E Diel, 1 Nëntor 2026

Totozani familjeve rome: Po punojmë për një zgjidhje dinjitoze

Avokati i Popullit, Igli Totozani, u ka premtuar sot familjeve rome se institucioni që ai drejton do të punojë për zgjidhjen dinjitoze të problemeve që shqetësojnë këtë komunitet. Totozani ftoi familjet rome të mbledhura sot para institucionit që të kthehen në shtëpi, ndërkohë që punohet për gjetjen e një zgjidhjeje.

Ndërsa në lidhje me 8 familjet rome që janë strehuar brenda ambienteve të Avokatit të Popullit, Totozani u shpreh se po punohet për gjetjen e një strehimi për ta. Ende nuk kemi një përgjigje. Po punojmë me Bashkinë e Tiranës për të gjetur një zgjidhje. Besoj se ky do të jetë viti i këtyre qytetarëve. Kjo lindi si çështje emergjence, por doli një problem që ekzistonte prej vitesh, tha ai.

Pas strehimit të 8 familjeve rome 3 ditë më parë të institucioni i Avokatit të Popullit, të tjera familje u janë bashkuar atyre sot.

Me shpresën për zgjidhjen e problemit të strehimit, familjet rome, kryesisht gra dhe fëmijë, janë mbledhur nga zonat e ndryshme të kryeqytetit në oborrin e Avokatit të Popullit.

Kemi ardhur për strehim. Të mos bëhen dallime race, thonë ata duke u shprehur se Avokati i Popullit është i vetmi institucion që nuk i ka përzënë, por u ka hapur dyert.

Romët kanë kujtuar premtimet për strehim të kryebashkiakut Basha gjatë fushatës së zgjedhjeve të 8 majit. Ku janë premtimet për pallate. Kemi kaq vite që bëjmë dokumente për strehim. Lulzimi na tha që nëse unë marr votën, ju merrni shtëpi, shprehen ata.

Rreth 50 kryefamiljarë romë kanë depozituar sot ankesat e tyre në institucionin e Avokatit të Popullit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›