Indonezi, femijet mesojne kercimet tradicionale
INDONEZI- Dy herë në javë rreth 65 djem e vajza mblidhen në studion e thjeshtë të kërcimit të Mimi Rasinah në qytetin bregdetar Indramaju, në Javan Perëndimore, Indonezi, për të marrë mësime për shtatë tipe kërcimesh tradicionale me maska. Mimi Rasinah, në të 90-at, është e vetmja koreografe e mbetur gjallë që i përcjell këto kërcime tek brezat e rinj. Mbesa e saj 23 vjeçare, Aerly, tashmë iu mëson adoleshentëve lëvizjet energjike të këtyre kërcimeve tradicionale. Kërcimtarët, të veshur me kostume të shndritshme në ngjyrë të verdhë e të kuqe, interpretojnë nën ritmet e muzikës tradicionale e cila luhet nga orkestra Gamelan. Instrumentat e kësaj orkestre janë të punuar me bambu e lëkurë dhie. Duke përplasur duar, lëvizur shpatullat e duke u hedhur ata kërcejnë si luftëtarë guximtarë të dalë nga historia tradicionale Uajang.Aerly tha se mungesa e interesit nga ana e publikut po bën që këto lloj kërcimesh të zhduken pak e nga pak. "Ne kërcejmë nëpër rrugë në përputhje të plotë me ligjet pasi kemi marrë lejen e nevojshme nga autoritetet lokale. Përveç rrugëve ne kërcejmë gjithashtu nëpër salla të vogla kërcimi. Ne duhet të gjejmë rrugë të reja për të mbijetuar pasi këto lloj kërcimesh po mbeten gjithnjë e më shumë në hije" tha Aerly. Ky grup interpreton në rrugë të paktën një herë në muaj. Aerly është optimiste në lidhje me mbijetesën e këtyre kërcimeve pasi një numër i madh të rinjsh shfaqin interes për to. "Mua më pëlqen të kërcej, sidomos kur kërcejmë në prani të një numri të madh njerëzish" tha tetë vjeçarja Vina.Studentët, shumica fëmijë peshkatarësh ose bujqish që jetojnë nëpër rrethina, paguajnë 0.5 dollarë në javë për të mësuar këto kërcime.Babai i Rasinah nisi t’i mësonte të bijës këto kërcime tradicionale kur ajo ishte shtatë vjeç e më pas ajo shëtiti nëpër botë duke dhënë shfaqje. Në vitin 2005 Rasinah, e cila është e verbër nga njëri sy, pësoi një paralizë të pjeshme në anën e majtë të trupit. Megjithatë ajo vazhdoi të kërcente me krahun e djathtë. Përmes një ritual të shenjtë dy vjet më parë Rasinah ja përcolli traditën e mësimdhënies mbesës së saj, Aerly. "Jam e gëzuar që kaq shumë të rinj janë të interesuar për këtë kërcim. Në kohën time ishte e vështirë t’i nxisje njerëzit të kërcenin" tha Rasinah. (s.t/BalkanWeb)