E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama të mos abuzojë me vizitën në SHBA

21-03-2012 / I.N

Edi Rama u thirr në Uashington vetëm pasi shpalli dështimin e linjës së grushtit të shtetit të 21 janarit dhe adaptoi tezat e Kastriot Islamit kundër bojkotit parlamentar. Takimi ka përcjellë mesazhin për një bashkëpunim të fortë për integrimin e shpejtë në BE, por sapo ka dalë nga zyrat e DASH, Edvini ka nisur abuzimin me vizitën, duke kërkuar ta përdorë atë si një pasaportë për përfitime politike. Është koha që Edvini të heqë dorë nga vathi në vesh, për të mbajtur vath në vesh porosinë për të hequr dorë nga konfliktualiteti dhe tentativa për destabilizimin e vendit

Edi Rama shpejtoi dje në mbrëmje të përfitonte politikisht nga takimi i tij me zv/ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Filip Ryker, duke e shpallur atë si një “gur themelimi” në miqësinë mes dy vendeve. “Qiraxhiu” i selisë së PS-së u mundua t’i jepte takimit rëndësinë e një mandatimi, rëndësinë e një përzgjedhjeje...kur në fakt është krejt e kundërta. Pasi ka më shumë se 7 vjet që është në krye të opozitës shqiptare, Edi Rama e kishte për herë të parë komunikimin me zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit. Ky takim ka ardhur në radhë të parë, për shkak të interesit strategjik që ka aleati ynë i madh për t’u qëndruar pranë të gjitha krahëve politike në Shqipëri, rrjedhimisht edhe socialistëve, njërit nga grupimet më të mëdha në vend. Është pikërisht ky vlerësim i SHBA-së për këtë elektorat, i cili prej më shumë se një dekade ka qenë në pararojë të reformave për integrimin e Shqipërisë në NATO, pavarësisht frymëzimeve bolshevike e staliniste që kanë shfaqur drejtuesit e tyre. Edi Rama mundi të shkelte në Departamentin Amerikan të Shtetit vetëm pasi formalisht shpalli braktisjen e linjës së bojkotit, konfliktualitetit dhe destabilizimit të vendit. Pasi u braktis linja agresive e politikës dhe u shpall kthimi në ligj i PS dhe kthimi tek kursi politik i proklamuar nga Kastriot Islami (pavarësisht linçimit të tij politik, tipike e metodave staliniste), Edi Rama u paraqit në Uashington. Ishin tezat e Kastriot Islamit që e çuan në Uashington Edi Ramën, dhe jo sjellja bolshevike e 21 janarit, për të cilat opinioni i SHBA-ve ka qenë i qartë, bile më shumë se i qartë me PS-në.
Megjithatë, prej zyrave të DASH, nga ku Edvin Rama doli i pashoqëruar nga mikpritësi e tij e s’pati mundësi t’i ofronte medias as një foto të posaçme e as ndonjë deklaratë shtypi, ai nisi dje të inskenonte një skemë joserioze të shfrytëzimit të vizitës. U shpallën sërish skema intervistash e emisionesh të montuara, në të cilat pritet të shtihet fall nëse “Uashingtoni e përkrah apo jo kandidaturën e Edi Ramës për kryeministër në 2013-n”, apo nëse “Uashingtoni mendon apo jo se ka ardhur koha për rotacion politik në 2013-n, pas 8 viteve të demokratëve në pushtet”. Ky inskenim bajat duhet të marrë fund menjëherë, për të mos e thelluar edhe më tej hendekun që tashmë ekziston mes elektoratit socialist dhe lidershipit të tij. Socialistët e thjeshtë kërkojnë integrimin sa më të shpejtë të vendit në BE dhe bash për këtë aspiratë ka ardhur edhe mbështetja e fortë e DASH. Vetë Edi Rama tha dje se Uashingtoni është një mbështetës i madh i integrimit të vendit në BE dhe me këtë avokati është dhënë edhe e gjithë kritika për sjelljen bllokuese që ai ka konsumuar gjatë 3 viteve të fundit.
Pra, prej takimit duhet të dalë leximi i qartë i teksteve zyrtare, por përtej këtij fakti, duhet interpretuar shpejt mesazhi për të kontribuar në stabilizimin e jetës politike në vend. Në vend të vathit të dikurshëm në vesh, Edi Rama bën mirë të mbajë vath në vesh porosinë për konstruktivitet (të cilën ai e pohoi edhe vetë gjatë intervistës televizive, si fazë e parë e inskenimit për përfitim, që ai ka ndërmend të vërë në zbatim gjatë kësaj jave). Mesazh i duhur ndoshta mund të ishte edhe rishikimi i qëndrimit të tij ndaj Kastriot Islamit, i cili u shpall armik, bash se artikuloi kërkesat e Uashingtonit për një linjë konstruktive politike...por kjo mund të klasifikohet edhe si një sjellje personale. Ajo që i intereson publikut është që linja e PS-së të ndjekë porositë e DASH për të ndihmuar procesin e integrimit në BE. Sa për tentativat për të shtirë fall, nëse ai u ishte dukur amerikanëve simpatikë apo jo, Edi Rama le t’ua lëjë këtë rol kasnecëve të paguan, pasi nëse e bën vetë këtë keqpërdorim, qëndrimet e tij joserioze do të bënin që vizita e tij e djeshme në DASH të regjistrohet si vizita e tij e fundit atje.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›