E Diel, 1 Nëntor 2026

Hyseni: Qeveria nuk ka dijeni për anëtarësimin e Kosovës në OKB

(E plotësuar) Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës të enjten, deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Skënder Hyseni ka kritikuar paralajmërimet e zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës, sipas të cilëve, gjatë këtij viti, Kosova mund të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Deputeti Hyseni ka ripërsëritur kritikat e tija në adresë të Qeverisë së Kosovës, të cilat i ka bërë edhe ditë më parë, gjatë një interviste dhënë për Kosovapress.

“E para, paralajmërimet bombastike nga ana e përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës për anëtarësim në OKB, përkatësisht për aplikim të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Këto janë paralajmërime shqetësuese, sepse tregojnë dy gjëra. Në esencë se ka gjasa që Qeveria nuk është në dijeni të procedurave të anëtarësimit në OKB dhe dy ka po ashtu përpjekje që Kosova të dërgohet në drejtim të Klubit të Saharës Perëndimore dhe Palestinës”, ka theksuar Hyseni.

Për më tepër, ai ka sqaruar edhe procedurën e anëtarësimit, e cila, sipas tij, është e thjeshtë, pasi bëhet përmes dorëzimit të aplikacionit në Këshill të Sigurimit të kësaj organizate.

Këshilli i Sigurimit i rekomandon Asamblesë së Përgjithshme, pranimin përkatësisht hedhjen në votim të kandidaturës së një vendi.

Hyseni thotë që ky rekomandim ndodh atëherë kur asnjë nga anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit nuk ushtrojnë të drejtën e vetos, ndërsa ka rikujtuar se në Këshillin e Sigurimit janë pesë vende anëtare me të drejtë vetoje, dy nga të cilat janë Republika Popullore e Kinës dhe Federata Ruse.

Edhe paralajmërime që Qeveria mund të aplikoj për status vëzhguesi, sipas ish-ministrit të Jashtëm, janë edhe më të dëmshme dhe më të rrezikshme, sepse Kosovën drejt për së drejt e çojnë në drejtim të klubit ose vendeve të entiteteve pa identitet ose me gjysmë identitet si Saharaja Perëndimore dhe Palestina.

Gjithashtu, Hyseni ka kritikuar edhe kryeministrin e vendit, i cili, sipas tij, luftës në Kosovës po i referohet si një konflikti të thjeshtë ndëretnik. Kjo, sipas tij, është e dëmshme, sepse në Kosovë ka pas luftë.

“T’u marr shkas nga një editorial i kryeministrit këto ditë, ku disa përplasjeve gjatë luftës në Kosovë u referohet si konflikte ndëretnike ka përpjekje që edhe lufta e Kosovës të prezantohet të përshkruhet si konflikt të fërkimeve ndëretnike ku gjithë janë barabartë. Kjo është koleg të nderuar deputet e keqe, kjo qon kah një skleroza totale kolektive që është e dëmshme për Kosovën. Në Kosovë ka pas një luftë të egër të të sunduarit me sunduesit”, ka thënë Hyseni.

Një shqetësim tjetër ka ngritur, deputeti tjetër nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj, i cili ka thënë se Transmetuesi Publik me qëllim apo pa qëllim po politizohet dhe banalizohet skajshëm nga skenarist dhe folës të porositur.

Ai konkretisht ka kritikuar emisionin “Pa Rrotlla”, të cilin e udhëheq gazetari, Milaim Zeka dhe mysafirin e tij gjeneralin Kudusi Lame.

Sipas tij, ky person po tenton të njollos figurat e luftës çlirimtare dhe arkitektëve të pavarësisë.

“Këto gënjeshtra kobë zeza fatkeqësisht të transmetuara në emisionin në RTK mund të krahasohen me regjimet më gjakatare të rajonit Ballkanik dhe në disa momente i kalojnë ato. Kush është Kudusi Lame që hedh helm ndaj figurave tona çlirimtare, luftës institucionale dhe arkitektëve tonë të lirisë dhe pavarësisë duke filluar nga heronjtë Ibrahim Rugova, Ahmet Krasniqi, Tahir Zemaj, Sali Çekaj e shumë luftëtar të tjerë”, ka deklaruar Zemaj.

Ndërkohë, deputeti nga AAK, Ramiz Kelmendi ka ngritur një çështje siç është ajo për sigurimin e automjeteve dhe makinave që paguajnë qytetarët e Luginës së Preshevës, të cilët duhet të paguajnë 20 euro për 7 ditë.

“Ne e dimë që këtë siguracion mund të kthejmë edhe në pagesë një ditore në mënyrë që vizituesit tanë të shfrytëzojnë territorin e Republikës së Kosovës së paku për tranzit, sidomos për pushime vjetore që preshevasit mund të shkojnë në Republikën e Shqipërisë duke përdorur territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kelmendi.

Ai i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që ta rishqyrtoj mundësinë e pagesës së taksës së sigurimit të automjeteve dhe makinave duke nisur nga një ditë apo dëshira e qëndrueshmërisë së tyre në Republikën e Kosovës.

Ndërsa deputeti, Ardian Gjini ka thënë se paralajmërimet e AAK-së që do të tërhiqen investitorët për thëngjillin, po ndodhin.

“Para disa muajsh kam paralajmëruar se edhe kompanitë mbetura së shpejti do të tërhiqen nga gara për shkak se procesi ka qenë i korruptuar, për shkak se nuk kanë ekzistuar garanca për kompanitë që investojnë shuma aq të mëdha të mjeteve të tyre. Fatkeqësisht për Kosovën kjo gjë ka ndodhur. Për momentin nuk ka asnjë të interesuar për të investuar në kapacitetet e reja energjetike në Kosovë”, ka theksuar Gjini.

Kurse deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka ngritur çështjen e mungesës së Ligjit të amnistisë, i cili ka qenë premtim i ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi

“Në një takim të mbajtur mes ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe 12 përfaqësuesve të pavioneve në Burgun e Dubravës, ministri i Drejtësisë ju pat premtuar atyre që do të përgatis Ligjin për aministi për të dërguar në kuvend. Madje, ministri në atë takim e ka quajtur veten avokat i fuqishëm i kuvendit. Mirëpo, ajo që ka ndodhur, deri më tani, një mashtrim i radhës së ministrisë së Drejtësisë pasi ai ligj nuk u soll asnjëherë në Kuvend. Ai madje e ka hequr amnistin edhe nga Kodi Penal”, ka theksuar Haxhiu.

Ndërkohë deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu ka kërkuar një përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës për mosasfaltimin e rrugës në fshatin Polac.

Sipas saj, tash e 7 vite, ende nuk ka përfunduar ky projekt.

Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota ka thënë se ky projekt, gjatë këtij viti, do të përfundojë.

Seanca ka vazhduar me disa pyetje parlamentare për ministrat e kabinetit qeveritar, por shumica e tyre kanë munguar në seancë.

Ndërkohë seanca është duke vazhduar punimet me shqyrtimin e disa raporteve dhe projektligjeve. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›