E Diel, 1 Nëntor 2026

“Hungaria do të përkrahë Shqipërinë, në rrugën e duhur drejt BE-së”

Kryeparlamentarja Topalli, takon Presidentin hungarez, Solyon

Shqipëria po ecën me hapa të shpejtë drejt integrimit në strukturat evropiane dhe  Hungaria, si vend anëtare e BE-së, ka vullnet të plotë për ta mbështetur vendin ballkanik në proceset integruese. Kështu u shpreh Presidenti i Hungarisë Laszlo Solyon gjatë një takimi të zhvilluar dje me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli.
Presidenti hungarez u shpreh i impresionuar për hapat e ndërmarra nga Shqipëria në drejtim të përafrimit të shpejtë më BE dhe për të garantuar stabilitetin dhe paqen në rajon. Pasi vlerësoi progresin e shënuar nga Shqipëria në reformat si dhe politikën e saj të lavdërueshme për paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë, presidenti Solyon garantoi vullnetin e plotë të Hungarisë për të përkrahur Shqipërinë në rrugën e integrimit.
“Hungarisë ka vullnetin e plotë për të mbështetur Shqipërinë, në proceset integruese si nëpërmjet marrëdhëniet bilaterale ashtu dhe ato shumë paleshë. Shpresoj ta shoh  Shqipërinë në një të ardhme sa më të afërt, pjesë të Bashkimit Evropian”, u shpreh ai, duke shtuar se Hungaria është e vendosur të kontribuojë konkretisht në këtë proces nëpërmjet thellimit të bashkëpunimit dypalësh në fushën ekonomike, shkëmbimit të eksperiencave, trajnimit të administratës shqiptare, si dhe asaj ushtarake.
Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli shprehu mirënjohjen e thellë për inkurajimin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që Hungaria i jep Shqipërisë në proceset integruese, duke qene vendi i parë që ratifikoi MSA të Shqipërisë me BE, dhe Protokollin e NATO për anëtarësim të vendit tonë, si dhe duke vijuar me përkrahjen e palëkundur në procesin e liberalizimit të vizave.
Për sa i takon çështjes së liberalizimit të vizave, kryetarja e Kuvendit theksoi se “Shqipëria po kalon një moment shumë të rëndësishëm dhe ajo po punon shumë seriozisht dhe me përkushtim në plotësimin e standardeve të kërkuara”.
Në këtë kuadër, kryeparlamentarja Topalli, veçoi rezultatet e kënaqshme në prodhimin dhe shpërndarjen e pasaportave biometrike si dhe arritjet në kontrollin e kufijve.
“Nuk mund të ketë integrim të rajonit tonë në këto kohë të globalizmit, duke bërë dallim në lëvizjen e lirë të njerëzve”, Topalli.
Më tej, gjatë bisedimit të dy autoritet e larta u ndalën në zhvillimet e fundit në Shqipëri, kryesisht duke iu referuar bojkotit të Partisë Socialiste, ku Kryetarja e Kuvendit theksoi se në Shqipëri si në asnjë vend tjetër evropian shumica e djathtë dhe kryeministri Berisha ka ofruar të gjitha hapësirat ligjore e kushtetuese për opozitën në realizimin e kërkesave të saj. Duke u ndaluar në këtë pikë, bashkëbiseduesit theksuan se bojkotimi i Kuvendit nuk i shërben interesave madhore në procesin e integrimit evropian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›