Hungari, falimenton kompania e fluturimeve Malev
Kompania hungareze e fluturimeve, Malev, ka falimentuar. Pas disa dhjetëvjeçarësh fluturime në qiejt e të gjithë botës, avionët e Malev nuk janë ngritur sot nga pista. Pavarësisht përpjekjeve, kompania nuk ka arritur ta kalojë krizën që ka prekur këtë sektor.
Malev ka rreth 2600 punonjës dhe realizon 40 për qind të fluturimeve që kryhen nga aeroporti Ferenc Lisztdi në Budapest, kryqeyteti hungarez që pret çdo vit një numër të madh turistësh.
Pas privatizimit në vitin 2007 nga një grup rus, Malev u kthye në duart e qeverisë hungareze në vitin 2010.
Ndërkohë, pasagjerët e linjës Malev, e cila vetëm ditën e sotme duhej të kryente mbi 60 fluturime, nuk janë informuar për falimentin e menjëhershëm. Lajmi për falimentimin e kompanisë është dhënë vetëm në faqen e saj zyrtare.
Pas situatës së krijuar, operatorët italianë janë angazhuar për të ndihmuar pasagjerët e mbetur nëpër terminale.
Problemi i kompanisë Malev është bërë i zakonshëm kohët e fundit për linjat e fluturimit. Në mungesë të likuiditetit, furnitorët u kërkojnë kompanive parapagim, gjë që ka boshatisur llogaritë e Malevit, por edhe të kompanive të tjera që kanë dalë nga skena kohët e fundit.
Përgatiti: Gazmira Ndoja