E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trashëgimia apatike e ish-Bashkisë

11-03-2012 / Nga Kostaq Xoxa

“Unë nuk jam polic!”

Nja tetë muaj më parë, një gazetare pati kurajën t’i bënte një pyetje delikate ish-kryetarit të Bashkisë, E. Ramës. Pyetja kishte të bënte me shqetësimin e banorëve të Tiranës, për pusetat pa kapak të kudogjendura në rrugët e Tiranës. Ajo gazetarja, - e hapi që e hapi gojën, kishte thënë edhe se në njërën nga këto puseta, pikërisht në anë të trotuarit përballë shkollës Fulc, i vëllai i saj kishte parë një automobil të cilit i kishte plasur goma e makinës, që kishte rënë në gropën e hapur të pusetës, sepse ishte anuar djathtas për shkak të një makine që po i parakalonte majtas, në kahen perëndimore të Unazës. Kemi thënë se vajza kishte „pasur kurajën“, sepse  ish-kryebashiaku i atëhershëm s’ta përtonte edhe një përgjigje mujshare, - që të mos përdorim fjalën e huaj “prepotente”-. Njihet kapadaillëku i tij, në rastet kur pyetjet i dukeshin si provokuese. Këto të fundit kishin të bënin me Sahatin që u bë problematik, e kishte mbetur  si një shëmbëlltyrë paralitike për një kohë vërtet tepër të gjatë. Apo po të flisje për një arnim, që mund t’i bëheshin gropave përreth ministrive; jo vetëm se ishte qendra e qendrës së kryeqytetit, por edhe për arsye funksionale. Makinat medoemos do të duhej të lëviznim me hapa breshke, për të mos nxjerrë jashtë përdorimit ndonjë amortizator. Por kishte edhe një arsye të tretë: Pengohej qarkullimi rrugor, siç u rëndua edhe më tepër kur u grumbulluan pirgje dheu dhe puna bëhej nga një apo dy veta, që mbështeteshin mbi kazmë apo mbi lopatë, se këta punëtorë e dinin më mirë se ish-kryetari se ishin vënë “pro forma”! Por dukej se Edi ishte në orë të mirë. Kështu, ajo gazetarja e kurajshme u lá e u shpëla  me një përgjigje të shkurtër:”polic më bën mua, që të ruaj pusetat?”.
Ai donte të thoshte se s’kishte kohë që të merrej edhe me punë të tilla? Por kjo thënie nuk i përgjigjej së vërtetës, meqë ai e shikonte bashkinë, në atë kohë, me dylbi.  Shumëkush e mban mend sesi kishte bërë një premtim “solemn”, në fushatën zgjedhore, kur u zgjodh kryetar bashkie për herë të parë, me rival S. Ngjelën: Kishte deklaruar se do të ishte në bashki, pa luajtur nga ajo tërë ditën e bekuar! Nejse. Kjo hyri në  rubrikat e disa prej fushatat elektorale, por jo në deklaratat e kryetarit të sotëm, L. Bashës, që e ktheu fjalën në premtim të mbajtur, si edhe të gjitha ato gjëra që u përballuan me shumë skepticizëm nga disa ithtarë të ish-kryetarit, sepse  po  shohim sesi i rri punës përsipër natë-ditë kryetari i ri dhe sesi ua mbylli gojën mosbesuesve,  për ato çudi shndërrimesh që gjithkush  do të mahnitej me atë shndërrim të paimagjinueshëm, me ardhjen në Tiranë të celebriteteve të arkitekturës urbane, në rang botëror... U tharmuan ato kërkimet e qimeve në përpeq, jo po ku do të gjenden paret, jo po si do të bëhej një foto nën piedestalin e heroit kombëtar, Shënderbeut, jo po si do të zhbllokohej  trafiku, jo po... jo po....U harrua edhe një thënie e një megalomani, se votat për kryebashkiak dikur i kishte marrë ai, por tjetër punë se fitoi Rama. Kjo kishte kuptimin se ky ia kishte vjedhur votat rivali i tij. Por duket se me kaq - dhe kishte kafshuar gjuhën, - sepse tashmë iu bë aleat atij të cilin e kishte marrë nëpër gojë, paçka se s’kishte mundur të dilte dot as deputet!
***
Tani, andej nga ora 21, më doli befas një emision që më zgjoi kërshërinë. Ishte një humor për disa të meta që vëreheshin aty-këtu. Interpretuesi dhe interpretuesja, të vetmit që drejtonin këtë program, këtë herë u morën me çështjen e pusetave dhe të rrugëve, të cilave kryetari Basha u kishte gërmuar asfaltin dhe ishin krijuar ca si vaska të thelluara 5-7 cm. për të bërë rregullime në trajtë riasfaltimi, që të ishin të qëndrueshme për një kohë të gjatë. Jo të mbeteshin si mballosje provizore të së shkuarës, që u bënë dy e tri herë. Sepse nuk i qëndronin asfare kohës dhe krijoheshin gropa që mbeteshin pa u vënë dorë në to. Po sa shumë kishin qenë këto të shkreta rrugë, mor jahu, kur njerëzit merrnin përgjigje se ishin bërë të gjitha rrugët e Tiranës!
Mos të harrojmë t’i urojmë programin e ri, emisionit televiziv.
Dhe vijmë prapë te pusetat. Ç’është e vërteta, pamë rrugë të reja, me puseta të vjedhura! Ky realitet u përcoll me gjuhën e humorit. Ishte vetëm një pasqyrim i një dukurie, që të bënte të mendoje, kur i shihje ashtu vargan pusetat metalike në trajtë drejtkëndëshi, që numëroheshin një, dy, tri, katër pesë, njëra pas tjetrës. Prapë të shkonte mendja në pusetat e hershme, siç e kemi cekur në fillim të këtij shkrimi. Ishte fjala për  të  mos bërë muhabete me policë! Se kjo u shkonte atyre që s’kishin ç’të bënin dhe tundnin derën... Që në kohën e Bashkisë paraardhëse, mund t’i jepej një sugjerim kryetarit të Bashkisë, që do të ishte i dobishëm edhe për ditët e tanishme. Por të kuptohej, amà, që ishte vërtet një problem me pasoja, jo vetëm ekonomike, por edhe abuziv dhe i paskrupullt prej keqbërësve  që nxirrnin lëndën e rëndë për skrap. Dhe të mos flitet as atëherë, as tani, se duhen parë me sentimentalizëm dukuri të tilla në një vend të varfër. Sepse ata që merreshin me vjedhje të tilla, sipas një eksperti të vlerave të çmimit të shitjes së këtij materiali të gatshëm për shkrirje, ishte tepër fitimprurës, për guximtarët. Pastaj për çimka nuk ka vuajtur kurrë e majta jonë. Disa nga policët bashkiakë, të veshur civilë mund të viheshin në rojë të këtyre objekteve, pré e vjedhjes së pandërgjegjshme, sepse mund të shkaktoheshin edhe aksidente me jetë njerëzish.  Mjafton që të kapeshin katër-pesë me presh në duar nga këta keqbërës, të ndihmuar edhe nga policë muskulozë që t’i fusnin në furgon e të përfundonin në gjyq me një dënim relativisht të rëndë, qoftë edhe me gjashtë muaj gjer në një vit privim lirie, pa të shihje nëse do ta kishte më një guxim të tillë dikush tjetër. Fëmijët, jo se jo, po të kemi parasysh peshën e rëndë të kapakëve të pusetave, rrethore apo, aq më keq, drejtkëndëshe. Frika e ruan vreshtin! Nga ana tjetër, pusetat nuk hahen. Ato shiten. Dhe vendshitjet mund të bëhen objekt gjurmimesh. Mund të ketë edhe mënyra të tjera. Si do të edukohen përfitues që zhdukin në seri, njërën pas tjetrës, një numër i njëpasnjëshëm pusetash?
Sa për kryebashkiakun e tanishëm, drejtuesit e programit, siç thamë, bënë vetëm pasqyrim dhe nuk u futeshin në shpjegime. I vetmi shpjegim që dhanë ishte se z. Lulzim Basha kishte premtuar se brenda një muaji nuk do të linte gropë pa puset, ndërsa kishin kaluar vetëm dy javë. Atëherë duhet të presim edhe dy javë të tjera. Ndërkaq do t’i gjendet zgjidhja edhe mënyrës që lënda e parë e re për skrap, të mos pësonte fatin e të vjetrave. Mbase mund të bëhet edhe një vidhosje, që të mos themi edhe mbyllje me dryna, me çelësa me dispozicion të ekspertëve bashkiakë të ujë-kanalizimeve. Edhe ai që ka një biçikletë, nuk e lë të hapur këtu, në vendin tonë, përderisa nuk e lë të hapur as në Gjermani, siç e kam parë me sytë e mi! Por atje kam parë edhe biçikleta që i lënë hapur. Tepër rrallë. Jo vetëm çështje pasurie, por edhe edukate. Edukimi bëhet edhe përmes një zbatimi të një ligji që s’bën lëshime. Zoti Basha, që po bën mrekullira, nuk  do të lejojë që paret e Bashkisë, apo edhe të investitorëve, të mos kursehen kur tha se asnjë shpërdorim nuk do të lejohet. Sado i vogël. Dhe unë, si edhe të gjithë ata që e votuan gjerësisht me votë e jo me kauçuk, kemi besim te fjala e tij. Pavarësisht se kemi një përvojë të kaluar të hidhur edhe në këto të ashtuquajtura kursime të vogla.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›