Pesë viktima nga të ftohtit në Çeki

I ftohti i acartë dhe temperaturat, të cilat kanë rënë në minus 20 gradë Celsius, gjatë dy ditëve të fundit i kanë kushtuar me jetë së paku pesë personave të pastrehë në qytetet çeke Ostravë dhe Pragë.
Në Ostravë, në lindje të Çekisë, janë ngrirë gjatë fundjavës dy meshkuj dhe një femër, ka deklaruar Gabriela Holchakova, zëdhënëse e policisë në këtë qytet. Një javë më herët, si pasojë e të ftohtit në Ostravë kishin humbur jetën edhe katër persona tjerë të pastrehë.
Moti i ftohtë pati pasoja edhe në Pragë, ku temperaturat kanë rënë në minus 13 gradë Celsius, me ç’rast humbën jetën dy persona të pastrehë, të cilët nuk kishin kërkuar strehim në qendrat, të cilat për çdo dimër i hap qyteti i Pragës.
Megjithatë, në Pragë nuk është thyer rekordi sa i përket temperaturave më të ulëta në këtë qytet, rekord ky i regjistruar në shekullin e 18-të, kur temperatura në Pragë kishte rënë në minus 23 gradë Celsius.
Moti më i ftohtë gjatë fundjavës është regjistruar në jug të Çekisë, në brezin kufitar me Gjermaninë dhe Austrinë, ku temperaturat kanë rënë në minus 24 gradë Celsius.