Hungarezët demonstrojnë kundër Kushtetutës së re

Në kryeqytetin hungarez, Budapest, dhjetëra mijëra njerëz kanë demonstruar kundër Kushtetutës së re të vendit. Ata kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit konservator me orientim të djathtë, Viktor Orban.
Kryeministri hungarez në të njëjtën kohë ka marrë pjesë në një ceremoni për Kushtetutën e re, që hyri në fuqi më 1 janar.
Kjo Kushtetutë ishte miratuar në prill të vitit të kaluar, me ç’rast opozita ka votuar kundër.
Sipas vështrimit të kritikëve, aty kufizohen të drejtat e Gjykatës Kushtetuese dhe cenohet pavarësia e shtypit dhe e drejtësisë.
Pak para ndërrimit të viteve, Parlamenti miratoi ligje të tjera, me të cilat kufizohet po ashtu pavarësia, ndër të tjera e Bankës Qendrore dhe u ndryshua ligji për zgjedhjet në favor të partisë qeverisëse Fidesz.