Ushtarakët ne prokurori për të "spiunuar" Mediun
TIRANË- Të gjithë gjeneralët e Ushtrisë shqiptare që kanë pasur dijeni për tragjedinë e Gërdecit do të rithirren për të dëshmuar në prokurori por këtë herë për të “spiunuar” ish- shefin e tyre, Fatmir Mediu. Ushtarakët kanë dhënë dëshmitë e tyre për ngjarjen por prokuroria nuk ka pasur mundësi për t’i pyetur në lidhje me Mediun pasi ai gëzonte imunitet. Tashmë që Mediu është i zhveshur nga imuniteti, ushtarakët do të rishpjegojnë rolin e ish-ministrit Fatmir Mediu në ngritjen, furnizimin e deri te shpërthimi i punishtes së çmontimit të municioneve në fshatin Gërdec.
***
Burimet zyrtare pranë grupit hetimor, konfirmuan lajmin se hetuesit e kësaj tragjedie, menjëherë pas heqjes së imunitetit të deputetit Mediu nga Kuvendi, kanë filluar mbledhjen e provave dhe dëshmive kundër tij. “Disa ditë më parë, pranë zyrave të Prokurorisë së Përgjithshme, me kërkesë të hetuesve të tragjedisë së Gërdecit është paraqitur me një çantë ku mbante shkresa dhe dokumente zyrtare ish-drejtuesi i Komandës së Forcave të Bashkuara gjeneral Shpëtim Spahiu, i cili është pyetur vetëm për punën dhe urdhrat e ish-ministrit Mediu para ngritjes së punishtes, më pas në lidhje me furnizimet dhe pas shpërthimit të saj”,- thuhet nga burimet. Gjithashtu nuk i kanë shpëtuar pyetjes edhe stafi i ngushtë i ish-ministrit Mediu, si sekretari i përgjithshëm, ish-sekretari, shefi i kabinetit e tjerë bashkëpunëtorë të afërm të ish-ministrit Mediu. Mësohet se shkaku i marrjes në pyetje të zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes është mbledhja e provave dhe dëshmive ndaj ish-ministrit Mediu, pasi në pyetjet e tyremë të hershme nuk është mundur nxjerrja e të dhënave apo provave ndaj deputetit pasi ai mbante mbi supe imunitetin.
***
“Në kohën e marrjes në pyetje të ushtarakëve të Shtabit të Përgjithshëm dhe asaj të Ministrisë së Mbrojtjes, nuk kemi mundur të pyesim për punën dhe veprimtarinë e ish-Ministrit Fatmir Mediu, pasi ai mbrohej me imunitet dhe çdo e dhënë apo provë që mund të merrej në atë kohë do të ishte e pavlefshme. Për këtë arsye, nga asnjë dëshmitar nuk është kërkuar të japë shpjegime në lidhje me disa veprime të ish-Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Ndërsa, me heqjen e imunitetit nga parlamenti, neve na jepet e drejta e mbledhjes dhe marrjes së provave si shkresore ashtu edhe dëshmi të ndryshme në lidhje me punën dhe veprimtarinë e ligjshme apo të paligjshme të ish-ministrit Mediu”,-thanë burimet. Gjithashtu, po këto burime bënë të ditur se gjatë ditëve në vazhdim, me kërkesë të grupit hetimor të tragjedisë së Gërdecit priten të rimerren në pyetje thuajse të gjithë personat që kanë punuar afër ish-ministrit Mediu.
Sezoni i dytë
Ushtarakët në prokurori në vjeshtë
TIRANË- “Gjatë ditëve të verës, apo në fillimit të shtatorit do të rimerren në pyetje ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral lejtnant Luan Hoxha, ish-gjenerali Zija Baja, personat nën hetim Dashnor Çaushaj e Sokol Ngjeçi dhe tre të pandehurit e arrestuar, Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli dhe ish-drejtori i MEICO-së Ylli Pinari”,- thanë burimet e akuzës. Ndërsa, në lidhje me marrjen në pyetje të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, burimet sqaruan se “ai mund të merret në pyetje gjatë sezonit veror d.m.th.në muajt gusht ose në mesin e shtatorit kur të jenë pyetur të gjithë këto dëshmitarë të akuzës”. Sipas këtyre burimeve, mësohet se organi i akuzës, deri në ditën e heqjes së imunitetit të deputetit Mediu nuk ka kryer ndonjë veprim konkret për të gjykuar dhe analizuar punën e tij karshi tragjedisë së Gërdecit, pasi atë e mbronte imuniteti parlamentar. Ndërkaq, që nga dita e heqjes së imunitetit të tij, hetuesit kanë vazhduar në mbledhjen e provave dhe dëshmive të personave që kanë punuar me atë, para dhe gjatë ngritjes e punës së fabrikës së çmontimit të municioneve në fshatin Gërdec. Sipas këtyre burimeve, mësohet se vetëm tre ditë më parë, prokuroria i ka komunikuar akuzat e “vrasjes masive” ndaj tre të pandehurve të arrestuar dhe të dyshuar si përgjegjësit kryesorë për tragjedinë e Gërdecit mesditën e 15 marsit të këtij viti, ku nga shpërthimi humbën jetën 28 persona dhe mbi 300 të tjerë u plagosën.