Hyrje në JugosferëNga The Economist Në një samit të kohëve të fundit të relikes së luftës së ftohtë, të quajtur Lëvizja e Paangazhuar, presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, deklaroi se kompanitë nga republikat ish-jugosllave duhet të bashkohen për të ko
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Hyrje në JugosferëNga The EconomistNë një samit të kohëve të fundit të relikes së luftës së ftohtë, të quajtur Lëvizja e Paangazhuar, presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, deklaroi se kompanitë nga republikat ish-jugosllave duhet të bashkohen për të konkurruar për projekte ndërtimi ose kontrata për pajisje ushtarake të specializuara. Homologu i tij kroat, Stipe Mesiç, u përgjigj në mënyrë aprovuese. Kompanitë nga “vendet tona”, tha ai, janë shumë të vogla që të konkurrojnë më vete në tregjet e tjera.
Këto komente ishin të dukshme, gati të panevojshme për t’u përmendur. Sipas standardeve globale, firmat janë vërtetë të vogla. Megjithatë, përdorimi i termit “vendet tona” nga presidenti i një ish-republike jugosllave për t’iu referuar gjithë pjesëtarëve të grupit, armiq e miq, flet për një ndryshim më të madh. Nga Sllovenia deri në Maqedoni, shumica e popujve në rajon kanë shumë gjëra të përbashkëta, megjithëse nuk flasin shumë për to. Përditë lidhjet e tyre, të dëmtuara në vitet ‘90, po rikthehen pa zhurmë. Jugosllavia ka ikur me kohë, në vend të saj po shfaqet Jugosfera.
Ky ndryshim i madh në jetën e përditshme të Ballkanit Perëndimor ndodh pa fanfarë. Madje shumë pak vetë e kanë vënë re. Ata që jetojnë aty e shikojnë si diçka të natyrshme. Të huajt as e kanë idenë. Ndoshta kjo nuk është e habitshme. Lajmi i mirë nuk është lajm: takimi përgatitor për të ndërtuar një qendër zjarrfikësesh për Europën Juglindore nuk ia vlen të përmendet as në Sarajevë (ku u zhvillua), le në vende të tjera.
Lajmin e mirë e bëjnë ushtarët që luftonin kundër njëri-tjetrit, jo shumë vite më parë, ose zjarrfikësit që bashkëpunojnë thuajse në mënyrë rutinë, ose të gjithë, nga veterinerët te bankierët qendrorë, të cilët takohen rregullisht.
Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal në Sarajevë bën me qetësi një punë masive dhe të mërzitshme. Kjo nuk është ngjarje, por proces.
Jugosfera i ka rrënjët te përvoja e përbashkët në tregti dhe biznes. Shumica e ish-jugosllavëve – boshnjakë, serbë, malazezë, kroatë – flasin të njëjtën gjuhë me dallime të vogla. Shumë maqedonas dhe sllovenë e kuptojnë atë që quhej gjuha serbo-kroate. Brenda pjesës më të madhe të rajonit, njerëzit udhëtojnë vetëm me kartat e tyre të identitetit.
Ata pëlqejnë të njëjtën muzikë dhe të njëjtin ushqim. Dallimet politike, fetare dhe etnike vazhdojnë, natyrisht. Por çdo verë, mijëra të rinj grumbullohen në festivalin e Novi Sadit, Serbi, dhe yje nga i gjithë rajoni nuk e kanë problem të mbledhin audienca të mëdha kudo që japin koncert. Diçka që i irriton drejtuesit e muzikës kroate, celularët e të rinjve kroatë kanë këngët më të fundit serbe. Sondazhet panballkanike tregojnë një pamje të njëjtë: njerëzit kanë të njëjtat pasiguri, shqetësime dhe shpresa. Një sondazh i qershorit, nga Ballkan Monitor i Gallup-it, për shembull, tregoi rënie në numrin e atyre që duan të emigrojnë në çdo shtet të Ballkanit Perëndimor.
Gati një e treta e tregtisë së Malit të Zi bëhet me Serbinë. Bosnja është tregu më i madh i eksporteve të Serbisë. Serbia është partneri më i madh tregtar i Maqedonisë. Në ekonomitë e vogla, zgjerim do të thotë të bësh më shumë biznes me fqinjët. Delta nga Serbia, Mercator nga Sllovenia dhe Konzum nga Kroacia kanë supermarkete dhe të gjitha kanë hapur dyqane në vendet e njëra-tjetrës. Si shumë e shumë kompani të tjera nga ish-Jugosllavia, këto e konsiderojnë rajonin si një i tërë. Gazeta kryesore serbe, Politika, ka një botim të brendshëm dhe një për “ish-Jugosllavinë”. Një titull serb i kohëve të fundit shkruante për “pushtimin” e planifikuar të Kroacisë, jo me ushtri, por me Cpiripi, një çokollatë serbe.
Një pjesë njerëzish e dinin që do të ndodhte kështu. Gjatë ditëve më të errëta të luftërave jugosllave kriminelët tregtonin gjithçka, nga armët te cigaret në vijat e frontit. Ajo që njihej si “turbofolk” ishte e përhapur kudo, së bashku me konotacionet e shpeshta nacionaliste. Tani të gjithë ua kanë arritur kriminelëve dhe skenave të koncerteve të turbofolkut. Ankesa më e madhe e serbëve për Kroacinë nuk ka të bëjë me territorin apo refugjatët, por pengesat informale, të cilat, thonë ata, i lehtësojnë kompanitë kroate të punojnë në Serbi dhe jo e kundërta.
Kroatët duken të ngurosur nëse i pyet për Jugosferën. Por ngaqë nuk e duan. Ata thjesht urrejnë emrin, sepse u kujton shtetin prej të cilit u shkëputën. Megjithëse, të tjerët nuk vrasin mendjen. Madje dhe shqiptarët e ish-Jugosllavisë, që jetojnë kryesisht në Kosovë dhe Maqedoni (të cilët dallojnë në shumë drejtime), nuk përjashtohen nga influenca e Jugosferës. Një menaxher reklamash nga Shqipëria thotë se ai nuk do ta reklamonte kurrë me sukses qumështin italian në Kosovë, sepse për kosovarët qumështi slloven është standardi i artë.
Në jetën e përditshme, shumë vetë jetojnë të lumtur në më shumë se një sferë. Kosovarët shikojnë televizion shqiptar, por hyjnë në Jugosferë kur tregtojnë me Serbinë ose shkojnë me pushime në Mal të Zi. Boshnjakët e të gjitha ngjyrave hanë të njëjtat gjëra dhe bëjnë shumë biznes së bashku. Por futbolli nxjerr dallimet në sipërfaqe, siç bën në shumë vende. Serbët e Bosnjës përkrahin kombëtaren serbe, kroatët e Bosnjës kombëtaren e Kroacisë, vetëm boshnjakët myslimanë përkrahin Bosnjën.
Sekreti i viteve të ardhshme do të jetë konsolidimi i vlerave të përbashkëta të popujve, mbajtja e qeverive të fokusuara në to dhe përpjekjet për të afruar më tej politikën dhe biznesin e rajonit në të gjithë Jugosferën dhe, idealja, me gjithë Europën. Bashkimi Europian u themelua për të çimentuar paqen në kontinent, në Jugosferë ky proces nuk ka mbaruar ende.