E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sabri Godo në krah të Mediut: Hetimi, me prapavijë politike



Presidenti i Nderit i Partisë Republikane, Sabri Godo, e ka quajtur tendencioz dhe me prapavijë politike hetimin e ndërmarrë nga prokuroria për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. I ndodhur në Lezhë për të diskutuar për kandidaturat e Partisë Republikane në këtë qark, Godo është shprehur se Mediu ka marrë të gjitha përgjegjësitë morale për tragjedinë e Gërdecit dhe është i gatshëm të përgjigjet edhe ligjërisht.

“Mediu nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore për këtë ngjarje të rëndë dhe se kjo është një lojë politike e prokurorisë”, - tha ai. Po sipas Godos, Prokuroria e Përgjithshme nuk ka respektuar fshehtësinë e hetimit dhe se nuk ka hetuar ashtu siç duhet për këtë çështje”.

Duke iu referuar thirrjeve të kreut të opozitës, Edi Rama, për një bashkim përtej së majtës e së djathtës, Godo theksoi se kjo alternativë nuk i ofron vendit zhvillim dhe vazhdimësi në reforma. Sipas tij, një bashkëpunim i frytshëm mes forcave të djathta është garanci për një mandat të dytë të mazhorancës në zgjedhjet e 28 qershorit. Ndërkaq, po dje, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka pranuar të sqarojë pozicionin e tij, pak ditë pasi në cilësinë e deputetit njoftoi përmes avokatit të tij kallëzimin penal ndaj kryeprokurores Ina Rama dhe kreut të grupit hetimor të çështjes “Gërdeci”, Sokol Stojani, për akuzën e nxjerrjes së akteve dhe të dhënave sekrete të hetimit. Mediu tha: “Prokurorja ka shkelur ligjin dhe ka urdhëruar vartësit e saj, si Stojani, të shkelin ligjin. Së pari, ka bërë publike fakte të hetimit dhe ka bërë interpretim të njëanshëm të tyre, e cila vjen ndesh me Kodin e Procedurës Penale, neni 103. Ina Rama jo vetëm ka bërë kërkesën për heqjen e imunitetit tim me vendim politik, por dhe ka shkelur qëllimisht ligjin, duke synuar që të realizojë qëllimin e saj kriminal në dëmin tim dhe të mazhorancës”. I pyetur nëse kallëzimi penal ndaj Ina Ramës, i bërë ditë më parë, përbën një presion ndaj organit të akuzës, ish-ministri e mohoi një gjë të tillë dhe tha se tashmë nuk përbën presion, pasi çështja ka shkuar në gjykatë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›