E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Marrëdhëniet tona me SHBA, strategjike për stabilitetin në gjithë rajonin”

Ministri i Jashtëm Meta, me delegacionin amerikan të Biznesit për Çështje të Sigurisë Kombëtare (BENS)

Gjatë takimit me delegacionin amerikan (BENS – Business Executives for National Security) të kryesuar nga Gjenerali Çarls Boyd, ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta deklaroi se marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA, mbeten strategjike për forcimin e stabilitetit në rajon.
Në takim ku mori pjesë edhe Ambasadori i SHBA në Shqipëri, Xhon Uidhërs, u diskutua rreth çështjeve që lidhen me rolin e Shqipërisë për sigurinë rajonale, kontributin e saj në Afganistan, integrimin e plotë të Shqipërisë në BE dhe rreth perspektivave që lidhen me rolin e investitorëve amerikanë në Shqipëri. 
Meta e vlerësoi vizitën e delegacionit BENS në vend dhe theksoi rëndësinë e marrëdhënieve me SHBA, si aleati strategjik i Shqipërisë për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Në këtë kontekst, u vlerësua edhe politika konstruktive dhe ajo e fqinjësisë së mire, e ndjekur prej qeverisë shqiptare.
Meta shprehu bindjen gjithashtu se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO e ka forcuar ndjeshëm pozicionin e saj strategjik dhe rolin që ajo luan për sigurinë rajonale dhe globale.
Më tej, Meta vlerësoi ndihmën e SHBA për integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke kontribuar në veçanti për forcimin e sigurisë kufitare dhe kombëtare.
Ndërsa, Boyd vlerësoi politikën pozitive të ndjekur nga Shqipëria në rajon dhe shprehu mirënjohjen e SHBA për kontributin e rëndësishëm të Shqipërisë në Afganistan, si anëtare e NATO-s.
Anëtarët e delegacionit amerikan shprehën vullnetin për të inkurajuar intensifikimin e investimeve amerikane në Shqipëri, si një kontribut për rritjen e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›