E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Kartat e identitetit të shpërndahen brenda Prillit

 

TIRANË- Deputeti i PS-së, Kastriot Islami, shprehu dje pasigurinë për zhvillimin e zgjedhjeve brenda afatit kushtetues dhe me të gjithë infrastrukturën zgjedhore të përfunduar, ku kryesisht kishte parasysh listat e zgjedhësve të hartuara mbi bazën e regjistrit civil kombëtar, dhe kartat e identitetit.“Sipas dispozitave të ndryshuara kushtetuese zgjedhjet e ardhshme parlamentare normalisht duhet të zhvillohen jo më vonë se muaji qershor 2009. Nga ana tjetër, zgjedhjet e standardeve demokratike nuk mund të bëhen realitet pa reformimin e Kodit Zgjedhor dhe pa garantuar të gjithë infrastrukturën zgjedhore, pra pa pajisur çdo zgjedhës me kartë identiteti dhe pa hartuar listat e votuesve mbi bazën e regjistrit civil elektronik të përqendruar”, tha Ismali. Ai sqaroi sekonkluzioni i PS është se për zhvillimin e zgjedhjeve në afatin kushtetues dhe me të gjithë infrastrukturën zgjedhore, ekzistojnë vonesa të pajustifikueshme nga ana e qeverisë. “Më konkretisht për prodhimin e kartave të identitetit dihet vetëm data 1 janar 2009 për fillimin e prodhimit e shpërndarjes së tyre, ndërkohë që nga informacionet zyrtare apo publike ende nuk është e qartë se kur do të mund të pajiset shtetasi i fundit me kartë identiteti. Dhe a mund të realizohet kjo detyrë para fillimit të fushatës elektorale, që normalisht do të duhej të ishte fundi i prillit 2008 në rast se zgjedhjet zhvillohen në afatin kushtetues qershor 2009”, tha Islami. Deputeti i PS-së theksoi se nuk dihet ende numri i saktë i kartave që duhen prodhuar e shpërndarë. Për rrjedhojë nuk dihet se kur procesi i pajisjes së shtetasit të fundit me kartë identiteti do të përfundojë. “Nga media dihet se numri i kartave të prodhuara e të shpërndara në ditë nga kompania franceze “Sagem” në të gjithë territorin e vendit është, sipas kontratës së firmosur, 15 mijë karta në ditë. Por, është i turbullt informacioni sesa ditë në muaj do të punojë kompania franceze, për të bërë të mundur më tej të përcaktohet sesa karta do të mund të prodhohen e të shpërndahen realisht më 1 muaj”,- tha ai. Islami tha se në kontratën e firmosur me qeverinë shqiptare, kompania franceze ka vendosur rezervën se nuk mban asnjë përgjegjësi në rast se shtetasit nuk paraqiten për të dhënë informacionin e nevojshëm dhe për të tërhequr kartën e prodhuar. Ndërkohe që nuk ka zgjidhje të qartë nga ana e qeverisë për pajisjen me karta identiteti për zgjedhësit me banim jashtë vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›