PDK dhe LDK, po e shkatërrojnë demokracinë

Pas udhëzimit të KZAP’it për përsëritjen e votimeve në komunën e Prizrenit, Gjilanit dhe Lipjanit, për shkak të parregullsive, ka reaguar Aleanca Kosova e Re (AKR), drejtuesit e së cilës kanë akuzuar koalicionin qeverisës PDK-LDK se, sipas tyre, po i dëmton proceset në vend, ndërsa kanë kërkuar nga Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP) që të verifikojë listën finale të votuesve në rrethin e parë të zgjedhjeve për Mitrovicë dhe Dardanë, pavarësisht se atje janë certifikuar rezultatet.
Në një konferencë për media të dielën, Nënkryetari i AKR’së Ibrahim Makolli vendimin e fundit të KZAP për rivotim në tri komuna, e ka quajtur dëshmi për siç është shprehur ai, demokracinë në vend dhe për përkushtimin e partive kryesore politike në vend për të kontribuuar që zgjedhjet e para në Kosovën e pavarur të jenë fer dhe të drejta.
Ai ka thënë se zgjedhjet lokale kanë dëmtuar demokracinë e brishtë në Kosovë, ndërsa e ka quajtur të drejtë kërkesën e mëhershme të AKR’së për vendosjen e kamerave në vendvotime, e cila nuk ishte pranuar nga KQZ’ja.
“Dy partitë kryesore politike në vend, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës janë ato të cilat po e shkatërrojnë demokracinë në këtë vend, janë ato të cilat po e dëmtojnë proceset në vend dhe dëshmia më e mirë për këtë janë zgjedhjet e fundit”, ka theksuar Makolli.
Ai ka kritikuar KZAP’in dhe Gjykatën Supreme të Kosovës se nuk i kanë anuluar votimet në komunat për të cilat AKR’ja ka bërë ankesa për parregullsi, sikurse në rastin e Gjakovës, ndërsa i ka bërë thirrje KZAP’it të verifikojë listën përfundimtare të votuesve me listën e atyre që kanë votuar, duke përfshirë Mitrovicën dhe Dardanën, për të cilat komuna KQZ’ja ka certifikuar rezultatet e rrethit të parë.
“Si duket edhe Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa edhe Gjykata Supreme nuk e kanë trajtuar seriozisht ankesat tona për Gjakovën. Vendimi i Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa për anulim të votimeve dhe rivotim në këto tre komuna na ka bërë të besojmë se po që se do të kishte një trajtim më serioz të të gjitha ankesave anulimi i votimeve do të bëhej edhe në komuna të tjera. Kërkojmë nga Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa që edhe njëherë seriozisht të trajtojë të gjitha ankesat dhe të bëjë verifikimin e listës përfundimtare të votuesve me listën e atyre që kanë votuar”, ka theksuar Makolli.
Për më tepër, Makolli kërkoi nga KZAP’i të mbrojë ligjshmërinë dhe të mos lejojë që për shkak të politikës të sakrifikojë ligjin, ndërsa ritheksoi shqetësimin e AKR’së ndaj manipulimeve me vota që sipas tij kanë bërë anëtarët e Këshillave të Vendvotimeve, duke kërkuar që ndaj tyre të merren masa ligjore.