Sarandë, policia ndalon pesë të kërkuar
SARANDË- Pesë persona të kërkuar për vepra të ndryshme kanë rënë në prangat e policisë së Sarandës. Forcat e Komisariatit të Sarandës kanë ndërmarrë një operacion të gjerë për gjetjen e vendstrehimeve të këtyre shtetasve dhe më pas ndalimin e tyre. Policia ka vënë në pranga shtetasin Bujar Shero, 53-vjeç, banues në Konispol. Ai ishte shpallur në kërkim nga policia pas vetëvrasjes së gruas së tij, Inajete Shero, në 26 nëntor 2011. Policia dyshon se 52-vjeçarja Shero, i ka dhënë fund jetës pas dhunës sistematike të ushtruar nga bashkëshorti i saj, për të cilin gjykata e Sarandës ka vendosur masën e sigurisë Arrest në burg pa afat.
Në prangat e policisë së Sarandës ka rënë i shumëkërkuari Adriatik Xhini, 20-vjeç, banues në Ksamil. Ky shtetas, sqaron policia, është dënuar nga Gjykata e Sarandës me burg, për plagosjen rëndë të një shtetasi në Ksamil. Operacioni i policisë është shtrirë edhe në Delvinë, ku është kapur Ardit Alizoti, 23-vjeç, banues në këtë qytet.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga policia e Sarandës, në 4 janar 2012, pasi në këtë datë, ka shkatërruar banesën e shtetasit S.Bakullati, në qytezën e Ksamili. Ndërkohë në prangat e policisë kanë rënë edhe dy të kërkuar për vjedhje. Ded Deda, 23-vjeç, nga Laçi, është një tjetër I kërkuar që ka rënë në pranga. Ai është dënuar nga gjykata e Sarandës me 9 muaj burg për veprën penale të vjedhjes.
Ngjarja për të cilën akuzohet Deda, ka ndodhur në 11 shkurt të vitit 2011, kur Deda i ka marrë shtetasit me iniciale Z.F, në Sarandë, një shumë prej 220 euro dhe 328 mijë lekë. Në ditët e fundit të muajit janar, policia e Sarandës ka kapur edhe 50-vjeçarin nga Memaliaji, Xheladin Tana. Ky I fundit dyshohet për një vjedhje të kryer në Sarandë dhe për këtë gjykata e këtij rrethi ka caktuar masën e sigurisë Arrest me burg pa afat. Të pestë shtetasit e kapur janë shoqëruar në Komisariatin e Sarandës në pritje të njohjes me vendimet që Gjykata e Sarandës ka caktuar ndaj tyre.
Shpresa DINE