Hyseni: Serbisë t'i bëhet me dije se Kosova është shtet
"është obligim i bashkësisë ndërkombëtare që për hir të paqes t'ia bëjnë me dije Serbisë se Kosova tashmë është shtet i pavarur, ka deklaruar në një intervistë për Radio Kosovën ministri i Punëve të Jashtme Skënder Hyseni.
Ministri kosovar ka deklaruar se Rajoni i Ballkanit do të stabilizohet vetëm atëherë kur Serbia të pranojë realitetin e Kosovës, që sipas tij, jo domosdoshmërish ka të bëjë me njohjen e pavarësisë. Ai shtoi se është detyrë e ndërkombëtarëve që të bëhet me dije Beogradit, se Kosova është shtet i pavarur.
"është obligim i bashkësisë ndërkombëtare që për hir të paqes t'ia bëjnë me dije Serbisë së Kosova tashmë është shtet i pavarur. Edhe Kosova edhe Serbia e kanë synim anëtarësimin në BE dhe NATO, por për të arritur deri atje, duhet të qartësohen të gjitha problemet ekzistuese dhe problemi më i madh është raporti Kosovë-Serbi që duhet të zhvillohen vetëm si dy shtete. Kërkesat e Serbisë për negociata për statusin janë të rrezikshme të cilat mund të destabilizojnë rajonin në mënyrë katastrofave", u shpreh ai gjatë intervistës.
Për të shtuar se "kërkesat për negociata e më keq për ndarje të Kosovës, do të nxisnin në rajon skenar tepër të rrezikshëm dhe kushdo që mendon se do të mbetet një konflikt i i kufizuar vetëm në Kosovë e ka shumë gabim. Prandaj ne ndjekim politikë të kujdesshme e cila në fokus ka ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të brendshëm, por dhe në rajon".