Hyseni:Zëvendësimet e ambasadorëve, pazare politike

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, i ka cilësuar pazare të rënda politike zëvendësimet e ambasadorëve të Kosovës në disa shtete.
Në një bisedë për gazetën “Epoka e Re”, Hyseni ka kritikuar MPJ-në për veprime të nxitura dhe të panevojshme në këtë periudhë. Madje, ai ka vlerësuar se pazaret e tanishme politike do ta dëmtojnë edhe më shumë imazhin e Kosovës dhe cilësinë e shërbimit diplomatik e konsullor të shtetit.
Sipas tij, këto ndryshime në shërbimin diplomatik janë duke u bërë për të përmbushur tekat e partive qeverisëse, dhe në asnjë mënyrë për të sjellë kualitet në shërbimin diplomatik.
Pjesa dërmuese e ambasadorëve të Republikës së Kosovës, sipas Hysenit kanë treguar profesionalizëm, prandaj zëvendësimi e tyre është i panevojshëm.