E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria mbështet shtrirjen e EULEX në të gjithë territorin

Kryeministri Berisha zhvilloi sot në mbrëmje një takim me Kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi. Dy kryeministrat ndodhen në Shkup për të marrë pjesë në festimet e 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit.

Dy kryeministrat diskutuan gjerësisht mbi marrëdhëniet midis dy vendeve dhe zhvillimet më të fundit në Kosovë. Ata shprehën vendosmërinë për forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në të gjitha fushat. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp Berisha u shpreh se “Qeveria shqiptare po i ndjek me shumë vëmendje këto zhvillime dhe konstaton se janë paraqitur dy projekte, një projekt me 6 pika dhe projekti i qeverisë së Kosovës me 4 pika. Ne besojmë se çdo projekt që krijon përshtypjen për një ndarje në veri përbën një rrezikshmëri të madhe për paqen dhe stabilitetin. Së dyti, qeveria shqiptare mendon dhe beson se është në detyrimin absolut të saj, të qeverisë së Kosovës dhe të gjithë qeverive të tjera të japë garanci të madhe për liritë e minoriteteve. Në këtë kontekst, autoritetet e Kosovës janë shprehur qartë se kanë të gjithë përkushtimin, por edhe autoritetet ndërkombëtare kanë të drejtë të mbikëqyrin rreptësisht garantimin e lirive dhe të drejtave të serbeve në Kosovë. Natyrisht, është iluzive të mendohet se ato mund të garantohen ndryshe, përveçse nga autoritetet legjitime të Kosovës. Ndaj dhe një lloj problemi i krijimit të një pushteti të posaçëm për pakicën të çon ndërmend një ide shume joproduktive jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin, idenë e një super pakice. Tani këtu, në Ballkan, jemi të mbushur me pakica dhe jemi krenarë. Ato janë një pasuri e gjithanshme, por ideja për super pakicë është një ide jashtëzakonisht kundërproduktive dhe që nuk i shërben as pakicës. Qeveria e Beogradit duhet të heqë dorë, në interesin më të mirë të serbëve në Kosovë, nga pretendime të cilat janë jorealiste”.

Sipas tij, “në Ballkan gjenden kudo tre komuna homogjene, siç është Mitrovica, ka në Shqipëri, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Serbi, ka kudo dhe qeveritë demokratike kanë të gjithë përkushtimin për t’u garantuar pakicave standardet më të mira. Presidenti Ahtisari i ka dhënë Kosovës një dokument të shkëlqyer, i cili garanton standarde të pashkruara për pakicat në ndonjë vend tjetër në Europë. Ndaj dhe uroj që midis planit 6 pikash dhe planit 4 pikash të gjenden pikat e përbashkëta dhe dokumenti të jetë një dokument që t’i shërbejë paqes e stabilitetit në Kosovë dhe më gjerë”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›