E Diel, 1 Nëntor 2026

Humbjet e energjisë shtohen me 50 milionë euro

 

Sistemi energjetik pritet ta mbyllë vitin 2008 me sëpaku 11 miliardë lekë humbje

Humbjet e sektorit të energjisë elektrike në këtë vit pritet të jenë shumë më të larta nga programi i qeverisë, bëhet e ditur nga ballafaqimi i Planit të Tetë të Masave me deklaratat e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Javën e kaluar, OSSH deklaroi në prezantimin e saj të parë publik se të ardhurat e kompanisë pritet të arrijnë në 28 miliardë lekë për vitin 2008. Gjashtëmujori i parë i këtij viti u mbyll me të ardhura në masën e 14.6 miliardë lekëve. Ndryshe nga OSSH, qeveria në dokumentin e Planit të Masave, ka planifikuar të ardhura në nivelin e 34.2 miliardë lekëve për këtë vit. Shpenzimet e sektorit të energjisë elektrike ku aktualisht veprojnë tre kompani nën pronësi publike, janë planifikuar në 39 miliardë lekë për këtë vit, por burime nga sektori, bëjnë të ditur se ky planifikim është tepër optimist duke pasur parasysh rritjen e mëtejshme të kostos së importit të energjisë. Plani i të ardhurave, i përgatitur nga Ministria e Ekonomisë dhe Tregtisë, parashikonte rritje të shitjeve të energjisë me 19% gjatë këtij viti si dhe rritje të çmimit me 13.4%.

Nuk ka mekanizëm për mbulimin e humbjeve

Humbjet e energjisë elektrike vitin e kaluar u mbuluan nga buxheti i shtetit, i cili akordoi 5 miliardë lekë në fund të vitit për këtë qëllim, duke i hequr këto para nga investimet publike. Por këtë vit, buxheti suplementar i miratuar javën e kaluar, nuk ka parashikuar subvencionime për sektorin e energjisë. Humbjet nga sektori i energjisë janë bërë makthi i ekspertëve të Ministrisë së Financave, të cilët e shohin këtë sektor si rrezikun më të madh për buxhetin. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar shumë herë për rrezikun që vjen nga humbjet në sektorin e energjisë. Vetëm dy ditë më parë, përfaqësuesja e përhershme e FMN-së në Shqipëri, Ann-Margaret Westin, përsëriti kërkesën për disiplinë financiare. FMN ka kërkuar uljen e shpenzimeve të sektorit si e vetmja mënyrë për të ulur humbjet financiare, përballë faktit se qeveria refuzon të rrisë më tej çmimin e energjisë. Por nga totali i shpenzimeve, fatura e importit zë më shumë se gjysmën dhe ulja e shpenzimeve në këtë zë duket operacion i pamundur. Tenderi i fundit i energjisë elektrike solli çmime importi 16.5% më të larta sesa vitin e kaluar, shifër kjo më e lartë sesa rritja e çmimit të energjisë për konsumatorët.

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes thotë se kriminalizimi i vjedhjes së energjisë është në shqyrtim

OSSH: Burgu për vjedhësit, tani thjeshtë ide

“Ideja e ndjekjes penale për vjedhësit e energjisë elektrike është në shqyrtim dhe propozimi për masën e dënimit nuk është përcaktuar ende”, - deklaroi dje drejtori i përgjithshëm i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, Sahit Dollapi. Z.Dollapi tha se projekti është ende në shqyrtim te Ministria e Ekonomisë dhe Tregtisë dhe se propozimi final mbi masën e dënimit, nuk është hartuar ende.

OSSH deklaroi dje gjithashtu se ka përmirësuar ndjeshëm treguesit teknikë të kompanisë gjatë tre muajve të fundit. Humbjet në rrjet u ulën në 29.5% në qershor, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Z.Dollapi deklaroi gjithashtu se gjatë kësaj kohe është rritur faturimi i energjisë elektrike për konsumatorët biznes, si dhe janë rritur ndjeshëm arkëtimet nga konsumatorët familjarë.

Kriminalizimi i vjedhjes së energjisë elektrike është hapi i dytë i ndërmarrë nga shteti në përpjekje për të detyruar konsumatorin të paguajë energjinë që konsumon. Në vitin 2002, fatura e energjisë elektrike u shpall me ligj të veçantë Titull Ekzekutiv, gjë që i jepte të drejtë KESH të sekuestronte pajisje e mallra në rast se konsumatorët refuzonin të paguanin faturën. Kjo masë duket se nuk dha shumë rezultat. Vlerësohet se në Shqipëri rreth 20% e konsumatorëve të energjisë elektrike nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të paguar faturën. Një plan për të subvencionuar pjesërisht faturën e energjisë për të varfrit, duket se nuk ka dhënë shumë rezultat. Kompensimi duket se është përfituar nga ata që e paguanin edhe më herët faturën e energjisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›