E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Hyri në rrugë të rrezikshme ksenofobe”

15/10/2009  Meta flet për deklaratat e bëra nga Rama mbi kufijtë detarë

Sipas tij, për marrëveshjen u angazhuan specialistët më të mirë

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta ka deklaruar ditën e djeshme se debati i ashpër lidhur me marrëveshjen mes vendit tonë dhe Greqisë për përcaktimin e kufirit detar është një spekulim i pastër dhe keqinformim i opinionit publik. Ai ka theksuar se për të shuar çdo aludim, keqinterpretim apo keqdashje do të ndiqet rruga më transparente për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje në Kuvend, si dhe do të sqarohen në mënyrë të plotë të gjitha shqetësimet e ngritura, në mënyrë që t’u jepet fund spekulimeve dhe falsifikimeve mbi të vërtetën e kësaj çështjeje. Meta ka thënë se për realizimin e kësaj marrëveshje, e cila është një detyrim ndërkombëtar i Shqipërisë, janë angazhuar specialistët më të mirë. Ministri Meta është shprehur i ashpër me qëndrimet e mbajtura nga lidershipi i Partisë Socialiste lidhur me këtë çështje. “Shpreh keqardhjen time të thellë për trajtimin që lidershipi i opozitës i ka bërë kësaj çështjeje, duke hyrë në një rrugë pa krye e të rrezikshme, që nxit ndjenjat e ksenofobisë ndaj vendeve fqinje, rikthen frymën e konfliktualitetit dhe izolimit në politikën rajonale të paqes dhe stabilitetit, që Shqipëria në vazhdimësi ka ndjekur në rajon, duke synuar cenimin e marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë mes vendit tonë dhe Greqisë”, - ka deklaruar ai. Meta ftoi opozitën që të gjykojë me kthjelltësi dhe pa emocione. “Të distancohet nga frymëzimet ekstremiste, që cenojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, sikurse mund të jenë thirrjet për djegien publike të flamujve kombëtarë të vendeve fqinje apo siç është edhe rasti në fjalë, pasi epoka e nacionalizmit dhe ekstremizmit në Ballkan ka përfunduar”, - tha Meta.

Vota e LSI-së

I pyetur në lidhje me qëndrimin e deputetëve të LSI-së, numri dy i qeverisë, njëherësh dhe kryetari i kësaj partie, ka thënë se në seancën plenare ku do të votohet marrëveshja, do t’u jepet përgjigje të gjitha shqetësimeve, spekulimeve dhe falsifikimet që po ngrihen mbi këtë çështje. “Është e drejta e kujtdo të thotë çfarë të dëshirojë, sepse jemi në vend demokratik, por opozita i ka të gjitha mundësitë institucionale për të ngritur shqetësimet”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›