E Shtunë, 31 Tetor 2026

Humnera morale dhe shumica e heshtur

GRID RROJI

Para disa ditëve u gjenda në vështirësi për tiu përgjigjur një pyetjeje në dukje të thjeshtë, që më bëri një miku im amerikan me eksperiencë në çështjet e Ballkanit: Çfarë është sot Shqipëria? Vështirësia ime për tiu përgjigjur pyetjes rridhte jo aq shumë nga dëshira për të qenë objektiv, sesa nga një dyzim të cilin besoj e përjetojnë të gjithë ata që duan të përcjellin një imazh pozitiv për Shqipërinë, pa u shndërruar në demagogë të rëndomtë. Një intelektual i vjetër shqiptaro-amerikan e ka përkufizuar shoqërinë e sotme shqiptare si  të dominuar nga klasa e re gjilasiane postkomuniste, ku qytetari nuk ia ka besën politikës e politika nuk i beson qytetarit. Të tjerë kanë një imazh më pozitiv të një vendi anëtar të NATO-s me një sistem politik funksional, edhe pse me probleme. Po atëherë si mund të përshkruhet në mënyrë racionale Shqipëria e sotme?
Në gjykimin tim sot ka një tendencë për ta njësuar shoqërinë  shqiptare me imazhin dëshpërues që jep politika, duke harruar që ekziston një nënshtresë e pazëshme njerëzish të cilët janë larg asaj mendësie. Kjo lloj tendence pasqyrohet edhe në raportet ndërkombëtare për Shqipërinë ku spikatin ngjyrat pastel, formulimet e dyzuara, shprehjet diplomatike dhe kollotumbat gjuhësore, por rrallëherë hasen implikime pozitive mbi shoqërinë shqiptare. Po të marrim për bazë raportet e BE-së për shembull, Shqipëria është një vend ku zgjedhjet janë më të mira se herën tjetër apo më të mirat të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri, por asnjëherë brenda standardeve europiane. Krijohet përshtypja se zyrtarët e BE-së mendojnë që standardet e mangëta demokratike të Shqipërisë, edhe pse problematike, duhet tu mjaftojnë shqiptarëve, sepse më mirë skemi pasur kurrë.
Ndonëse e fajësuar nga këto raporte për këtë gjendje, këto formulime i vijnë për shtat klasës politike shqiptare, e cila e sheh veten si epiqendra e zgjidhjeve të problemeve e, për rrjedhojë, gjithnjë ose në pushtet, ose shumë pranë tij. Dinamika e palëve politike është tashmë e njohur, kur janë në pushtet i mëshojnë përparimit ekonomik në krahasim me vitin 1990, lavdërojnë standardet demokratike të vendit etj., ndërsa kur dalin në opozitë çirren për vjedhje votash, standarde të dështuara e bëjnë farsa grevash urie. Ajo që bie në sy është ngjashmëria e teknikave retorike të palëve në kushte të njëjta, që sjell në përfundimin se me gjithë përplasjet në dukje të egra, objektivi i ruajtjes së statuskuosë mbetet shtyllë kryesore e veprimit të tyre politik. Me fjalë të tjera, cicërimat e Edi Ramës për qeverisje të korruptuar sot nuk ndryshojnë shumë nga tërsëllimat e Sali Berishës për klanin e Zemunit kur ishte në opozitë, ose shprehur artistikisht shumë zhurmë për asgjë. Të dyja palët e përdorin këtë lloj retorike për të demaskuar kundërshtarin dhe për të favorizuar grupet që i mbështesin, por jo për të luftuar realisht fenomenet negative apo paraqitur vizione të ndryshme. Politikanëve aktualë u volit sistemi i tanishëm, sepse ky i fundit e betonon pushtetin brenda një klike shumë të kufizuar dhe u garanton atyre të paktën mundësinë për të ardhur në pushtet, kur ndërkombëtarët velen me palën qeverisëse të radhës.
Ndërkaq, mosarritja e standardeve të dëshiruara demokratike nuk mund të mos jetë shfaqje e një rrënimi moral të shoqërisë. Përsëri po të nisemi nga premisat e sipërcituara (i.e. nga çfarë na shfaqet në sferën publike) Shqipëria është një vend ku mbizotëron etosi i hajdutërisë, krimit, përvetësimit të publikes, tradhtisë së çdo parimi për hir të parasë dhe dëshira për pasurim të menjëhershëm. Madje, këto antivlera të cilat e kanë zanafillën antropologjike tek njeriu i ri i Enver Hoxhës cilësohen si normale në një shoqëri, e cila ende mbart simptomat e diktaturës komuniste. Në diskutimin publik, shkohet deri aty sa të cilësohen këto spërdredhje morale si çmim i paevitueshëm i lirisë së fituar dhe faza rritjeje të çdo shoqërie. Në gjykimin tim, kjo mendësi justifikuese ndaj së keqes është në thelb të shthurjes shoqërore shqiptare të kësaj periudhe. Ky devijim nga normat morale tradicionale të një shoqërie normale i lejon politikës, ndër të tjera, të na shesë si legjitime mosnjohjen e krimeve të komunizmit, mostrajtimin e problemeve themelore kombëtare dhe shndërrimin e përplasjeve politike në ndasi krahinore, fisnore e grupesh kriminale. Të marra së bashku, fenomenet e mësipërme përfaqësojnë arsyet për të cilat Shqipëria, me gjithë zhvillimin relativ që ka përjetuar këto njëzet vjet, nuk po arrin të dalë nga dara e mendësisë puniste dhe po rrëshqet drejt një humnere morale. Siç pohon socio-politologu dhe gazetari Dejvid Bruks, rrënja e sëmundjes së një shoqërie nuk mund të shërohet me zgjidhje afatshkurtra politike (të tipit pragmatik), por kërkon një rimendim të të gjithë sistemit të vlerave të saj dhe rikthim në origjinën mbi të cilën është krijuar së pari fibra shoqërore e atij kombi.
Mirëpo, megjithëse përfaqëson një pjesë të realitetit, çka më sipër nuk përfaqëson tërësinë e shoqërisë shqiptare. Përkundër Shqipërisë meskine, pa skrupuj moralë e peng të luftës për pushtet që përfaqëson politika, qëndron një shumicë e heshtur e zhgënjyer nga zgjedhjet politike që i ofrohen, një shumicë që kërkon ripërtëritje morale të kombit, shoqërisë dhe mjedisit publik. Përkundër retorikës dhe sjelljes rrugaçërore të politikanëve që shahen me familje ditën e bëjnë marrëveshje për të ndarë plaçkën natën, qëndron një Shqipëri e zhgënjyer nga drejtuesit politikë që e përfaqësojnë e që kërkon zgjidhje afatgjata e dinjitoze. Përkundër Shqipërisë së marrë peng nga politikanë të cilët i ndajnë vetëm marrëveshjet me grupe të ndryshme kriminale, qëndron një Shqipëri që kërkon lirinë e vërtetë, ndarjen nga mentaliteti komunist, suksesin ekonomik nëpërmjet sipërmarrjes së lirë, një shtet të konsoliduar i cili të garantojë lirinë e jetës dhe pronës së qytetarit e të mos bëhet mburojë e rrënimit moral që servir politika. Përkundër Shqipërisë së Ramiz Alisë, Sali Berishës, Edi Ramës, Ilir Metës, Gramoz Ruçit, Skënder Gjinushit dhe veglave që gjallojnë në kënetën e  ndërtuar prej tyre, qëndron një Shqipëri e etur për të dalë më në fund nga qerthulli kriminal i postkomunizmit gjilasian. Një shoqëri që e kërkon dinjitetin jo te pasurimi përmes vjedhjes dhe demagogjisë, por te vendosja e një rendi, ku secili të jetë i lirë të jetojë e ndërtojë mirëqenien duke respektuar vlerat shqiptare. Shumica e heshtur nuk dëshiron që politika të jetë privilegj për një klikë të ngushtë, por shërbim publik i ushtruar me përgjegjësi. Kjo shumicë e heshtur beson tek parimi çërcillian se fati i njeriut nuk mund të mbetet pre e përllogaritjeve materiale, sepse në kohë të mëdha njerëzimi ndërgjegjësohet se jemi shpirtra dhe jo kafshë.
Duhet përmendur se vlerat njerëzore nuk mungojnë krejtësisht ndër politikanët aktualë. Ka individë, të cilët shqetësohen realisht për humbjen e vlerave në politikë. Mirëpo, zëri i atyre që ende i mbartin përbrenda këto vlera ose është shuar për hir të mbijetesës në politikë sipas parimit si është vendi, ashtu edhe kuvendi, ose është turbulluar nga mendësia e besnikërisë deri në vdekje ndaj udhëheqësit, mendësi e cila e lejoi Enver Hoxhën jo vetëm të terrorizonte një komb të tërë për një gjysmë shekulli, por edhe ta bënte këtë duke masakruar pabesisht e sistematikisht bashkëpunëtorët e miqtë e vet më të afërt.
Për tiu kthyer pyetjes fillestare së mikut tim amerikan si mund të përkufizohet sot Shqipëria? Besoj se përgjigjja më e saktë do ishte se përtej zhvillimit të pjesshëm ekonomik dhe rifitimit të një pjese të lirisë së humbur, Shqipëria është një vend ku vazhdon të zhvillohet një betejë e heshtur midis të bardhës e të zezës, morales dhe imorales, të drejtës dhe padrejtësisë, nderit dhe hajdutërisë. Nga njëra anë sot është politika, e cila për hir të përfitimeve nuk ng

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›