Pikërisht pse flasim për terren shqiptar …Nga Arbër Shtëmbari, saktivista.blogspot.comKohët e fundit janë shtuar zërat, se u dashka suprimuar ligji që ndalon kultivimin e kanabisit (hashashit)! Dhe sillet si “argument” fakti, se ligji i miratuar kohë
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Pikërisht pse flasim për terren shqiptar …Nga Arbër Shtëmbari, saktivista.blogspot.comKohët e fundit janë shtuar zërat, se u dashka suprimuar ligji që ndalon kultivimin e kanabisit (hashashit)! Dhe sillet si “argument” fakti, se ligji i miratuar kohë më parë jo vetëm që nuk ka pasur efekt, por, sipas këtyre zërave, ka bërë të kundërtën. Kështu, ndërsa analizohet zbatimi i ligjit që ndalon kultivimin e kanabisit, bëhet analogji me atë që ndalon pirjen e duhanit në mjedise publike, duke arritur deri aty, sa ndokush del fare hapur kundër ligjit ekzistues, duke u shprehur, se në terrenin shqiptar (ky ligj – i ndalimit të pirjes së duhanit në mjedise publike, shënimi im) është bërë për t’u hedhur në plehra, sepse kurrkund nuk zbatohet!
Dihet se bota ka ecur përpara pikërisht falë zbatimit me korrektësi të ligjeve që ka miratuar, por ama dihet edhe tjetra, se këto ligje nuk e kanë pasur të lehtë rrugën për t’u vënë në jetë. Sepse një ligj miratohet pikërisht për të çarë një rrugë, drejt së cilës nuk ecet dot me moralizim. Ligji për të ndaluar pirjen e duhanit në mjedise publike apo në zyrat shtetërore u miratua si nevojë e forcimit të shëndetit të njerëzve. Ai nuk ndalon njerëzit të thithin tym duhani (po të arrihej kjo do të ishte një gjë shumë e mirë, por është krejt e pamundur), por ndalon pronarët që t’i shfrytëzojnë lokalet e tyre për duhanpirësit në dëm të atyre që nuk përdorin cigare. Pra, ligji mbron të drejtën e joduhanpirësve, një e drejtë që u shkelet nga duhanpirësit për shkak të fitimeve që dëshiron të sigurojë pronari i një lokali. Dhe, në rastin konkret, objekt i veprimit të ligjit bëhet pikërisht pronari, apo titullari i një administrate etj. Në qoftë se ky ligj nuk po zbatohet, fajin nuk e ka ligji si i tillë, por të ngarkuarit me zbatimin e tij. Dhe prej këtej logjika ta thotë, se nuk duhet suprimuar ligji, por duhet forcuar ai përmes të gjitha mekanizmave. Është absurde të mendosh, se duhet suprimuar ligji nga që duhet të fitojnë pronarët (!), paçka se dëmtohet shëndeti i shumicës së klientëve!
Dhe tani le të zbresim në temën me të cilin e nisëm këtë shkrim:
Zërat që flasin për lejimin e kultivimit të kanabisit sjellin dhjetëra argumente në dobi të suprimimit të ligjit që ndalon kultivimin e kësaj bime të dëmshme, por, ndërkohë, ka qindra argumente të tjera që mund të sillen për të kundërtën. Përvoja e deritanishme ka treguar, se nuk ka pasur vullnet politik e juridik për ta luftuar dukurinë e të kultivuarit të kanabisit. Pra, është bërë sikur gjoja është punuar për zbatimin e ligjit, por në fakt i është krijuar terren sabotimit të tij. Aq bajate është bërë kjo, sa Lazarati i bën karshillëk deri edhe qeverisë! Shteti nuk ka mundësi e fuqi të hyjë në fshat (!), por ka filluar të krijojë postblloqe jashtë fshatit për të ndaluar autobotet që dërgojnë ujë për të ujitur bimët e kanabisit!!! Pra, shteti është mposhtur! Pas kësaj, është e vështirë të bësh ndonjë koment.
Duke lejuar kultivimin e kanabisit, dëgjohet prej disave, arrihet të ulet niveli i fitimprurjes së atyre që e kultivojnë! Ky mendim meriton të diskutohet shumë seriozisht. Në qoftë se sot fitokan shumë, ta zëmë, disa dhjetëra njerëz, nesër, po t’u lejoka, do të mund të fitojnë nga pak mijëra të tjerë! Pra, Shqipëria, kësisoj, do t’u ktheka në një farë Afganistani në Europë. Sepse është fakt, se serrat me perime, për vet kushtet e pafavorshme të tregut brenda vendit, do të vijnë duke u zhdukur, për të lulëzuar në tërë Shqipërinë ngastrat me kanabis, për të cilin ka nevojë “tregu” ballkanik e ai europian. Dhe mendo pastaj se çfarë ekonomie e kriminalizuar do ta mbante në këmbë vendin tonë!
Lejimi i kultivimit të kanabisit, flitet deri edhe në mjedise intelektualësh, do të mund t’i kontribuonte edhe turizmit, duke e bërë Shqipërinë të vizitueshme nga rinia evropiane. Është vështirë të pranohet nga kushdo fakti, se do të mund të kishim më shumë turizëm falë kultivimit të një lloj droge, siç është kanabisi. Askush nuk do ta dëshironte, që rinia europiane të nxitej për të ardhur në Shqipëri pikërisht për t’u kënaqur me këtë lloj bime narkotike! Shqipëria ka të tjera burime të shkëlqyera për turizëm. Të mendosh shfrytëzimin e kanabisit si mundësi turizmi, kjo do të ishte një lloj fatkeqësie për vendin tonë.
Ka nga ata që mendojnë se legalizimi i kultivimit të kanabisit bën që të çlirohet edhe Policia e Drejtësia nga një detyrë shtesë mbi detyrat e mirëfillta që ka! (Sepse po del, që punonjësit e Policisë, krahas pistoletës, u dashkan të aftësohen mirë edhe për përdorimin e kosës). Një perceptim i tillë i problemit është tepër mekanicist. Sipas kësaj logjike del, se duhet të bëjmë sa më pak ligje, me merakun se mos rëndojmë struktura të veçanta të shtetit! Mirëpo, e kundërta duhet të ndodh. Sa më shumë ligje, aq më mirë. Ligj do të thotë kodifikim i kulturës qytetare. Askush nuk duhet të trembet nga ligji. Përkundrazi, ligji formon, kulturon, edukon.
Partizanët e mendimit, se u dashka lejuar kultivimi i kanabisit sjellin si “argument” edhe faktin, se disa shtete e paskan lejuar kultivimin e kësaj bime të dëmshme. Mirëpo, në rastin konkret nuk mbahet parasysh një fakt domethënës: Shtetet europiane kanë tjetër terren ligjor. E njohin ligjin me shekuj dhe është kjo arsyeja që qytetarët e këtyre vendeve nuk e kuptojnë dot jetën jashtë zbatimit të ligjeve. Ato kontrollojnë kufijtë e tyre. Ato kanë struktura tepër speciale për të pasur nën kontroll trafikantët e të gjitha llojeve të drogave. Krejt ndryshe është terreni shqiptar. Të legalizosh kultivimin e kanabisit do të thotë t’u hapësh rrugë të lirë për të ardhur këtu edhe trafikantë të huaj, për ta shndërruar ekonominë shqiptare në një bartëse të rrezikshme të krimit.
Pra, bëhet fjalë për terren tipik shqiptar, ku nuk ushqehet respekt për ligjin, për të cilin lipset të punojnë të gjithë. Dhe jo vetëm Policia e Drejtësia.