E Diel, 1 Nëntor 2026

Hyseni: Serbia ka nisur fushatë

Deputeti i LDK’së dhe ish - Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni thotë se Serbia tashmë ka filluar ta përdorë marrëveshjen për përfaqësimin rajonal për të lobuar kundër pavarësisë. Ai ka pohuar se Beogradi po përdor praninë e Rezolutës 1244 në fusnotë për t’u thënë shteteve të ndryshme që të mos e njohin Kosovën, pasi me këtë shqiptarët në mënyrë implicite kanë pranuar të flasin edhe për çështjen e statusit.

Ish-Ministri i Jashtëm Skënder Hyseni ka deklaruar se Serbia tashmë ka filluar të lobojë kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke përdorur marrëveshjen për përfaqësimin rajonal.

Hyseni ka thënë në një bisedë për Express se Serbia ditëve të fundit ka nisur letra drejt shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, duke u kërkuar të mos e bëjnë një gjë të tillë. “Ka informacione nga Ministritë e Jashtme në botë që këto ditë MPJ e Serbisë ka dërguar letra me të cilat është duke iu kërkuar vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën , që të përmbahen nga njohja sepse, sipas tyre, marrëveshja e fundit po i krijon ato parakushte elementare për t’u rikthyer në tavolinën e bisedave për statusin e Kosovës”, ka thënë Hyseni për Express.

Ai nuk ka dhënë emra të shteteve tek të cilat kanë arritur selamet e Serbisë, por e ka konsideruar këtë si mjaft shqetësuese për Kosovën.

Sipas Hysenit, pala serbe në ato letra i është referuar marrëveshjes së fundit të arritur në Bruksel për përfaqësimin rajonal të Kosovës me fusnotën e cila si referencë e ka edhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB’së.

“Sipas tyre, shqiptarët e Kosovës, sepse ju e dini që Republika e Serbisë asnjëherë nuk i referohet Kosovës si Republikë e as si Kosovë, madje edhe në bisedat me Kosovën i referohen bisedave me shqiptarët e Kosovës, pra shqiptarët e Kosovës duke e pranuar Rezolutën 1244 si referencë për pjesëmarrjen në nismat rajonale në mënyrë implicite kanë pranuar se janë të gatshëm të bisedojnë edhe për statusin e Kosovës”, tha Hyseni.

E, sipas tij, pikërisht rikthimi në tavolinën e bisedimeve për rinegocim të statusit të Kosovës është edhe qëllimi i Beogradit. “Natyrisht kjo nuk mund dhe nuk guxon të ndodhë”, shtoi ai.

Hyseni shfaqi shqetësime rreth asaj se shtetet që ende janë indiferente ndaj çështjes së njohjes së shtetësisë së Kosovës edhe mund të shfrytëzojnë fusnotën si alibi për të mos bërë këtë as në të ardhmen.

Por, për gjithë këtë fajin ia hedh ekzekutivit aktual, për të cilin thotë se ka përdorur strategji të gabuar në procesin e lobimit.

“Çështje thelbësore këtu është se çka duhet të bëjë Kosova, çka duhet të bëjë Qeveria e Kosovës çka duhet të bëjë diplomacia e Kosovës e cila deri më tash në procesin e njohjeve ka pasur një strategji skajshmërisht të gabuar , sepse është përqendruar në lobim tek vendet e ndryshme individualisht dhe është humbur shumë kohë dhe po humbet vazhdimisht në vendet e skajshme të botës sinë Afrikë dhe në Azi dhe është hupur thelbi, esenca e problemit”, ka thënë Hyseni.

Ai i ka sugjeruar Qeverisë që të shtrijë lobimin te ato vende që kanë ndikim ndërkombëtarë.

“Kjo do të jetë shumë e vështirë, e kuptoj se nuk do të jetë lehtë, sugjeroj të punohet 24 orë në ditë me State Departamentin me MPJ’të e vendeve të Quintit, Britani, Francë, Gjermani, Itali sepse vetëm shpjegimi nga ato vendet do të jetë kredibil dhe bindës të ato vende që nuk e kanë njohur”, sugjeroi Hyseni.

E, opsion tjetër të mirë e sheh shfrytëzimin e miqve ndërkombëtarë për të lobuar tek pesë vendet e BE’së që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet.

“Kosovës tash ka dhanë një alibi të arsyeshëm që të kërkoj më shumë nga partnerët e vet në bashkësinë ndërkombëtare në rend të parë nga SHBA’të dhe BE në përgjithësi dhe në veçanti nga pesëshja pra Britania, Franca, Gjermania,Italia dhe të kërkoj me porosinë më të madhe përkrahje më të madhe në rrafshin e njohjeve. Pse të mos i kërkohet shteteve të BE’së që na ka njohur që në emër të BE’së të lobojnë tek pesëshja që nuk e ka njohur dhe të insistohet shumë në këtë, të thuhet që Kosova dhe Serbia nuk kanë perspektivë të sigurt europiane përderisa Kosova nuk njihet si shtet dhe përderisa nuk qartësohen kufijtë, ndërkombëtarisht e kam fjalën sepse për ne janë të qartë, kur nuk rikonfirmohen ata kufij ndërkombëtarisht nuk sanksionohen përmes njohjes këtë duhet ta bëjnë”, ka thënë Hyseni.

Ndërkohë duke komentuar dhënien e statutit e kandidatit Serbisë ka kërkuar nga BE që të mos bëjë një gabim të pafalshëm duke e pranuar shtetin serb në familjen e saj pa e kushtëzuar atë me njohjen e Kosovës.

“Serbia nuk guxon të futet asnjë ditë në BE para Kosovës pa u qartësuar marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën si dy shtete të pavarura dhe sovrane”, u shpreh ai.

Kritik ndërkaq u shfaq edhe karshi deklaratave të qeveritarëve rreth marrjes së Pakos së shpërblimeve nga BE’ja pas arritjes së konsensusit me Serbinë në muajin e kaluar.

“Do të dëshiroja shumë që unë të jem gabim, sinqerisht do të dëshiroja shumë që unë të jem gabim, por nuk ka Pako Shpërblyese ose ndëshkuese në marrëdhëniet mes shteteve dhe etnitete politike dhe marrëdhënieve bilaterale dhe multilaterale ka interesa dhe merita dhe integrimet europiane bazohen në merita e këto krijohen mbi bazën e reformimit të sistemeve, implementimit të reformave dhe kërkesave që i ka BE”, ka thënë Hyseni.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›