E Diel, 1 Nëntor 2026

Anëtarësimi, KE gati raportin për Shqipërinë

15/10/2009  Miratohet strategjia për zgjerimin, koha e shqyrtimit të kërkesës së vendit tonë varet nga Këshilli

Propozohet liberalizimi i vizave me Kosovën dhe nisja e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë

Komisioni Evropian miratoi dje strategjinë e tij të përvitshme mbi zgjerimin e Bashkimit Evropian. Në të vihet në dukje progresi i bërë nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht Turqia drejt integrimit evropian gjatë këtij viti të vështirë krize botërore ekonomike dhe parashtron sfidat kryesore me të cilat do të përballen këto vende gjatë muajve dhe viteve të ardhshme. Në paketën e zgjerimit lidhur me kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim theksohet se Komisioni Evropian është gati të përgatisë opinionin e vetë porsa Këshilli Evropian t’ia kërkojë këtë gjë. Ndërkohë për zgjedhjet parlamentare thuhet se ato përmbushën shumicën e standardeve ndërkombëtare dhe se forcimi i shtetit të së drejtës dhe sigurimi i funksionimit si duhet i institucioneve shtetërore mbeten sfida të mëdha. Për sa i takon procesit të liberalizimit të vizave në paketë nënvizohet se në mes të vitit 2010 Komisioni do të paraqesë propozime edhe për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, nëse këto vende i përmbushin kushtet e caktuara. Gjatë prezantimit të paketës së zgjerimit komisioneri për Zgjerimin, Olli Rehn, tha se strategjia e zgjerimit është provë e zotimit të BE-së për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë. “Në këto kohë të vështira krize ekonomike aplikimet e Shqipërisë dhe Malit të Zi për anëtarësim nxjerrin në pah fuqinë e vazhdueshme tërheqëse të Bashkimit Evropian dhe rolin tonë në nxitjen e stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit. Aplikimi i Islandës i shton një dimension të ri kalendarit tonë të zgjerimit”, - tha ai. Në dritën e progresit të bërë Komisioni Evropian vendosi të rekomandojë hapjen e negociatave për anëtarësim me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. “Procesi i zgjerimit të BE-së po vijon në kushtet e një recesioni të thellë dhe të përhapur, i cili ka prekur si vendet e BE-së, ashtu dhe ato që janë pjesë e procesit të zgjerimit. Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë ka bërë përparime të rëndësishme dhe ka trajtuar gjerësisht prioritetet kryesore të partneritetit për anëtarësim”, - thuhet në paketën e zgjerimit. Mundësia e anëtarësimit në BE vazhdon të shërbejë si shtysë e rëndësishme për reforma politike dhe ekonomike dhe vijon të konsolidojë paqen dhe stabilitetin në rajon. Është në interesin strategjik të BE-së që të mbahet ky ritëm, në bazë parimesh dhe kushtesh të përbashkëta.

Serbia

Serbia ka treguar angazhim për t’u afruar më tej me BE-në duke zbatuar Marrëveshjen e Ndërmjetme me BE-në dhe duke ndërmarrë reforma kyçe. Marrëveshja sipas KE-së duhet të zbatohet edhe nga BE-ja. Serbia duhet të tregojë qëndrim më konstruktiv ndaj çështjeve që lidhen me Kosovën.

Kosova

Në një dokument të veçantë Komisioni Evropian propozon t’i afrojë edhe më tej qytetarët e Kosovës me BE-në edhe nëpërmjet hapjes së dialogut për vizat me synim liberalizimin përfundimtar të tyre, kur të jenë ndërmarrë reformat e nevojshme dhe të jenë plotësuar kushtet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›