E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një shpresë e re po lind

ANDIS GJONI

Gjatë këtyre viteve të tranzicionit të pambarimtë shqiptar, mes mjegullës së politikës së kafeneve dhe kulisave, në mes të prapaskenave dhe vjedhjeve flagrante dhe fyerjes së dinjitetit tonë njerëzor deri në thelbin e identitetit kombëtar, asnjëherë më shumë se sot nuk kemi qenë pranë një ndryshimi rrënjësor që do ti jepte fund komedisë demo-anarkike të zhvilluar në skenën politike të Shqipërisë nga aktorët më të dobët e më të pacipë, që ka pasur ndonjëherë elita intelektuale shqiptare. Deri më sot kemi dëgjuar ankesa në shkrime pa fund se si nuk kemi një forcë politike të panjollosur nga llumi i politikës shqiptare, si nuk kemi një grupim që të mos mendojë për fitimet personale, por për të mirën e gjithë shoqërisë me një program të qartë në drejtim të përparimit dhe zhvillimit të vendit, si nuk kemi udhëheqës të papërlyer me grupet kriminale, të cilat në dy dekada po drejtojnë vendin dhe po ndajnë pasurinë e shqiptarëve si të ishin në çifligun e tyre. E pra, sot këtë justifikim nuk e kemi më. Por si,- do thoni ju,- arrita në këtë përfundim? Mendoj se matësi më i mirë i fuqisë dhe synimit pozitiv të një grupimi politik është tërbimi me të cilin e sulmojnë atë kundërshtarët e tij të inkriminuar, të vjetruar e të përlyer. Ky vëzhgim merr formën e një aksiome të vërtetë, po të kemi parasysh skenën politike shqiptare sa tribale, aq edhe të prapambetur. Më ka bërë përshtypje kohët e fundit që të gjithë shkarravitësit, kalemnxhinjtë, të pabesët e të pashpresët që kanë shkruar në fletushkat partiake e jo paritake, mediatike e jo mediatike, thashethemexhinjtë dhe përbaltësit e paguar e të përjetshëm të pushtetit të të gjitha epokave, të dështuarit dhe të mjeruarit e gazetarisë, janë sulur kush më shpejt e kush më shumë të hedhë baltë mbi një forcë të re, e cila ende nuk është zyrtarizuar, por që ka ngjallur një shpresë të harruar tek ne që në vitet e largëta të ndryshimeve demokratike. E kam fjalën për Aleancën Kuq e Zi. Unë personalisht nuk e njoh drejtuesin e saj Kreshnik Spahiu, por mësova për të nga mënyra se si kalemxhinjtë e sipërpërmendur e sulmuan. Mësova për integritetin e tij si njeri dhe politikan në përgjigjet që ai u dha. Mësova se si do jetë e ardhmja e kësaj force politike nga egërsia me të cilën kundërshtarët u munduan ta shtypin që në lindjen e saj. Si është e mundur që dy gjigantët e politikës të merren me një shoqatë, se deri para disa javësh AK ishte veçse një shoqatë patriotësh, e pra si është e mundur që Goliathët të merren me një David kaq të vogël? Përgjigjja vjen vetvetiu, nëse me një të klikuar futesh në internet në faqet e debateve dhe polemikave të gazetave shqiptare, dhe në to me një përqindje më se 60% lexuesit e shohin AK si një forcë të re, që do bëjë shumë në drejtim të ndryshimit të sistemit të qeverisjes në Shqipëri. E shohin AK si forcën e ndryshimit, si forcën e dinjitetit shqiptar të rivendosur në piedestalin që i takon. Një mbështetje e tillë nuk është parë që në fillimin  e viteve 90. Këto statistika i lexojnë më dridhje edhe Goliathët dhe shpejtojnë të nxisin qentë e tyre që të përbaltin sa më shpejt këtë David të sapolindur. Po ku e ka bazën ky optimizëm i qytetarëve dhe lexuesve? Mendoj se shoqëria jonë ka arritur në pikën e ngopjes. Ajo nuk e duron dot më kastën që i ka hipur në qafë prej 20 vjetësh dhe nuk po e lëshon. Kjo u duk edhe në zgjedhjet e fundit për Kuvendin e Shqipërisë, në të cilat të dyja forcat politike morën votat e militantëve të tyre, ndërsa një pjesë e madhe e popullatës as nuk u afrua fare në kutitë e votimit si pasojë e përbuzjes që ka për këtë klasë politike të papërgjegjshme dhe regresive. Ndonëse edhe në të kaluarën ka pasur lëvizje të tjera të paraqitura si alternativa për ndryshim si Partia G99, e cila rezultoi një flluskë sapuni si rezultat i boshësisë së ideve dhe mungesës së opsioneve për të ndryshuar tryezën politike shqiptare, përsëri këtu ka një ndryshim të madh midis dështakut llafollogjist Erion Veliaj dhe lëvizjes AK. Nëse lëvizja Mjaft, që më pas u konvertua në G99 (një emër sa i stisur, aq edhe jo domethënës), u mbështet në milionat e dhëna nga G.Soros për të fuqizuar zërin e fjalës së lirë dhe kërkesën e llogarisë ndaj pushtetit. Me një fjalë ishte një përpjekje që të përfaqësonte zërin e popullit, por që nuk u konvertua në një forcë të bindshme politike. Nga ana tjetër, AK është një lëvizje që e ka bazën tek populli dhe ka arritur të prekë ndjenjat e shqiptarëve duke filluar që tek emri. AK po përpiqet të japë me qartësi dhe transparencë rrugët e arritjes së ndryshimit, duke mos synuar asfare të bëhet pjesë e establishmentit politik ekzistues, por pikërisht duke u munduar që ta rrëzojë tërësisht këtë establishment të korruptuar, që e ka lënë Shqipërinë në pikë të hallit, pa asnjë shpresë ringjalljeje. Tri janë pikat e suksesit të padiskutueshëm të AK. E para është mbështetja e gjerë që ka dita-ditës, e dyta një transparencë e thellë në mënyrën e menaxhimit të fondeve, të cilat vijnë pikërisht si rrjedhojë e mbështetjes popullore, dhe e treta vizioni i cili bazohet gjithashtu tek aspiratat e gjithë shqiptarëve. Duke marrë në konsideratë edhe faktin që drejtuesi i saj vjen nga fusha e Drejtësisë, kjo gjë i jep një tjetër plus të madh lëvizjes.
Sigurisht që shumë shpejt AK do vijë me një program vizionar dhe alternativ për ndryshimin rrënjësor të politikës shqiptare. Megjithatë, të habit fakti që nuk ka ditë që të mos shkruhet kundër AK në ndonjë organ të shtypit, nuk ka ditë që të mos anatemohet a thua se ka faj vetëm për faktin se ka lindur, e bëjnë me faj vetëm për arsye se mbron me vendosmëri interesat e kombit shqiptar. Gjithë ky kor gjinkallash i ngjan atij moçalit të ndenjur, ku uji i politikës po qelbet prej vitesh. Pikërisht aty po begenis të ulet një shqiponjë, që pa dyshim do e trondisë moçalin me gjithë gjinkallat. Unë nuk e shikoj AK aspak si një forcë thjesht nacionaliste, por para së gjithash e shikoj si një forcë alternative ndaj ofertës së dështuar të binomit PD-PS. Nuk ka asnjë ligj në botë që të ndalojë një komb të përpiqet për të ardhmen dhe prosperitetin e tij, duke mbrojtur vëllezërit e të njëjtit gjak, gjuhe dhe tradite, të cilët me dhunë i janë shkëputur trungut të atdheut. Ky qëndrim nuk është nacionalizëm, ky qëndrim quhet aspiratë për drejtësi. A ka gjë më të lartë se të kërkosh përparimin e vendit tënd? E pra, kjo më së miri arrihet duke pasur një shtet të fortë e të bashkuar. Pra, një bashkim kombëtar nuk është nacionalizëm, është aspiratë për prosperitet. Bashkimi kombëtar është mundësia e vetme për të qenë një vend me dinjitet në familjen europiane, dhe jo një komb i ndarë në copa, në krahina dhe provinca sa më lehtë të kontrollueshme nga të tjerët. Të thuash që platforma e AK për bashkimin kombëtar shkon kundër interesave të vendit, është miopi politike. Shqipëria e ndarë sot është si ajo makina që motorin e ka në njërën anë, rrotat në anën tjetër dhe timonin në një anë tjetër. Ka ardhur koha ti jepet fund kësaj anomalie historike dhe të vendoset drejtësia përfundimisht për ne dhe gjithë Ballkanin. Braktisja e idealit të bashkimit kombëtar është tradhtia më e madhe që u është bërë interesave të vendit për hir të ruajtjes së pushtetit, duke iu servilosur Europës në këto 20 vite.
Shumë po flitet se Kreshnik Spahiu po e bën gjithë këtë zhurmë për një karrige në Kuvendin e Shqipërisë. Mendoj se në këtë rast analistët dhe përbaltësit gabohen. Nëse vazhdojnë në rrugën e suksesshme që kanë nisur, kam përshtypjen që AK dhe Kreshnik Spahiu do ti marrin të gjitha karriget e Kuvendit të Shqipërisë, duke i liruar ato nga të paaftët, hajdutët, kriminelët, puthadorët, kodoshët, të korruptuarit, gënjeshtarët, klounët dhe dështakët që kanë pushtuar institucionin më të lartë të demokracisë. AK do ti lirojë ato karrige nga zagarët e bindur të dy feudalëve të politikës shqiptare. Të gjithë të rinjtë dhe intel

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›