E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forcat e policisë, korrekte në procesin zgjedhor



Kryeministri Sali Berisha premtoi dje se policia do të mbajë një qëndrim korrekt në procesin e ardhshëm zgjedhor të muajit qershor. Deklarata e Kryeministrit u bë dje në Kamëz, gjatë inaugurimit të komisariatit të ri të qytetit. “Jam i bindur se edhe në këto zgjedhje, me profesionalizëm dhe përkushtim, jashtë çdo lloj tendence politike, ju do të përmbushni detyrimet tuaja në interesin më të mirë të vendit”, - u tha Berisha forcave të policisë. Njëkohësisht ai shtoi se Shqipëria ka treguesit e kriminalitetit nën mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian, por duhet të përcaktohen objektiva edhe më ambicioze, duke arritur treguesit e kriminalitetit në nivelin e ulët të vendeve të BE-së. Ne kemi tregues kriminaliteti nën mesataren e vendeve të BE-së, por ne duhet të kemi tregues kriminaliteti në nivelin e ulët të vendeve anëtare të BE-së. Ne duhet të përcaktojmë një objektiv edhe më ambicioz dhe mund ta realizojmë plotësisht këtë. Ju përgëzoj dhe ju siguroj se qeveria do ta mbështesë fuqishëm Policinë e Shtetit, në përmbushjen e të gjitha detyrimeve. Kemi një ligj të ri shumë të mirë, të cilin ju po e zbatoni dhe kjo është një fitore për ju dhe për të gjithë Shqipërinë”, - u shpreh Kryeministri.

Letërnjoftimet e reja, kusht për liberalizimin e vizave

Kryeministri Sali Berisha bëri edhe njëherë thirrje dje për qytetarët që të aplikojnë për letërnjoftimet e reja, pasi marrja e dytë është kusht për lëvizjen e lirë në vendet e BE-së. “Ne po shkojmë drejt liberalizimit të vizave dhe pa kompletuar këtë proces, nuk mund të ndodhë. Sa më shpejt ta kompletojmë atë, aq më pozitivisht do të vlerësohemi për lëvizjen e lirë”, - tha Berisha. Ai më pas tha se qeveria uli çmimin e letërnjoftimeve për disa kategori, duke u bërë thirrje të qytetarëve të nxitojnë të përfitojnë nga ulja. “Ne bëmë një ulje të dytë që mendoj se është një ulje shumë e arsyeshme. Vlera e këtij dokumenti është qindra herë më e madhe sesa çmimi. Vlera e tij është e jashtëzakonshme. Ne barazohemi, për sa i përket dokumentit të identitetit, me qytetarët e vendeve më të zhvilluara të Evropës”, - u shpreh Kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›