E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuajtja e një njeriu të madh

Share

Perikli Sheti

Nga Pëllumb Kulla Zef Mosi

Dy dite më parë, këtu në Nju Jork, pas një sëmundje të gjatë dhe të mundimshme të mushkërive vdiq kirurgu i shquar Perikli Sheti, i lindur në fshatin Vuno të Bregut në vitin 1932.

Zoti Perikli Sheti meriton këtë lajm dhe vëmendje publike në atdhe dhe në truallin amerikan për veprimtarinë e tij të gjërë dhe të suksesshme në fushën e mjekësisë, për vlerat e tij të jashtzakonshme në atë fushë, për miqtë e tij të shumtë tej e mbanë hapësirave ku janë përhapur shqiptarët e veçan për ata që ruajnë mirënjohje të pakufishme në rastet kur ai i ka prekur ata me bisturinë e tij magjike.

Por Perikli Sheti meriton këtë nekrologji të dhimbshme dhe si rast për të sjellë në dukje një karakter të jashtzakonshëm, në një jetë të pasur me dritëhije, me përkrahje të forta dhe me goditje ambicioze të fuqishme, me ledha dhe me trajtime të pamëshirshme, që janë pasoja të padiskutueshme të një karakteri të fortë në një shoqëri që karakteret i desh të uniformizuar në shkretëtirën që kish emrin Shqipëri enveriane.

Perikliu ishte i pasur në pasione, ishte këmbëngulës në arritjen e synimeve të tij. Djali vunjotas e fitoi pjekurinë në Tiranë duke kryer aty shkollën e mesme dhe duke punuar herë si çirak këpucari e herë si shërbyes në ca dyqane private zarzavatesh. Falë ca notave pozitive në rekuizitat e tij politike, aq të domosdoshme në ato kohëra, Sheti siguroi një bursë studimi të lakmueshme për në Moskë, në qendrën e Perandorisë. Pakënaqësia në këtë kënaqësi ishte se e drejta e studimit në Universitetin e Moskës ishte dhënë për në fushën e gjeologjisë teksa Peroja dëshironte me ashk atë të mjekësisë. Është e rrallë dhe një shëmbull prekës, përpjekja e tij dyplanëshe duke studjuar paralelisht në të dy fakultetet që pengonin njëri-tjetrin. Në fund të vitit të pare, pushimet verore ai ia fali Fakultetit të Mjekësisë duke dhënë aty teste dhe provime aq sa krijoi përqark rrethin miqësor dhe bindjen që ai do të jepte më shumë po ta braktiste gjeologjinë. Përfundoi studimet për mjekësi në mënyrë të shkëlqyer dhe u kthye në Tiranë me kredenciale të arta. Pas dy vjetësh pune në pavionët e kirurgjisë, ai u rikthye në Moskë për një gradë shkencore edhe më të lartë, përsosje që i mori dhe tri vjet të tjerë studimi, praktike dhe profesorati në fakultetin nga pat dalë.

Sirenat nisën këngën. Të huajt që lidheshin me Moskën u vunë në dijeni mbi talentin e veçantë dhe ende pa mbaruar aspiranturën, dy tre oferta të rëndësishme perëndimore trokitën në dyert e Perikli Shetit.

Por Peroja ishte një shqiptar nga ata kokëshkretët. Ndërkohë ishte bërë komunist i thirur nga ca sirena të tjera me këngë idealiste atdhetare dhe nuk desh ta ndërronte Shqipërinë me asnjë vend tjetër.

Jepte mësim në Universitet e Tiranës, kryente operacione të një vështirësie të lartë dhe sidomos rrezatonte talent dhe devocion të jashtzakonshëm për profesionin e tij. Tregojnë se një studente e një herë deshi të dinte se çfarë dashuronte profesori më shumë E menjëherëshme përgjigja e tij: kirurgjinë dhe një vajzë!

Dhe dashurinë ndaj vajzës së zgjedhur e trupëzoi në një lidhje të gjatë deri sa dha frymën e fundit para syve të saj të pikëlluar. Kozara, bashkëshortja e tij i dhuroi dy fëmijë të cilët më vonë këtu në truallin amerikan i dhuruan dhe ata nipër dhe mbesa.

Duke lënë këtë kapërcim kohor mënjanë duhet thënë se sukseset e Perikliut në fushat e dashurisë që përmendi u bënë të rrezikshme, pasi vlerat e mëdha të njeriut sjellin gjithmonë dhe rreziqet më të mëdha. Kozara ishte e papërshtashme komunistikisht për një njeri si Perikli Sheti. Presionet për tu shkëputur nga e fejuara me biografi atërore të prishur revizioniste shfaqën shënjat e para të papërkulshmërisë dhe natyrën rebele të kirurgut të talentuar. Ky motiv zyrtar për ta larguar nga mejdani i kirurgjisë së lartë ishte fuqizuar së tepërmi nga motivet e pabesa dhe të fshehura të ambicieve profesionale.

Kështu Perikli Sheti u dërgua në Elbasan dhe operacioni i pare atje ishte martesa me Kozaren.

Pastaj vijoi puna e tij e përkushtuar në Spitalin e Elbasanit, vijuan ndërhyrjet e suksesshme kirurgjikale, dyndjet në kërkim të dorës së tij, pacientat e Bregut që nuk shkonin më të trokisnin në Tiranë, por në qytetin në kërthizë të Shqipërisë. Kushuriri dhe kolegu i tij kardiolog, Kristaq Pavli që nuk rrinte pa e vizituar Peron sa herë vinte në Nju Jork, kujton episode të shumta të luftës së egër që i bëhej, të ndërhyrjeve të tij të magjike kirurgjikale. Doktor Pavli tregon sesi gjatë një operacioni kirurgu ynë pati një shpërthim hemoftizie për shkak të sëmundjes së tij shumë të hershme të mushkërive, – nga e cila edhe vdiq, – dhe ai nuk u tërhoq pa e mbaruar punën që kish filluar. Piro Mani, si shok i brezit të tij, me njohje të hershme që nga vitet e gjimnazit, duke pirë me të kafe në lokalet italiane të Kuinsit, i kujton natyrën rebele dhe i përmend sidomos një episod nga vargu i ngacmimeve për shkak të kushteve politike në përkeqësim e sipër. Piroja që peshkon ngjarjet spektakulare me aromë të Pamjes nga Ura tregon se si acarimi në një kafe të Elbasanit degjeneroi në gjaksim: doktor Sheti paska lënë kafenë përgjysëm dhe me një shishe aty pranë e ka goditur provokatorin. Pastaj qetësisht telefonon në spital ti dërgonin ambulancën për një të aksidentuar, paguan kafenë dhe vërejtjes së banakierit se e pat lënë filxhanin përgjysëm i thotë nuk kam kohë, se do të shkoj ta qep atë plagën që hapa

Trajtimi i egër politik, privimi i fëmijve nga të drejtat e studimit preknin shumë ndjenjat prindërore të zotit Sheti. Ndaj i zhgënjyer nga jeta ishte nga të parët që emigroi familjarisht në fillim në Itali e përfundimisht në ShBA.

Rastësisht, falë një artikulli në një revistë kaliforniane, me të dhëna nga të kaluarat shkencore të Moskës, ku zihej në gojë dhe emir i doktor Shetit, u bë e mundur që ky të mbyllte jetën në praktikën mjekësore në Nju Jork Universiti Hospital me autoritetin e pacënuar të një mjeku me përvoja të largëta por gjithsesi, me merita të padiskutueshme.

Ikja e mikut tonë Perikli Shetit na le një pikëllim të thellë, por na kujton se duhet të jemi fatlumë që gëzuam miqësinë e tij.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›