Hyseni vazhdon lobimin

Në ditën e dytë të qëndrimit në Mbretërinë e Arabisë Saudite, Ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni, është takuar me një numër ambasadorësh të shteteve që nuk e kanë njohur ende formalisht Republikën e Kosovës.
Në takime të veçanta, Ministri Hyseni ka zhvilluar takime me Ambasadorin e Jemenit në Arabinë Saudite, z. Moh’d Ali Mohsin Al-Ahwal, Ambasadorin e Pakistanit, z. Umar Khan Alisherzai, Ambasadorin e Katarit, z. Ali bin Abdullah Al Mahmoud, Ambasadorin e Irakut, Dr. Ghanim A. Al-Jumaily, dhe Ambasadorin e Egjiptit, z. Mahmoud M. Auf.
Në takimin me Ambasadorin e Jemenit, Ministri Hyseni ka folur për përparimin që ka bërë Kosova që nga shpallja e pavarësisë, për nevojën për më shumë njohje, dhe në këtë kontekst, ka ripërsëritur thirrjen për njohjen e shtetit të Kosovës nga Republika e Jemenit.
Nga ana e tij, Ambasadori Moh’d Ali Mohsin Al-Ahwal e ka siguruar Ministrin Hyseni se do t’ia përcjellë kryeqendrës së tij kërkesën për njohje.
Edhe në takimin me Ambasadorin e Pakistanit, Umar Khan Alisherzai, Ministri Hyseni ka ripërsëritur thirrjen për njohje nga Pakistani, duke e njoftuar njëherësh atë me zhvillimet më të fundit në dhe rreth Kosovës.
Ministri është përqendruar, midis tjerash, te paqja dhe stabiliteti që ka sjellë pavarësia e Kosovës në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe te fakti i njohjes së Republikës së Kosovës nga të gjithë fqinjët e saj të afërt, me përjashtim të Serbisë.
Ambasadori pakistanez, ndërkaq, e ka uruar Ministrin për njohjet e deritanishme nga shumë vende. Ai, ka thënë se do t’ia përcjellë kërkesën për njohje kryqendrës së tij, duke shprehur shpresën se, “së shpejti do të pranoni lajmin e mirë”.
Në një takim tjetër shumë miqësor me Ambasadorin e Irakut, Dr. Al-Jumaily, Ministri Hyseni ka marrë po ashtu sigurime se ripërsëritja e kërkesës për njohje do t’i përcillet Qeverisë së Irakut, dhe se do ta nxisë Qeverinë për të lëvizur në drejtim të njohjes. Njësoj është shprehur edhe Ambasadori i Katarit.
Në takimin me Ambasadorin e Republikës Arabe të Egjipit, z. Mahmoud M. Auf, Ministri Hyseni ka rikujtuar takimet e mëparshme që ka zhvilluar me homologun e tij nga Egjipti, dhe ka përsëritur thirrjen e tij drejtuar Kajros zyrtare për njohjen e shtetit të Kosovës.
Nga ana e tij, Ambasadori Auf i ka përcjellë Ministrit Hyseni përshëndetjet e Ministrit të Jashtëm të Egjiptit, z. Abdul Gheit, dhe e ka siguruar Ministrin se do t’ia përcjellë çdo mesazh të tij Ministrit të Jashtëm dhe Presidentit të Egjiptit.