Sami Lushataku dënohet me 12 vjet burg e Sylejman Selimi me 6 vjet

Gjykata Themelore e Mitrovicës ka marr vendim gjatë seancës së sotme që kryetari i Skenderaj, Sami Lushtaku, të dënohet me 12 vjet burgim, ndërsa ish-amdasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylejman Selimi, me 6 vjet.
Nga të gjitha akuzat në procesin e ashtuquajtur Grupi Drenica 1 janë liruar Sabit Geci, Jahir Demaku, Ismet Haxha, Sahit Jashari dhe Avni Zabeli, ndërsa për Grupin Drenica 2, Gjykata Themelore në Mitrovicë ka marr vendim që Sylejman Selimi të dënohet me plus 8 vjet burg, Jahir Demaku 7 vjet, Zeqir Demaku 7 dhe Isni Thaçi me 7.
Me nga 3 vjet burg u dënuan Agim Demaj, Bashkim Demaj, Driton Demaj, Selman Demaj, Fadil Demaku dhe Nexhat Demaku.
Vendimin e gjykatës e ka mirëpritur edhe Misioni për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, sipas të cilit, vendimi për aktakuzën që pretendonte ekzistimin e një qendre ndalimi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Likoc ku mendohet se ushtarët e UÇK-së kishin kryer krime të luftës kundër popullatës civile ndërmjet muajve qershor dhe shtator 1998, tregon për guximin e vërtet të treguar nga viktimat dhe dëshmitarët.
"Prokurori e mirëpriti aktgjykimin dhe urdhrin e gjykatës për paraburgimin e të pandehurve që u shpallën fajtor. Prokurori e vlerësoi guximin e vërtetë të treguar nga viktimat dhe dëshmitarët, të cilët i paraqitën dëshmitë e tyre në gjykatë, përkundër sfidave, frikësimit dhe vështirësive të konsiderueshme. Prokurori do ta shqyrtojë në tërësi aktgjykimin e gjykatës dhe e rezervon të drejtën e tij për t'u ankuar pas këtij procesi shqyrtues", thuhet në një njoftim të EULEX-it.
Komandantët dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar në kuadër të Grupit Drenica. që nga data 31 maj 2013 po mbahen në paraburgim me dyshime për përfshirje në kryerjen e veprave penale, krime lufte kundër popullatës civile gjatë vitit 1998 në një qendër të ndalimit në Likovc të Drenicës.
Gjatë gjykimit grupi u nda në Grupin Drenica 1, ku ishin të pandehurit Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Sabit Geci, Ismet Haxha, Sahit Jashari, Jahir Demaku dhe Avni Zabeli, ndërsa në Grupin Drenica 2, ku ishin Sylejman Selimi, Agim, Bashkim, Driton e Selman Demaj, Fadil, Jahir, Nexhat dhe Zeqir Demaku dhe Isni Thaçi.
Në kohën kur jepet vendimi, edhe do të bëhen 2 vjet prej kur nisi ndjekja penale e Grupit të Drenicës. Prokuroria ka kërkuar dënimin me burgim të ish-komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, atij të Zonës operative të Drenicës, Sami Lushtaku dhe të tjerëve të akuzuar në rastin Drenica.
EULEX-i që kishte nisur hetimin për këtë rast në vitin 2013 e kishte ndarë atë në dy pjesë, kryesisht për shkak të numrit të madh të të akuzuarve, pavarësisht se dëshmitarët janë pothuajse të njëjtë, por edhe akuzat.