të tjerë të kësaj partie. Është normale kjo situatë?

Duke e mirëkuptuar shqetësimin tuaj, më lejoni të saktësoj se zyrat e PS nuk kanë qenë kurrë më parë me kaq shumë njerëz, shpresë dhe përkushtim për të përgatitur një alternative fituese, një program dhe një ekip të aftë t’i japin fund tranzicionit të gjatë dhe rraskapitës që nga rrëzimi i sistemit komunist. Por, do t’ju ftoj të hidhni një sy në selinë blu, të cilën e ka zënë pluhuri dhe myku, ku për 3 vjet me radhë nuk është mbledhur një forum dhe nuk është zhvilluar asnjë aktivitet politik. Ky realitet i hidhur është treguesi më domethënës se PD, dikur një shpresë për shqiptarët, sot është kthyer në një fantazmë, ndërsa një grusht drejtuesish në krye të vendit po trashen nga zullumi dhe korrupsioni, duke i kthyer krahët militantëve, simpatizantëve dhe gjithë atyre që votuan për PD më 3 korrik 2005.

Sa i përket aktivitetit politik të PS në opozitë, cilat do të jenë fushat, ku do të përqendrohet fort PS në nisje të sesionit të ri parlamentar në fillim të shtatorit?

Me gjithë vështirësitë që has çdo parti në opozitë, PS mundi ta kapërcejë relativisht shpejt momentin e vështirë të humbjes dhe sot është partia më e madhe në vend, e vetmja forcë politikë që, pas një konsultimi të gjerë më shumicën e shqiptarëve, është në gjendje të prezantojë që në vjeshtë të këtij viti një alternativë dhe një ekip dinjitoz, i aftë të fitojë zgjedhjet e ardhshme dhe sidomos të realizojë me sukses një program qeverisës ambicioz dhe me impakt të jashtëzakonshëm për të ardhmen evropiane të vendit. Njëkohësisht, grupi parlamentar, si një nga strukturat më të rëndësishme të PS, do të vijojë të kontribuojë si opozitë konstruktive, për të mbështetur në parlament reforma në interes të vendit, ashtu sikurse do të ashpërsojë luftën politike për të demaskuar dhe nxjerrë lakuriq në sytë e publikut dështimet spektakolare, demagogjinë, mashtrimet e paskrupullta dhe korrupsionin e qeverisë ‘Berisha’.

Si do të vijojë bashkëpunimi me mazhorancën për çështjet kryesore, për të cilat palët janë angazhuar për bashkëpunim?

Siç e përmenda edhe më sipër, PS nuk ka asnjë kompleks për të bashkëpunuar me shumicën për interesa mbarëkombëtarë, për çështje që lidhen me proceset integruese, për reformën në drejtësi apo atë zgjedhore. Ky angazhim që e bën PS realisht një opozitë konstruktive, nuk mund kurrsesi të na demotivojë nga lufta politike dhe rreshtimi i qartë dhe pa ekuivok në krah të shumicës së shqiptarëve që vuajnë njësoj pasojat shkatërrimtare të një qeverisjeje kryekëput demagoge dhe të dështuar, sikurse është qeverisja e PD. Por, mbi gjithçka, ne po fokusohemi te ndërtimi i një alternative progresiste dhe në dobi të të gjithë shqiptarëve.

Duke qenë se kemi hyrë në një vit zgjedhor, si ju duket situata brenda PS, duke përfshirë edhe “ethet”, në të cilat do të përfshihen kryesisht deputetët aktualë sa i përket rikandidimit të tyre për deputetë?

Partia Socialiste ka krijuar tashmë një traditë në caktimin e kandidatëve për deputetë dhe procesi i përzgjedhjes, testimit dhe ballafaqimit do të përfundojë në Kryesinë e PSSH. Ne jemi një parti serioze, me rregulla të mirëpërcaktuara në statutin e miratuar në Kongres, i cili, si forumi më i lartë politik, ia ka deleguar këtë kompetencë Kryesisë dhe kryetarit të PS, i zgjedhur në bazë të parimit “Një anëtar, një votë” nga mbi 70 mijë anëtarët e saj. Unë jam i sigurt se lidershipi i PSSH do të arrijë të përzgjedhë një ekip dinjitoz dhe me frymë fituese, i aftë profesionalisht dhe i qartë politikisht. Me pak fjalë, ky ekip do të mishërojë vlerat më të mira të forcës sonë politike dhe në të do të përmblidhet eksperienca dhe vitaliteti, kontributi dhe vizioni, ambicia për progres dhe përkushtimi qytetar, cilësi këto që do të bindin shumicën e shqiptarëve që të votojnë PS si shpresa për të garantuar paqen sociale, rendin dhe sigurinë; si forca që do të sjellë zhvillim të qëndrueshëm përmes reformash të guximshme.

Ishte paralajmëruar një riorganizim i PS në bazë. Cilët janë hapat që janë ndërmarrë deri tani për ristrukturimin e partisë, në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare?

PS është një forcë progresiste, në reformim të vazhdueshëm, ndërsa lidershipi i saj kërkon ta udhëheqë atë drejt fitores në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Edhe gjatë këtij viti ne kemi inkurajuar mijëra shqiptarë të anëtarësohen në forcën tonë politike, ashtu sikurse jemi të hapur të krijojmë koalicione para dhe paszgjedhore me të gjitha forcat politike që kërkojnë nxjerrjen e vendit nga humnera ku e ka zhytur qeverisja e mbrapshtë e PD dhe për ta orientuar atë drejt zhvillimit e progresit. Nga pikëpamja politiko-organizative, PSSH do të jetë e përgatitur të zhvillojë një fushatë ekzemplare, të prezantojë një program jo thjesht për vota, por për të qeverisur dhe të mos lejojë me çdo mjet demokratik çdo tentativë për të deformuar vullnetin e shqiptarëve….

Cili është roli i deputetëve në këtë proces?

Për shkak të funksionit, deputetët janë anëtarë të Kongresit dhe Asamblesë Kombëtare të PSSH, kështu që ata janë të përfshirë në gjithë proceset e riorganizimit dhe konsolidimit të strukturave të partisë. Përpos angazhimit në Kuvend, çdo deputet është i deleguar pranë organizatave gjatë procesit të zgjedhjeve në këtë qelizë të partisë.

Cilat do të jenë kriteret që do të vendosin përcaktimin e listës së kandidatëve për deputetë të PS në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

Mendoj se është ende shpejt për të përcaktuar kriteret në përzgjedhjen e kandidaturave për grupin e ardhshëm parlamentar, por për këtë po punohet. Do të jetë një proces serioz për të garantuar një ekip fitues dhe profesionalisht të aftë të drejtojë vendin.

Pak javë më parë, kryetari i PS u shpreh se në krye të listës së kandidatëve do të jenë figura të rëndësishme në qarqe, duke lënë të kuptohet se deputetët aktualë nuk do të jenë prioritet i tij në renditjen në listën e kandidatëve për deputetë...

Është folur shumë për këtë temë, e cila i përngjan telenovelave që janë bërë bajate. Unë mendoj se ka patur një keqkuptim ose më saktë një keqinterpretim të fjalës së kryetarit Rama në Asamblenë e fundit, në Cakran. Të gjithë jemi të nevojshëm, por askush nuk është i përjetshëm në pozicionin që ka. Është normale që nga njëra palë zgjedhjesh në tjetrën, ka rifreskim të grupit parlamentar, disa të konsumuar zëvendësohen nga më të rinj…Kështu ka ndodhur vazhdimisht dhe jo vetëm te PS.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›