Hungari, Pecs, kryeqyteti europian i Kulturës per 2010
HUNGARI- Në Pecs mëse 20.000 njerëz festuan shndërrimin e qytetit në Kryeqytet të Kulturës Europiane për Vitin 2010 me një mbrëmje festive me kërcime dhe muzikë. Pecs ndodhet rreth 200 kilometra në jug të kryeqytetit hungarez, Budapest, pranë kufirit me Kroacinë. Ky qytet universitar, i famshëm për kompaninë e prodhimit të porcelaneve Zsolnay, këtë vit e ndan titullin me qytetin gjerman Esen e qytetin turk Stamboll. Kryeministri hungarez Gordon Bajnai tha se këtej e tutje vendi do të kishte dy kryeqytete. Ai shpreson se ky qytet do të korrë sukses në të ardhmen. "Pas një periudhe të gjatë të mbushur me vështirësi tashmë jemi gati të vëmë në zbatim programin tonë kulturor në qytetin Pecs. Falë investimeve të stërmëdha dhe organizimit ky proces mund të shërbejë edhe si mësim për të gjithë ne" tha Bajnai.Sipas kryebashkiakut Zsolt Pava ky është një moment historik për qytetin pasi është i pari qytet hungarez që shndërrohet në Kryeqytet të Kulturës. "Kjo është hera e parë që ndodh diçka e tillë. Për Hungarinë është një periudhë e re, një territor i panjohur. Në përfundim të këtij procesi e në fillim të një periudhe të re ne mendojmë se kemi bërë një punë të shkëlqyer" tha ai.Ky projekt ka një kosto të përgjithshme prej 6.85 milion Euro. Disa qytete të tjera europiane ndihmuan në zbatimin e këtij projekti. "Kryeqyteti Europian i Kulturës është një institucion ndërkombëtar. Ne punojmë së bashku me një sërë vendesh europiane e më gjerë. Shpresoj që zyrtarët e Bashkimit Europian do të jenë të kënaqur nga puna jonë" tha drejtuesja e kompanisë organizuese të këtij aktiviteti, Rita Rubovszky, duke shtuar se Hungaria nuk kishte parë kurrë një shembull të tillë bashkëpunimi ndërkombëtar në të kaluarën. Moto "Qyteti Pa Kufi" përfaqëson vendin e tij në kontinentin europian. Ceremonia një-orëshe shpalosi trashëgiminë kulturore të këtij qyteti. Gjatë ceremonisë u ngjitën në skenë mëse 1,000 interpretues, përfshi këtu kompaninë e baletit të qytetit, mjeshtra marionetash si dhe trupën e baletit tradicional dhe yje të muzikës pop në Hungari. Shfaqja arriti kulmin në çastin e hedhjes së fishekzjarreve dhe ndezjes së dritave lazer. Piktura të realizuara nga Tivadar Csontvary Kosztka e Victor Vasarely, dy artistë të famshëm të këtij qyteti, u projektuan në muret e xhamisë turke në sheshin kryesor të qytetit. Sipas organizatorëve do të zhvillohen mëse 450 aktivitete kulturore, koncerte, kërcime e festivale filmi si pjesë e jetës kulturore në këtë qytet. Këtu përfshihet edhe interpretimi nga ana e artistit irlandezo-amerikan Michael Flatley si dhe serbo-boshnjakut Goran Bregovic e orkestrës së tij. Pritet që mëse një milion vizitorë nga mbarë bota të mbërrijnë në këtë qytet.(s.t/BalkanWeb)