E Diel, 1 Nëntor 2026

Hyn në fuqi paketa penale, Halimi: Më e ashpra në këto 20 vjet, garanci për sigurinë

TIRANE - Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi njoftoi sot hyrjen në fuqi të paketës së re të ndryshimeve në Kodin Penal, ku parashikohen masat më të ashpra që ka pasur ndonjëherë ligji shqiptar, për disa lloje krimesh, të cilat janë bërë të shpeshta në vendin tonë.

Në Kodin Penal kanë ndryshuar disa nene, ku bie në sy ashpërsimi i dënimit ndaj personave që vrasin punonjësit e policisë, atyre që vrasin për gjakmarrje, vrasjet e grave dhe vajzave, si dhe për personat që kapen me armë pa leje.

Në një konferencë për mediat, ministri Halimi e cilësoi paketën e re penale si një garanci më shumë për jetën e qytetarëve dhe sigurisë publike.

“Nga sot hyn në fuqi e gjithë paketa penale, më e ashpra në këto 20 vjet. Kushdo që do të ngrejë dorën nesër mbi policinë e shtetit, nuk do të ketë më pak se 30 vjet burg deri në burgim të përjetshëm. Kushdo që do të vrasë për gjakmarrje, nuk do të ketë dënim më të ulët se 30 vjet burg, deri në burgim të përjetshëm, kushdo që ngre dorën dhe mbi gruan dhe vajzën nuk do të ketë dënim më të ulët se 20 vjet, deri në burgim të përjetshëm. Dënimi do të kryet ditë më ditë duke u përjashtuar çdo lehtësi. Kjo paketë do të zmbrapsë krimin dhe do të jetë për më shumë siguri”,- deklaroi ministri Halimi.

Ministri i Drejtësisë theksoi se pavarësisht angazhimeve të tij në fushatën elektorale, stafi i tij po vijon punën me një grup ekspertësh të huaj për reformën në drejtësi.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›