E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyseni: EULEX të shtrihet sa më parë

Bruksel (start)-Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni gjatë fjalës së mbajtur para Grupit Drejtues Ndërkombëtar, ka folur rreth sigurisë, procesit të njohjeve të reja të Kosovës. Ministri Hyseni ka shprehur bindjen se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në gjykimin e saj do të jetë plotësisht e paanshme.

Ai ka theksuar se Kosova beson se do të rikonfirmohet pozita e saj. "Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe integral. Ky proces është i pakthyeshëm", ka theksuar Hyseni. Pikë e rëndësishme në fjalën e tij ishte kërkesa dhe nevoja për rikonfigurin e UNMIK-ut dhe shtrirjen e shpejtë të EULEX-it në tërë territorin e Kosovës. Ai ka theksuar që rikonfigurimi i UNMIK-ut nuk po ecën me shpejtësinë e duhur.

"EULEX-i duhet të jetë i pranishëm në tërë Kosovën sa më parë që të jetë e mundur, për të ndihmuar dhe për të mbikëqyrur realizimin në terren të Planit gjithpërfshirës të presidentit Ahtisari", ka theksuar Hyseni. Ai ka ripërsëritur se EULEX-i është ftuar nga presidenti dhe Qeveria e Republikës së Kosovës që më 17 shkurt 2008, gjë që është ripërsëritur në muajin gusht nga presidenti i Kosovës.

Ministri Hyseni ka ripërsëritur se bazë e mjaftueshme për vendosjen e EULEX-it në gjithë Kosovën është Deklarata e Pavarësisë, Kushtetuta, plani i përbashkët aksional i Bashkimit Evropian dhe natyrisht Pakoja gjithëpërfshirëse e presidentit Ahtisari. E gjithë kjo e bën shumë të qartë mandatin që ka EULEX-i. Sa u takon gjashtë pikave të negociuara ndërmjet OKB-së dhe Serbisë, ministri Hyseni ka thënë se, Prishtina i konsideron si problematike dhe joracionale, prandaj edhe janë refuzuar. Ai theksoi se "ruajtja e karakterit unitar dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës është e domosdoshme dhe e pazëvendësushme dhe ka ftuar shtetet që përbëjnë Grupin Ndërkombëtar Drejtues që kjo të respektohet".

Në fund të fjalës së tij Hyseni ka ripërsëritur gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, Bashkimin Evropian dhe SHBA-të për vendosjen e EULEX-it në tërë territorin e Kosovës. Ministri i Jashtëm i Kosovës është siguruar nga përfaqësuesit e shumë vendeve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar se karakteri unitar i Kosovës si dhe integriteti territorial i saj do të ruhet.

Përkushtimin për të ruajtur karakterin unitar dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës e kanë shprehur shumë qartë përfaqësuesit e Turqisë, Francës, Gjermanisë, SHBA-së, Austrisë, Britanisë së Madhe, Italisë, Suedisë etj.

Ndërsa ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, në fjalën e tij u përqendrua te buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2009, procesi i privatizimit dhe shfrytëzimi i donacioneve të zotuara në konferencën e donatorëve. Ministri Shala ka folur edhe për përpjekjet që Qeveria e Republikës së Kosovës po bën për të patur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, disiplinë fiskale dhe buxhetore.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›