Veriu, kurrë pjesë e Serbisë

Loja e presidentit të Serbisë Boris Tadiq ka funksionuar shumë mirë karshi Bashkimit Evropian, por siç duket jo edhe me kancelarin gjermane Angela Merkel, ka thënë ish-diplomati amerikan James Huper.
Ai në një intervistë për Radio Evropa e Lirë ka thënë se gjatë vizitës së saj të fundit në Beograd, kancelarja Merkel ka dërguar një porosi të qartë për Kosovën jo vetëm Beogradit, por edhe diplomatëve në Bruksel, kur ka thënë se epoka e ndarjeve dhe ndryshimeve të kufijve në Ballkan ka marrë fund.
“Në këtë formë, janë prerë vendosmërisht përpjekjet e Tadiqit dhe të tjerëve në qeverinë serbe, që të luajnë lojë të dyfishtë, duke tentuar të hyjnë në Bashkimin Evropian dhe njëkohësisht duke e mbajtur hapur opsionin e ndarjes. Në këtë formë i është dërguar mesazh edhe vetë Brukselit dhe diplomatëve atje që merren me dialogun, që të mos luajnë lojën e Beogradit. Kjo është lojë e Tadiqit dhe e kolegëve të tij dhe ka funksionuar shumë mirë karshi BE-së, por siç duket jo edhe me zonjën Merkel”, është shprehur Huper.
Ndërkohë që serbët në veri kanë vendosur bllokada në shenjë kundërshtimi ndaj dërgimit të policëve dhe doganierëve të Kosovës në pikat 1 dhe 31, ish-diplomati amerikan konsideron se nuk mund të shkohet përtej planit Ahtisari për dhënien e një statusi veriut.
“Nuk mund të ketë paqe në veri dhe zgjidhje përfundimtare të asaj situate, derisa të mos ndalet përkëdhelja ndaj Beogradit, përkëdhelja ndaj serbëve. Ekzistojnë norma dhe rregulla ndërkombëtare, të cilat duhet të vlejnë edhe për ta. Sinqerisht, mendoj se populli në Serbi e kupton këtë, por janë ndërkombëtarët ata që duhet ta bëjnë Beogradin dhe serbët në veri të kuptojnë plotësisht se veriu është pjesë e Kosovës dhe se nuk do të ndahet”, ka thënë Huper.
Dialogu për çështje teknike Kosovë-Serbi nga ish-diplomati amerikan shihet më tepër si një synim që të vihet grim mbi Serbinë, që të jetë më mirë e përfaqësuar në bisedimet për anëtarësim në BE.
“Nëse Brukseli lejon që bisedimet të shfrytëzohen nga Beogradi, atëherë mendoj se Brukseli po i bën një shërbim jo të mirë edhe aleatëve të tij dhe një shërbim jashtëzakonisht jo të mirë vetë Beogradit, pra pavarësisht dëmeve që i shkaktohen edhe Kosovës. Beogradi ka nevojë për mbështetje të kuptojë se loja ka marrë fund, se nuk do ta sundojë veriun, se nuk do ta kontrollojë veriun dhe se ajo pjesë nuk do të bëhet kurrë pjesë e Serbisë”, ka thënë Huper.