E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfaqësimi i gruas në pushtetin komunal, veç prej zorit

Në 37 komuna të Republikës së Kosovës, asnjë grua nuk është kryetare komune. Po të mos ishte detyrimi ligjor, gruaja nuk do të ishte e përfaqësuar as në kuvende komunale. Faji për këtë gjendje u adresohet partive politike por edhe grave që nuk votojnë për gratë.

Përfaqësimi i gruas në pushtetin lokal në Kosovë është mjaft i kufizuar. Përveç që nuk kemi asnjë kryetare komune, grave u janë besuar shumë pak poste udhëheqëse në qeveritë komunale.

Në 37 komuna janë mbi 320 drejtorë drejtorie, ndërsa prej tyre rreth 300 janë meshkuj.

Në kuvendet komunale të Republikës së Kosovës, një e treta e këshilltarëve janë gra, por kjo është siguruar me detyrim ligjor.

”Po të mos ekzistonte kuota, në kuvendet komunale nuk do të kishte asnjë femër. Po ju garantoj”, thotë Igballe Rogova, drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës.

Për pozitën në të cilën gjendet femra kosovare sa i përket përfaqësimit në institucione, Rogova i bënë fajtorë udhëheqësit e partive politike. Ajo tha se partitë e kanë përmirësuar pak gjendjen në nivelin qendror, por në atë lokal gjendja është e rëndë.

“Është e vërtetë se situata ka ndryshuar pak në nivelin qendror, kurse në nivelin komunal numri i grave në vendimmarrje është shumë, shumë i vogël. Së pari kjo ka të bëjë me vullnetin e partive politike, liderëve të partive. Sepse kur të përpilohet lista për garën zgjedhore, ata i vendosin emrat e njerëzve të vet. Liderët e partive politike ende mendojnë se femrat duhet të propozohen vetëm për kuotë”, tha Rogova, sipas të cilës brenda partive politike nuk ka demokraci.

Pavarësisht se Ligji për Barazinë Gjinore specifikon se pjesëmarrja e barabartë gjinore në institucione është arritur në rastet kur pjesëmarrja në nivelin e pushtetit është 40 për qind, nuk ka komuna që e kanë zbatuar këtë.

Në anën tjetër, në Ligjin për Shërbyesit Civil dhe Ligjin e Punës nuk theksohet përqindja Gjinore në institucionet dhe organet udhëheqëse. Mosmarrëveshja në mes këtyre Ligjeve krijon mangësi në interpretimin dhe zbatimin e Ligjeve ekzistuese, duke u lejuar komunave të marrin vendime të lira në lidhje me numrin e femra të punësuara.

Në tetë komuna të Kosovës, Viti, Novobërdë, Ranillug, Hani i Elezit, Kamenicë, Kaçanik, Kllokot dhe Shtërpce, të cilat ndihmohen nga projekti LOGOS që financohet nga qeveria Zvicerane, numri i stafit femra arrin deri në 15 për qind, në total.

Igballe Rogova, e cila mbi dy dekada është e angazhuar për avancimin e të drejtave dhe pozitës së gruas në shoqërinë kosovare, shprehet e dëshpëruar për këtë gjendje.

“Në Kosovë jo vetëm që nuk implementohet ligji, por as vullneti i qytetarëve”, tha Rogova.

Që nga zgjedhjet e fundit lokale, zyrtaret më të larta në komunat tona janë tri gra, që mbajnë postet e kryesueseve të kuvendeve komunale në Novobërdë, Pejë dhe Mamushë.

E para nga to që ka fituar këtë post me votat e kolegëve të saj është Shefkije Mehmeti. Ajo drejton me sukses Kuvendin Komunal të Novobërdës. Ajo është nënë e pesë fëmijëve, por e ka përkrahjen e burrit për t’u marrë me politikë.

“Është vështirë për një femër të udhëheqë një Kuvend Komunal”, thotë ajo.

Megjithëkëtë, ajo ka ambicie që edhe në të ardhmen të merret me politikë dhe nuk e përjashton mundësinë që të kandidohet edhe për kryetare të komunës.

Praktika disavjeçare e komunave për mosrespektim të Ligjit për barazi gjinore sa i përket punësimit, është ndjekur edhe në procesin e krijimit të komunave të reja – edhe pse me monitorim të rreptë ndërkombëtar.

Kryetari i Komunës së re të Hanit të Elezit, Rufki Suma, ka treguar se nuk ka të emëruar asnjë drejtoreshë, por shefe e personelit është një femër, që është pozita më e lartë e stafit civil në komunë. Ai ka thënë se kur është zgjedhur në pozitën e kryetarit i ka pranuar në punë dy femra dhe nuk ka pasur mundësi të pranojë të tjera për shkak numrit të limituar të vendeve të punës.

Edona Hajrullahu, kryeshefe ekzekutive në Agjencinë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit thotë se në vitin 2011 është realizuar hulumtimi: “Gratë në procesin e punës dhe vendimmarrjes” me të cilin është vlerësuar kuadri ligjor, institucional si dhe politikat të cilat promovojnë mundësitë e pjesëmarrjes së grave në procesin e punës dhe vendimmarrjes.

Ky hulumtim, sipas Hajrullahut, ka nxjerrë në pah që përfaqësimi i grave në institucionet publike dhe posaçërisht në pozita vendimmarrëse nuk është proporcional me përqindjen gjinore të popullsisë.

“Është mëse evidente që numri i grave në ekzekutiv, në nivelin lokal, nuk është në përqindjen që ne do dëshironim, por duhet pasur parasysh që në shumicën e rasteve shkollimi është përcaktues për sigurimin e vendit të punës apo pozitës së caktuar”, tha Hajrullahu.

Për këtë vit, Agjencia për Barazi Gjinore ka paraparë mbështetjen e grave të cilat janë shërbyese civile përmes ofrimit të 10 bursave për studime master, si dhe do të jap kontributin e saj rreth plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit Zgjedhor dhe harmonizimit të tij me Ligjin për Barazi Gjinore.

Njëra ndër arsyet kryesore për pozitën e pabarabartë të gruas në qeverisjen lokale është te partitë politike që nuk u japin hapësirë të mjaftueshme grave politikane, por edhe mospërkrahja e grave nga vetë gratë.

Nexhmije Kallaba kishte konkurruar për kryetare të Kamenicës, në zgjedhjet e fundit, por nuk kishte mbështetje as nga fshati ku jeton – Rogaçicë.

“Nga kjo kam mësuar shumë. Tek ne, femra nuk shihet e denjë për të udhëhequr me komunën apo institucione tjera me rëndësi”, thotë ajo.

Kallaba thekson se vota e shumicës e femrave në Kosovë ndikohet nga të tjerët.

“Ende është një numër i vogël i femrave që kur të dalë në zgjedhje voton ashtu siç mendon vet. Femrat në përqindje shumë të madhe diktohen nga burrat e tyre, nga prindërit dhe një tjetër arsye është tek vet besimi i tyre tek femrat nëse ato do të mund ta përfaqësojnë denjësisht një punë të caktuar në pozita udhëheqëse. Pra ende nuk ka një vetëdijesim që femra të mendojë dhe të gjykojë e pavarur”, ka shtuar ajo.

Sipas Kallabës, ata që udhëheqin me komunat nuk po bëjnë asgjë për përmirësimin e pozitës së gruas dhe punësimin e tyre në institucione.

“Ata që janë në pozita udhëheqëse, meshkujt, ende e shohin femrën nga prizmi i bashkëshorteve të veta. Pra i shohin femrat në përgjithësi si amvise. Udhëheqësit e komunave hezitojnë ta vendosin një femër për ta udhëhequr një drejtori komunale. Ata femrën e shohin të denjë për të punuar si asistente të tyre, apo sekretaresh apo pozita të tilla”, ka thënë Kallaba, sipas së cilës, gjendja në Kuvende Komunale do të ishte edhe më e keqe se në ekzekutiv po të mos ishte kuota gjinore.

“Kjo mund të vërtetohet nëse shikohen rezultatet e zgjedhjeve komunale, pasi listat kanë qenë të hapura. Po mos të ishte kuota, në asnjë komunë besoj se nuk do të kishim më shumë se dy deri në tri delegate femra”.

Për ndikimin e burrave se për kë duhet të votojnë femrat flet edhe aktivistja Igballe Rogova.

“Në procesin zgjedhor po ndodhin pazarllëqe të ndryshme. Këtë e kemi parë jo vetëm në viset rurale, por edhe nëpër qytete. Një anëtar i familjes voton për tërë familjen. Votimi është bërë sa për sy e faqe sepse qeveritë nuk i kanë mbajtur premtimet kur kanë kërkuar votën”.

Mungesën e përkrahjes së femrave për gratë politikane e konstaton edhe Rogova.

“Nëse një grua dëshiron të kandidohet kërkon përkrahjen e grave, e ato nuk janë aq entuziaste për të votuar një grua sepse nuk besojnë se gruaja mund të arrijë diçka. Unë e kam parë kur është zgjedhur presidentja(Atifete Jahjaga), më shumë e kanë kritikuar femrat se sa burrat. Ka qenë e kundërta e asaj që kemi pritur kur është zgjedhur presidentja. Kanë qenë gratë që vazhdimisht e kanë ngacmuar me komente”, ka thënë ajo.

Për ta përmirësuar gjendjen ekzistuese, me strategjinë e re, Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës ka planifikuar të punojë me gratë votuese nëpër komuna gjatë tri viteve të ardhshme.

Edhe projekti “Zvicër-Kosovë, përkrahje qeverisjes lokale dhe Decentralizim LOGOS”, i cili financohet nga Qeveria Zvicerane dhe zbatohet nga HELVETAS Swiss Intercooepertaion përveç punës së madhe që bën në ndihmë komunave (të regjionit të Gjilanit) që ato të jenë sa më afër qytetarëve dhe të japin atyre shërbim sa më të mirë kontribuon edhe në fushë të barazisë gjinore që si qëllim ka ngritjen e vetëdijes së shoqërisë kosovare për rëndësinë e barazisë gjinore përmes kampanjave, trajnimeve, fondeve dhe dhënies së ekspertizave të ndryshme në këtë fushë.

Projekti LOGOS, faza e dytë i ndihmon komunat në planifikim dhe menaxhim të burimeve, Administratë dhe shërbime publike, Kapitalizim dhe përhapje të përvojave.

“Përveç këtyre fushave projekti mbështet të gjitha komunat partnere në fushën e barazisë gjinore. Asistenca e projektit komunave në fushë të barazisë gjinore arrihet përmes mbështetjes së komunave partnere në vënien në praktikë të Ligjit për Barazi Gjinore, duke përkrahur pjesëmarrjen e grave në strukturat komunale, duke përfshirë gratë në trajnime, takime si dhe duke motivuar gratë për pjesëmarrje aktive në proces të vendimmarrjes”, ka thënë Merita Barileva, zyrtare në projektin LOGOS.

Po ashtu, LOGOS-i ka realizuar një fushatë për vetëdijesim gjinor që për qëllim kishte vetëdijesimin e publikut të gjerë dhe stafit komunal për çështje gjinore.

Në fushë të buxhetimit të ndjeshëm gjinor të njohur ndërkombëtarisht si GRB, LOGOS ndihmon komunat partnere në marrjen e praktikave nga vendet e zhvilluara dhe që ato praktika të aplikohen gjatë planifikimit të buxhetit komunal që për qëllim kanë ndarjen e tij në mënyrë të barabartë për të gjitha gjinitë si për gratë, burrat, vajzat dhe djemtë. LOGOS-i konsideron se pjesëmarrja më e madhe e këshilltareve të kuvendeve komunale dhe OJQ-ve për çështje gjinore, ndihmon në përfshirjen dhe ndarjen e buxhetit në mënyrë të barabartë gjinore.

Projekti “Zvicër-Kosovë përkrahje qeverisjes lokale dhe Decentralizim” LOGOS Faza e II-të, vazhdon të mbështesë komunat në fushë të barazisë gjinore dhe po ashtu projekti ka dhënë fonde 9 komunave partnere për projekte të kësaj fushe. Që të gjitha këto projekte janë duke u zbatuar në këto 9 komuna dhe qëllimi i tyre është që gradualisht të përmirësohet pozita e gruas ne komunat e Republikës së Kosovës dhe të rritet pjesëmarrja e gruas në pushtetin lokal. /KosovaTimes/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›