E Diel, 1 Nëntor 2026

Hyrjet në Kapshticë 2 herë më të larta se daljet

28/12/2010  Numri i të kthyerve mbrapsht vetëm 200 veta. Punohet me 4-7 sportele, nuk ka radhë

KAPSHTICE- Duke filluar nga dita e parë e hyrjes në fuqi e vendimit për heqjen e vizave për shqiptarët dhe deri më sot, pika e kalimit kufitar në Kapshticë është karakterizuar nga një normalitet i plotë, pa pritje dhe radhë të gjata, ndërsa ka bërë të mundur që fluksit në rritje nga dita në ditë të emigrantëve që kthehen në Shqipëri për festat e fundvitit, apo të atyre që shkojnë drejt shtetit grek për të festuar në shtetin fqinj, ta përballojë pa probleme. Ndërkaq numri i të kthyerve mbrapsht për mosrespektim të procedurave të hapësirës Shengen apo për mungesë të mjeteve monetare, kanë qenë në një përqindje tepër të ulët.

Lëvizjet e shqiptarëve

Të gjitha këto u bënë të ditura nga burime pranë doganës së Kapshticës, të cilat pohuan se duke filluar nga data 15-të e këtij muaji dhe deri më tani është evidentuar fakti se emigrantët shqiptarë kanë dashur t’i festojnë festat e fundvitit në Shqipëri. Ky fluks emigrantësh ka ardhur në rritje nga dita në ditë. Brenda harkut kohor të përmendur më sipër, numri i emigrantëve që kanë hyrë në tokën shqiptare ka shkuar në rreth 50 mijë, ndërsa pritet që i njëjti fluks të shoqërojë edhe ditët e ardhshme. Ndërkohë, burimet në fjalë sqaruan se numri i shqiptarëve që iu drejtua shtetit fqinj gjatë 24 orëve të fundit ka qenë rreth 1.500 veta, ndërsa në total, deri më tani kanë kaluar doganën e Kapshticës rreth 25 mijë shtetas, ose dy herë më pak, në krahasim me emigrantët që vijnë në atdhe. Megjithatë, pavarësisht nga fluksi i lartë i hyrje-daljeve, drejtuesit e pikës së kalimit kufitar të Kapshticës kanë marrë të gjitha masat për pritjen e emigrantëve dhe përpunimin e dokumentacionit. Aktualisht dogana e Kapshticës ka punuar nga 4 deri në 7 sportele, ndërsa në çdo kohë kanë qenë në gatishmëri edhe katër sportele të tjera, që në çdo rast fluksi të lartë edhe këto sportele të viheshin në funksionim. I njëjti impenjim është evidentuar edhe nga ana e doganës greke të Kapshticës, ku edhe kjo e fundit deri më tani nuk ka lejuar krijimin e radhëve dhe të pritjeve. Madje jo vetëm kaq, edhe hyrjet në tokën greke nga vetë dogana greke kanë qenë të mirëpritura, kjo gjë edhe për shkak të krizës që ka mbërthyer shtetin fqinj. Ndërsa numri i të kthyerve mbrapsht, të cilët ose kanë qenë të penalizuar, ose nuk kanë pasur mjetet financiare për kohën e qëndrimit, ka shkuar në 200 veta. Ndërkohë burimet e përmendura më sipër, bënë të ditur se aktualisht janë marrë të gjitha masat edhe nga Policia Rrugore, me qëllim shmangien e aksidenteve të mundshme në rrugë. Për këtë arsye, aktualisht janë dyfishuar patrullat e policisë, të cilat kanë vënë nën kontroll të gjitha akset rrugore, por në mënyrë të veçantë aksin rrugor që lidh Kapshticën me Korçën, Pogradecin dhe me Qafë-Thanën, e cila për qarkun e Korçës përbën një nga akset më të rëndësishme të këtij rajoni. Gjithsesi, deri më tani mund të thuhet se në këtë pikë të kalimit kufitar është punuar pa pasur probleme.

Vepror Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›