E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyrja në FIFA dhe UEFA është një domosdoshmëri për Kosovën

Integrimi i futbollit kosovar në UEFA dhe FIFA është një domosdoshmëri. Gjatë finales së Kupës së Kosovës mes FK Prishtina dhe KF Hysit, tifozët në tribuna mbajnë një pankartë: "UEFA, ku je"? Pyetja shtrohet për një problem emergjent: Edhe pse është e pavarur, Kosova nuk është ende anëtare e FIFA-s apo UEFA-s. Të dyja organizatat nuk e pranojnë. Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, i referohet statutit, sipas të cilit një shtet mund të pranohet nëse është pjesë e OKB-së. Këtë kusht nuk e plotëson dot Kosova, pasi deri tani njihet vetëm nga rreth 60 shtete. Rusia e Greqia nuk e njohin. Dhe mbi të gjitha Serbia ka ende pretendime edhe pas luftës në 1999. Në këtë situatë delikate politike, ai që vuan është futbolli kosovar. "Ne ndihemi si në geto", thotë Erol Salihu, sekretari i federatës, dhe i bën thirrje UEFA-s ta njohë sa më shpejt Kosovën. "Këtë që po na bëjnë, ne e quajmë diskriminim. Nga 1946-a, skuadrat dhe lojtarët tanë ishin pjesë e Federatës Jugosllave, ashtu siç ishin dikur Mali i Zi e Maqedonia. Ata sot janë anëtarë, vetëm ne jo". Kështu që 12 skuadrat e Superligës kosovare e kanë derën e mbyllur në kompeticionet europiane. "Kjo është një gjë e keqe për zhvillimin tonë", shprehet Remzi Ejupi, presidenti biznesmen i FK Prishtinës (themeluar në 1922): "Këtu ka një potencial të madh. Vendi ynë shtrihet në zemër të Europës. Ka kaq shumë të djem të rinj dhe shumë talente futbolli". Sigurisht, kush di të luajë futboll, ikën menjëherë nga Kosova. Shefi i klubit beson ende në një zhvillim pozitiv. Shpreson që së shpejti të ndërtojë një stadium të ri, me tribuna moderne. Edhe kundërshtari KF Hysi ka sponsorin e tij. Klubi u themelua në 2002, në një lagje të kryeqytetit kosovar nga disa tregtarë të njohur. Nga këta donatorë do të varet zhvillimi i shpejtë i futbollit në vend. Për momentin ka shumë probleme, infrastruktura është shumë e keqe. FK Prishtina, një skuadër e madhe dhe rekordmene e titujve, nuk ka një fushë stërvitore të vetën. Skuadra e parë dhe ajo e të rinjve stërviten në stadium ose në fusha të vogla me bar artificial. Deri në njohjen nga FIFA dhe UEFA, Kombëtarja e Kosovës do të mund të luajë vetëm miqësore jozyrtare. Skuadra aktuale përbëhet nga futbollistë të panjohur. Por gjërat mund të ishin ndryshe. Lojtarë të njohur si Lorik Cana luajnë për Shqipërinë. Valon Behrami, që luan për Zvicrën, shprehet: "Po të ishte atëherë Kosova e pavarur, unë do të kisha lënë mënjanë perspektivën sportive dhe do të luaja për vendin tim. Prandaj ky është një problem emergjent, që duhet zgjidhur nga FIFA.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›