E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, nevojë për ngritjen e një muzeu ku brezat të njihen me mizoritë e diktaturës

21-03-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha vizitoi Muzeun e Terrorit të Budapestit, një nismë e cila ka gjetur jehonë të gjerë tek të gjithë qytetarët. Mbi 4 milionë vizitorë janë njohur me tmerret e konsumuara nga policia sekrete e komunistëve hungarezë

Kryeministri Sali Berisha vizitoi dje, Muzeun e Terrorit, i cili i dedikohet krimeve dhe torturave të regjimit fashist dhe atij komunist në Hungari.
Ky muze, i vendosur në ish-ndërtesën e policisë sekrete komuniste hungareze, u hap 10 vjet më parë dhe është i pari muze i këtij lloji i hapur në vendet ish-komuniste, duke shërbyer si model për vendet e tjera. Pjesën më të madhe të pavijoneve e zinin viktimat dhe persekucioni i periudhës së terrorit shtetëror komunist. Pavarësisht rezistencës nga përfaqësues të majtë të spektrit politik, hapja e këtij muzeu ka shënuar interes të jashtëzakonshëm duke regjistruar mbi 4 milion vizitorë.
Në takimin me drejtues të Muzeut, si dhe me Kryetarin e Bashkisë, Kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e paçmuar që muze të tillë kanë për historinë dhe kujtesën e një kombi. Ai u shpreh se ato i shërbejnë edukimit të brezave të rinj, në mënyrë që krime dhe tragjedi të tilla që zhveshën njeriun nga dinjiteti njerëzor dhe të drejtat themelore, të mos përsëriten kurrë më. Kryeministri nënvizoi nevojën e ngritjes së një muzeu të tillë dhe në Shqipëri, ku brezat të kenë mundësi të shohin mizoritë e diktaturës komuniste, përfshirë vuajtjet e shkaktuara nga politika hiperkolektiviste e atij regjimi mizor.
Drejtues të muzeut shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe ndihmuar në këtë drejtim.
Ekspozitë kushtuar 90 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqipërisë-Hungari/Me rastin e vizitës së Kryeministrit Sali Berisha në Budapest, në ambientet e Ministrisë së Jashtme të Hungarisë u çel ekspozita kushtuar 90 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Hungarisë. Në këtë ekspozitë ishin paraqitur një gamë  dokumentesh arkivorë të shkëmbimeve diplomatike në periudha të ndryshme mes dy vendeve, si dhe një sërë artikujsh, akademikë, letrarë, apo edhe informativë, për sa u përket autorëve shqiptarë dhe hungarezë, të cilët i referoheshin marrëdhënieve dhe miqësisë mes dy popujve.
Kryeministri Berisha vendosi një kurorë me lule në Memorialin e Mileniumit në sheshin e Heronjve, në qendër të Budapestit. Për Kryeministrin ishte një moment tepër i veçantë dhe emocionues takimi me një grup shqiptarësh, pjesëtarë të komunitetit shqiptar, të hershëm, por edhe të ri, në Hungari, të cilët duke mbajtur flamuj shqiptarë kishin dalë në shesh për të përshëndetur ardhjen e Kryeministrit në këtë vizitë në Budapest. "Ju, me ardhjen tuaj këtu dhe ky dekor kuq e zi e keni bërë më të bukur këtë ceremoni", u shpreh Berisha.
Në vijim të vizitës së tij në Budapest, zhvilloi një takim me përfaqësues të diasporës në Hungari dhe miq të Shqipërisë atje, në një aktivitet të organizuar në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë. Kryeministri Berisha vlerësoi se shqiptarët që jetojnë në Hungari, por edhe miqtë hungarezë të Shqipërisë, janë ambasadorë të shkëlqyer në marrëdhëniet mes dy vendeve tona.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›