Zv/kryeministri kinez vlerëson lidershipin e Berishës dhe progresin e dukshëm ekonomik
Shqipëria dhe Kina kremtojnë 60-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me një bilanc pozitiv tregtar dhe pa çështje të mbetura pezull mes dy administratave
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim Zëvendëskryeministrin e Republikës Popullore të Kinës, Zhang Dejiang, nga i cili mori vlerësimet maksimale për punën dhe angazhimin e çmuar në zhvillimin dhe integrimin e Shqipërisë. Dejiang vlerësoi në mënyrë të veçantë progresin e qeverisë shqiptare nën drejtimin e kryeministrit Berisha, për hapat e hedhur drejt stabilitetit ekonomik dhe politik dhe intensifikimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit dy palësh mes dy vendeve.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryeministri Berisha vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes dy qeverive, të cilat bazohen në ndjenjat e miqësisë tradicionale që ekzistojnë mes dy popujve. Ai e falënderoi atë për ndihmën e vazhdueshme që qeveria dhe populli kinez i kanë dhënë Shqipërisë, si në të shkuarën, por edhe gjatë viteve të fundit. Kryeministri theksoi në veçanti kënaqësinë që, kjo vizitë shumë e rëndësishme, dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve dhe e përkujdesit të Presidentit të Kinës Hu Jintao, të kryeministrit Ëen Jiabao dhe personaliteteve të tjerë te qeverisë kineze për t’i forcuar dhe konsoliduar edhe më tej marrëdhëniet mes dy vendeve, përkon me 60 vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, e cila është një arsye për t’u kremtuar.
Numri 2 i qeverisë së Kinës, e falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe ndau të njëjtin mendim me kreun e qeverisë shqiptare, për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy qeverive dhe vendeve tona.
Ai vlerësoi miqësinë tradicionale midis popullit shqiptar e atij kinez.
Zëvendëskryeministri kinez Dejiang theksoi se gjatë udhëheqjes së kryeministrit Berisha dhe qeverisë së tij, Shqipëria ka bërë progres shumë të rëndësishëm në të gjitha fushat, në veçanti për sa i përket zhvillimit ekonomik, rritjes së mirëqenies dhe prosperitetit të qytetarëve të saj, ruajtjes së marrëdhënieve të mira me vendet e tjera dhe forcimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit tregtar, ekonomik e të gjithanshëm me këto vende, si dhe hapat e rëndësishëm në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
Në veçanti, Zëvendëskryeministri kinez vlerësoi qëndrimin e palëkundur të qeverisë shqiptare në politikën për njohjen e një Kine të Vetme, Republikës Popullore të Kinës.
Më tej, në takim, të dy personalitetet shprehën vendosmërinë e qeverive respektove për konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve politike, zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, veçanërisht në fushën ekonomike, të shkëmbimeve tregtare, në fushën e arsimit, kulturës, turizmit, si dhe në nxitjen e investitorëve kinezë për të ardhur me investimet e tyre në Shqipëri. Në këtë aspekt, të dy palët ranë dakord për të punuar së bashku për nxitjen e investimeve në sektorin energjetik, për bashkëpunimin në kuadrin e Parqeve Industriale, rritjen e shkëmbimeve tregtare, turizmin, etj.
Zëvendëskryeministri kinez e falënderoi kryeministrin Berisha për mundësinë që qeveria shqiptare ka krijuar për investitorët vendas e veçanërisht ata të huaj, përmes ndërtimit të parqeve industriale, si dhe shtrirjes se infrastrukturës rrugore, energjetike e të tjera, në të gjithë vendin, çka i shërben hapjes së vendeve të reja të punës, përmirësimit e modernizimit te infrastrukturës në vend dhe zhvillimit ekonomik e të gjithanshëm.
Zëvendëskryeministri kinez e siguroi kryeministrin Berisha se Kina do t’i ofrojë Shqipërisë ndihmë në formën e kredive të buta për sektorin e bujqësisë, si dhe do të nxisë investitorët kinezë të eksplorojnë mundësitë për biznes në Shqipëri, falë klimës së favorshme për biznes, të krijuar nga qeveria shqiptare. Gjithashtu, ai e siguroi Kryeministrin Berisha se qeveria kineze do të punojë për nxitjet e ardhjes së turistëve kinezë në Shqipëri, për të shijuar bukuritë natyrore të vendit tonë. Në takim u ra dakord që ekipet e ekspertëve të të dy palëve të fillojnë e të punojnë intensivisht për të konkretizuar projekte bashkëpunimi në fusha si energjia, bujqësia, arsimi, turizmi, zonat e lira energjetike.
Më tej, kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për t’i përcjellë Presidentit të Kinës Hu Jintao dhe Kryeministrit Ëen Jiabao ftesën për të vizituar Shqipërinë në një kohë të përshtatshme, ftesë të cilën Zëvendëskryeministri kinez u shpreh se do ta përcillte me shumë kënaqësi.
Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e 60-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Kinës/Kryeministri Sali Berisha ishte i ftuar dje në ceremoninë e festës me rastin e 60-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Kinës.
Në këtë ceremoni, merrnin pjesë zëvendëskryeministri i Republikës Popullore të Kinës Zhang Dejiang, presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, zëvendëskryeministri i Shqipërisë Ilir Meta, si dhe një përfaqësi e gjerë e trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri. Në fjalën e tij përshëndetëse, zëvendëskryeministri kinez Dejiang u shpreh për ecurinë gjithnjë e në rritje të miqësisë mes dy vendeve.
Ceremonia vazhdoi në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore.