“Hungaria në radhën e parë të vendeve që mbështesin Shqipërinë për statusin e vendit kandidat”

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me Presidentin e Hungarisë Pal Schmitt
Kryeministri Sali Berisha, në ditën e dytë vizitës në Budapest, zhvilloi dje një takim me Presidentin e Hungarisë Pal Schmitt.
Presidenti Schmitt, pasi uroi mirëseardhje të përzemërt, e vlerësoi këtë vizitë si shumë të rëndësishme dhe të suksesshme. Presidenti Schmitt tha se të dy popujt ndajnë të njëjtat vlera të lirisë dhe ruajnë miqësi të konsoliduar. Ai vlerësoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si një arritje historike të saj dhe qeverisë shqiptare dhe i shprehu Kryeministrit mbështetjen e fuqishme të Hungarisë edhe për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
“Hungaria, tha Presidenti Schmitt, është shumë e lumtur që Shqipëria u bë anëtare e NATO-s dhe ajo do të jetë në radhën e parë të vendeve që do të mbështesin dhe ndihmojnë Shqipërinë për të marrë statusin e vendit kandidat! Shqiptarët kanë bërë shumë sakrifica për të qenë të lirë dhe duke qenë se edhe populli hungarez ka vuajtur nën diktaturën komuniste, ne e kuptojmë shumë mirë popullin mik shqiptar, ndaj do vijojmë t’ju mbështesim fuqishëm në hapat e mëtejshëm drejt BE-së.”
Kryeministri Berisha i shprehu Presidentit hungarez mirënjohjen më të thellë, për mbështetjen e paçmuar të Hungarisë për anëtarësimin në NATO, liberalizimin e vizave dhe në hapat e mëtejshëm për anëtarësimin në BE, por edhe për qëndrimin e kontributin e Hungarisë ndaj çështjes së drejtë të shqiptarëve në Kosovë dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj shtetit më të ri të Europës, Republikës së Kosovës.
Më tej, Kryeministri e njohu Presidentin Schmitt me rezultatet shumë të frytshme të kësaj vizite, e cila zhvillohet në një vit të veçantë në marrëdhëniet mes dy vendeve, në 90 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Në këtë kontekst, Kryeministri shprehu mirënjohjen ndaj Hungarisë për vullnetin për zhvillimin e konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore me Shqipërinë.
“Miqësia midis të dy popujve, vlerësoi Kryeministri, shkon larg në historinë shekullore, në bashkëpunimin dhe në përpjekjet e tyre për liri e dinjitet”.
Kryeministri Berisha bëri me dije përpjekjet dhe reformat e jashtëzakonshme të ndërmarra gjatë kësaj periudhe, për realizimin e projektit madhor kombëtar të anëtarësimit në BE, të cilat kanë shndërruar pamjen e vendit dhe imazhin e Shqipërisë në botë. Kryeministri e njohu gjithashtu Presidentin hungarez me arritjet e rëndësishme në fushën e ekonomisë, të cilat kanë bërë të mundur që Shqipëria të shënoje rritjen më të madhe ekonomike në Europë, ndërtimin e një infrastrukture tërësisht të re rrugore në vend, katërfishimin e investimeve të huaja, ndërkohe numri i turisteve e vizitorëve që vijnë në Shqipëri për turizëm dhe rekreacion në vit ka kaluar 4 milionë, si edhe arritjet e rëndësishme në fushën e arsimit, shëndetit publik, arritjet në luftën kundër korrupsionit, thjeshtësimit dhe dixhitalizimit të procedurave, ICT etj.
Kryeministri Berisha e njohu Presidentin Schmitt me potencialet e jashtëzakonshme që ofron vendi si 400 kilometra bregdet të mrekullueshëm, por edhe peizazhe malore të virgjëra e piktoreske, mundësitë në fushën e prodhimit të energjisë hidrike e energji të tjera të rinovueshme, në sektorin minerar etj. Ne takim u rikonfirmua vullneti për të nxitur investitorët hungarezë për të investuar në Shqipëri.
Kryeministri Berisha takon edhe Kryetarin e Bashkisë së Budapestit Istvan Tarlosh/Gjatë vizitës së tij në Hungari, kryeministri Berisha u prit në një takim edhe nga Kryetari i Bashkisë së Budapestit Istvan Tarlosh. Duke i uruar përzemërsisht mirëseardhjen, Kryetari i Bashkisë Tarlosh, u shpreh se ndihej shumë i lumtur që mirëpret në Budapest kryeministrin Berisha, një mik të shquar të këtij vendi.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e falënderoi Tarlosh për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i shprehu atij kënaqësinë e veçantë që vizitonte Budapestin, qytet ku njëqind vjet më parë Ismail Qemali dhe patriotë të tjerë, zhvilluan një takim jashtëzakonisht të rëndësishëm për pavarësinë e shtetit shqiptar, me kontin Hadik dhe Ministrin e Jashtëm të Austro-Hungarisë Kontin Bertochd, pavarësi e cila u shpall në një kohë shumë të shkurtër pas këtij takimi. Gjithashtu në takim u rikonfirmuan marrëdhëniet tradicionale miqësore midis të dy popujve dhe vullneti për ti zgjeruar e thelluar ato në të ardhmen.
Më tej, Kryetari i Bashkisë së Budapestit, Tarlosh e informoi kryeministrin Berisha për bashkëpunimin e vendosur tashme me Bashkinë e Tiranës dhe kryebashkiakun Basha dhe se pret me kënaqësi të vijë për vizitë në Tiranë për të evidentuar fushat për thellimin e këtij bashkëpunimi, i cili ka filluar me sukses në fushën e kulturës me dy ngjarje të rëndësishme, vendosjen e statujës së Skënderbeut së shpejti në një sheh të rëndësishëm në Budapest, por edhe me emërtimin e një rruge të Tiranës "Janos Hunyad", në kujtim të heroit të njohur të kombit hungarez, i cili luftoi në të njëjtën periudhe historike me Skënderbeun për liri dhe ruajtjen e vlerave të përbashkëta të qytetërimit Europian.
Duke u ndalur në figurën e mbretëreshës Geraldinë, të cilën Kryeministri Berisha, e cilësoi si margaritarë në kurorën e marrëdhënieve të shkëlqyera midis të dy vendeve, Kryeministri theksoi se ajo është Mbretëresha e parë e shqiptarëve në kohët moderne.
“Mbretëresha Geraldinë përbën një trashëgimi të madhe midis të dy kombeve dhe vendeve tona. Ajo, jetoi vetëm një vit në Shqipëri. Ajo ishte mbretëresha më e bukur e kontinentit, por legjenda e saj ishte dashuria e saj për vendin dhe kombin tim”, theksoi kryeministri Berisha. Për nder të Kryeministrit Berisha dhe delegacionit që e shoqëronte Kryetari i Bashkisë së Budapestit shtroi një drekë, e cila kaloi në një atmosferë të ngrohtë e miqësore
Berisha me Kryetarin e Parlamentit László Kövér: “Opozita në Shqipëri të mos i rikthehet gabimit të bojkotit”/Kryeministri Sali Berisha, gjatë vizitës së tij treditore në Hungari, u prit dje në një takim edhe nga Kryetari i Parlamentit të Hungarisë, László Kövér. Duke i uruar përzemërsisht mirëseardhjen, Kryetari i Parlamentit Kövér shprehu kënaqësinë e veçantë që takohej me kryeministrin Berisha, në këtë vizitë. Gjatë këtij takimi, Kryetari i Parlamentit Kövér i rikonfirmoi Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Hungarisë për integrimin e Shqipërisë në BE.
Duke u ndalur në marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, Kryetari Kövér u shpreh se ndihej i lumtur që parlamenti hungarez po jep kontributin e tij, në këtë drejtim për konsolidimin dhe zgjerimin e mëtejshëm te këtyre marrëdhënieve.
Me tej, Kryetari i Parlamentit të Hungarisë, László Kövér vlerësoi bashkëpunimin midis të dy parlamenteve, i cili gjatë kësaj periudhe është intensifikuar ndjeshëm, duke u ndalur ne projektin e bashkëpunimit ndërparlamentar.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha falënderoi Kryetarin e Parlamentit të Hungarisë, László Kövér, si dhe parlamentarët e pranishëm për pritjen e rezervuar.
Kryeministri vlerësoi lart kontributin që parlamentet e të dy vendeve japin në marrëdhëniet midis të dy vendeve, duke e cilësuar rolin e tyre si të pazëvendësueshëm.
Ndër të tjera, ne takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe tradita e gjatë e miqësisë dhe mbështetjes së ndërsjellë, si dhe vullneti i të dy vendeve për ti intensifikuar ato, në veçanti bashkëpunimin ekonomik dhe në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë për qytetarët e të dy vendeve, siç janë p. sh.:, nxitja e investimeve hungareze në Shqipëri.
Në vijim të takimit, kryeministri Berisha u bëri një ekspoze anëtareve të parlamentit për sukseset e arritura gjatë kësaj periudhe nga qeveria shqiptare në fushën ekonomike, arritjet në fushën e reformave fiskale, reduktimit te shpenzimeve burokratike, të ndërtimit te infrastrukturave te rëndësishme, krijimit të klimës më të favorshme për biznes e investime, në fushën e energjisë, turizmit, arsimit, sistemit shëndetësor, ICT etj,
Kryeministri Berisha ritheksoi vullnetin a palëkundur të qeverisë për të ecur përpara me projektin madhor kombëtar të shqiptareve, integrimit në BE. “Në këtë kontekst, si dhe pasi pikëpamja e liderit të opozitës për të bllokuar u provua e gabuar nga vota e shqiptarëve, u shpreh kryeministri Berisha, qeveria shqiptare është e angazhuar në plotësimin e të gjithë standardeve për të ecur përpara me shpejtësi me hapat e mëtejshëm të këtij procesi, të cilin e konsiderojmë si një proces tërësisht të bazuar në meritë”.
Kryetari i Parlamentit Kövér, duke u ndalur ne situatën politike në Shqipëri theksoi se shpresonte që opozita në Shqipëri te mos i rikthehet më rrugës së gabuar të bojkotit por të kontribuojë përmes pjesëmarrjes në institucionet demokratike, në proceset e rëndësishme në të cilat po ecën Shqipëria si ai i integrimit ne BE.
Kövér shprehu vlerësimin dhe përgëzimet e veçanta për faktin qe Shqipëria është ndër vendet e pakta evropiane që nuk përjetoi krizë në kuadër të krizës globale ekonomiko financiare.