Obama kërkon mbështetje të planit

Presidenti Barak Obama, u bëri thirrje amerikanëve që të mbështesin planin për të rimëkëmbur ekonominë, duke thënë se ka rëndësi të madhe që vendimet e vështira të merren tani. Gjatë fjalimit të tij të përjavshëm në radio dhe në Internet, Presidenti Barak Obama, u bëri thirrje amerikanëve që të mbështesin planin e tij për rimëkëmbjee ekonomike, duke thënë se ai është i gatshëm të bëjë çfarë është e nevojshme për t'i dhënë fund recesionit të dhimbshëm. Presidenti Obama tha se ai filloi nga puna, duke qenë i ndërgjegjshëm se përmirësimi i gjendjes ekonomike të vendit nuk do të ndodhë shpejt dhe as do të jetë diçka e lehtë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Presidenti e shfrytëzoi fjalimin e tij të përjavshëm në radio për të siguruar mbështetje për nismat e tij për reformimin e shërbimit shëndetësor, krijimin e vendeve të punës, çbllokimin e tregut të kredive dhe ndihmën për njerëzit që nuk janë në gjendje të paguajnë kredinë ndaj bankës, të mos humbasin shtëpitë:
Presidenti Obama e filloi fjalimin e tij të përjavshëm në radio duke pohuar shifrat shkurajuese të ditëve të fundit për ekonominë. "Dje ne mësuam se ekonomia humbi edhe 651 mijë vende të reja pune gjatë muajit shkurt, që e çon numrin e përgjithshëm të të papunëve gjatë recesionit në 4,4 milionë vetë. Niveli i papunësisë tani e ka kaluar shifrën e 8 për qindshit, shifra më e lartë në një çerek shekulli," - tha ai.