E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova me shumë sfida për zhvillim ekonomik

Nga Express më 24 shtator 2011 në ora 15:59

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ka premtuar se shumë shpejt Qeveria e Kosovës mund t’i rikthejë masat e reciprocitetit me Serbinë, mirëpo ka kërkuar që edhe qytetarët ta japin kontributin në konsumimin më të madh të produkteve vendore.

Ai këto komente i bëri të shtunën në hapje të tryezës shkencore me temën “Sfidat e zhvillimit ekonomik në Kosovë” në Gjakovë, e cila u organizua nga Kolegji Universitar “Biznesi”, dega në Gjakovë dhe Shoqata e Intelektualëve “Jakova”.

“Ju e keni parë se shteti është i gatshëm të marrë masa të tilla, por reciprociteti nuk është i mundshëm vetëm me masa shtetërore. Reciprociteti ka nevojë edhe për përkrahje të fuqishme të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Beqaj.

Si shembull më të mirë në këtë drejtim, ministri i Zhvillimit Ekonomik ka marrë Kroacinë, e cila edhe pse nuk ka ndërmarrë masa shtetërore, në tregun e saj nuk gjenden më shumë se 5 për qind të produkteve nga Serbia, për shkak të bojkotimit nga ana e qytetarëve.

Duke u fokusuar dhe mbështetur në planin e Qeverisë të hartuar muaj më parë në Bullgari, Beqaj ka thënë se prioritet do t’i jepet fuqizimit të sektorit privat, miratimit të ligjeve adekuate, energjetikes dhe bujqësisë.

Prezantimi i planit qeveritar për zhvillim ekonomik nga ana e ministrit Beqaj, nuk i ka kënaqur të gjithë pasi që është ballafaquar edhe me kritika nga të pranishmit.

Eksperti i ekonomisë, Musa Limani, në paraqitjen e tij ka thënë se Qeveria e vendit as sot nuk ka ndonjë plan konkret për zhvillimin ekonomik, ndërsa e ka quajtur të padobishëm planin e hartuar në Bullgari.

“Ne nuk kemi politikë zhvillimore makroekonomike, zhvillimi ekonomik te ne bëhet në mënyrë parciale, ad-hoc dhe pa strategji. Instrumentet e nënsistemeve të politikës fiskale, monetare-kreditore dhe të tregtisë së jashtme nuk janë në funksion të zhvillimit ekonomik, përkundrazi ato e dëmtojnë zhvillimin ekonomik të vendit”, ka thënë Limani.

Duke vazhduar me kritika, Limani ka folur edhe për procesin e privatizimit, duke u fokusuar në situatën aktuale me ndërmarrjet shoqërore në komunën e Gjakovës.

“Qysh në vitin 2000 kam kritikuar procesin e privatizimit dhe shumë kush ma pati parë për të madhe. Tash po e shohim që ky proces ka dështuar”, ka thënë Limani.

Ai ka shtuar se shndërrimi i shoqërive aksionare në Gjakovë, është dashur të pranohet menjëherë pas luftës dhe sipas tij, një mos veprim i tillë e ka sjellë këtë gjendje të rëndë që është edhe sot.

“Ndërmarrjet shoqërore në Gjakovë kanë pasur vizion më shumë se çdo kush tjetër në atë kohë. Me atë proces këto ndërmarrje e kanë pamundësuar hyrjen e masave të dhunshme dhe ruajtjen e tyre. Instituti i atëhershëm i Ekonomisë e pati bërë në vitin 2000 një studim dhe një arsyetim me anë të së cilit edhe janë pranuar dy ndërmarrje në Gjakovë, por një gjë e tillë nuk u vazhdua më dhe situata është kjo që është”, ka thënë Limani, i cili ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për shuarjen e këtij Instituti.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›